Nga Razije Musa – Mami
Të dashura nëna uroj të jeni mirë, shumë nëna më shkruajnë dhe kërkojnë këshilla për të trajtuar aneminë te fëmijët që prej 7 deri në 8 muajsh e tutje. Rëndësi të madhe në funksionimin normal të organizmit ka hekuri.
Një fëmijë që ka mungesë të hekurit është më pak aktiv, sytë e tij kanë rrathë, më pak fitojnë peshë, kanë më pak apetit dhe kryesisht janë më nervoz. Mungesa e hekurit mund të ndikojë që ata të zhvillohen më ngadalë.
Fëmijët lindin me rezerva të hekurit në gjak të transmetuara nga nëna gjatë shtatzënisë, për gjashtë muajt e parë kryesisht nuk ka probleme. Me fillimin e ushqimeve solide rritet nevoja e hekurit në organizëm prandaj preferohet të konsumohen ushqime që në përmbajtje kanë hekur.
Mishi është burim i mirë i hekurit, vezët gjithashtu por e bardha e vezës nuk preferohet të jepet para moshës një vjeçare sepse është alergjen i fortë. Peshku është një burim tjetër i rëndësishëm i hekurit, mishi i pulës po ashtu, rëndësi ka që dieta e fëmijëve të jetë e pasur edhe me drithëra që në përmbajtje kanë hekur.
Dieta me pemë e perime ka shumë rëndësi, ushqimet si brokolli e spinaqi kanë mjaftueshëm hekur dhe kontribuojnë në zhvillimin normal të organizmit të bebes me sasi të mjaftueshme të hekurit.
Anemitë rangohen si e lehtë, e mesme dhe e rëndë. Ajo e lehta trajtohet me ushqim, ajo e mesmja me barna e ajo më e rënda është e komplikuar dhe kërkon hospitalizim dhe trajtim mjekësorë. Keni kujdes me ushqimin e fëmijëve, bazat e një jetë të shëndetshme merren përmes ushqimit dhe stilit të jetës. Ushqeni shëndetshëm, nxirreni në natyrë, ekspozoni në rrezet e hershme të diellit, dërgoni në ajër të pastër apo në det sepse të gjithë këta faktorë janë mikë të një fëmije të shëndetshëm./FamiljadheShëndeti