Nga dr. Jeton Zenuni – Transfuzioni i gjakut
Të jesh nënë, të gjithë do të pajtohen, është diçka e veçantë, e paçmueshme, e mrekullueshme dhe në të njëjtën kohë e lodhshme, rraskapitëse, ndonjëherë edhe konfuze.
Në anën tjetër, shumë baballarë mendojnë se roli i tyre fillon tek pas muajit të nëntë të shtatzënisë. Në fakt, gjërat janë shumë më ndryshe. Edhe pse është gruaja ajo që mban fëmijën gjatë nëntë muajve, ka shumë gjëra që një baba i ardhshëm mund të bëjë, duke luajtur një rol të rëndësishëm në gjithë periudhën e shtatzënisë.
Baballarët mund dhe duhet të marrin pjesë në mënyrë aktive në procesin e shtatzënisë: të dëgjojnë rrahjet e para të zemrës së foshnjës, së bashku me nënën të lexojnë literaturë rreth shtatzënisë, dhe shumë më tepër se kaq.
Në vijim do t’ju ofrojmë disa mënyra se si baballarët mund të marrin pjesë në mënyrë aktive në periudhën e shtatzënisë.
Përgatitja e dhomës ose këndit të bebit
Përgatitja e hapësirës për bebin duhet të fillojë para lindjes, për të shmangur stresin e panevojshëm në minutën e fundit.
Ju duhet të ri-dizajnoni gjithë shtëpinë dhe ta përshtatni atë me nevojat e fëmijës suaj. Do të vijë së shpejti një periudhë kur fëmija juaj dëshiron të shëtisë nëpër të gjitha hapësirat e shtëpisë dhe të prekë gjithçka. Ju gjithashtu do të vëreni një prirje të veçantë të fëmijës për të prekur çdo gjë të rrezikshme, prandaj është detyrë e juaj si baba që shtëpinë ta shëndrroni në një hapësirë të sigurtë.
Kushtoni rëndësi anës emocionale
Bisedat rreth sportit, politikës ose ngjarjeve të përditshme duhet të jenë në plan të dytë. Ato vijnë vetëm pas temave që janë primare për shëndetin e nënës shtatzënë, si dhe organizimit e përgatitjeve për ardhjen e anëtarit të ri të familjes në shtëpi.
Adaptimi
Gratë shtatzëna dinë të ndryshojnë shpesh disponimin e tyre. Është e nevojshme që babai i ardhshëm të kuptojë se e gjithë kjo është pasojë e ndryshimeve hormonale, në mënyrë që ai të mos reagojë në mënyrë jo të duhur.
Babi nuk është më numri 1
Me fillimin e shtatzënisë, nis një periudhë e re jete. Pavarësisht se babai i ardhshëm e ka të qartë se po ndodhin ndryshime të caktuara, ai mund përjetojë një ndjesi të çuditshme kur ta kuptojë se tani fëmija do të jetë gjithmonë në vendin e parë në shtëpi.
‘Babi, ky ndryshim është pozitiv për gjithë familjen, andaj bëja me dije mamit se je i vetëdijshëm për këtë’.
Mbështetja fizike
Qafa, shpina, shpatullat, këmbët e gruas shtatzënë … Duart e babait janë të mirëpritura në çdo pjesë të trupit të nënës së re. Pesha e gruas shtatzënë bën presion mbi trupin në mënyrë të vazhdueshme, kështu që babai është një ndihmë e madhe për relaksim të saj gjatë kësaj periudhe.
Tregoni kujdes
Kontaktet e shkurta fizike me butësi si përqafimi, puthja, mbajtja e duarve, kanë një ndikim të madh psikologjik te nëna e re.Gjithashtu merrni një libër dhe lexoni fëmijës suaj çdo natë kur bini të flini.
Jini të pranishëm
Shoqërojeni bashkëshorten tuaj te doktori, të paktën gjatë disa vizitave mjekësore dhe shtroni pyetje. Në këtë mënyrë ju do të tregoni se jeni duke marrë pjesë në mënyrë aktive në procesin e shtatzënisë. Gjithashtu, mos humbisni rastin të përcjellni lëvizjet e bebit tuaj gjatë skanimit me ultratingull. Nëse partneri juaj duhet t’i nënshtrohet ndonjë procedure tjetër për keqformime gjenetike, sigurohuni që jeni të pranishëm. Do të jetë më e lehtë për të, në qoftë se me prezencën tuaj i siguroni mbështetje.
Ndryshoni stilin e jetesës
Nëse partneri juaj përpiqet që të hajë ushqim të shëndetshëm, ju mund ta mbështetni atë në mënyrë që edhe ju vet të adaptoni zakonet e reja të saj. Sigurisht se kjo do t’ju bëjë mirë edhe vet juve, e jo vetëm fëmijës dhe bashkëshortës. Për të mos sjellë partnerin tuaj në tundim, largoni nga përdorimi çfarëdo ushqimesh që dëmtojnë shëndetin e saj. Mos pini duhan. Kaloni kohë në shëtitje ose ushtrime të zakonshme. Përpiquni që të mos qëndroni në zyrë jashtë orarit të punës. Sigurohuni që të keni më shumë kohë për veten dhe për gruan tuaj.
Duajeni trupin e saj
Megjithëse trupi i saj do të pësojë ndryshime nga muaji në muaj, bëjani me dije se ajo duket shumë e bukur. Jeta juaj intime mund të ndikohet për shkak të ndryshimeve hormonale, dhimbjes së shpinës, mundimit në mëngjes dhe preokupimit të kuptueshëm me prioritetet jetësore që paraqiten para çiftit gjatë asaj periudhe.
Bëni përpjekje shtesë
Bashkëshortja juaj mund të ketë kërkesa të shumta. Përpiquni që t’i realizoni të gjitha ato kërkesa në mënyrë stoike. Gjatë shtatzënisë, ajo duhet të kryej pjesën më të vështirë të punës. Më së paku që mund të bëni është të bëni pazaret e përditshme. Disponojeni me gjërat që i pëlqejnë. Përmbushjani dëshirat të cilat janë normale për një grua shtatzënë.
Shoqërojeni deri në maternitet
Mund të tingëllojë e parëndësishme, por ju do të jeni ai personi që do të bëjë transportin urgjent deri në spital, përveç nëse nuk jeni në ndonjë udhëtim zyrtar në momentin kur të shpërthejnë ujërat. Prandaj, bëni një xhiro provuese deri në klinikën e maternitetit. Hulumtoni rrugët alternative deri te spitali. Ka gjasë që mu atë ditë, të ketë bllokadë në rrugën kryesore nëpër të cilën duhet të kaloni. Sigurohuni që të njihni mirë rrugën deri në spital. Kjo do të jetë një gjë më pak, për të cilën partneri juaj do të duhet të mendojë në atë moment.
Bleni, bisedoni, merrni vendime së bashku
Deri në kohën e mbërritjes së fëmijës suaj, ju dhe partneri juaj duhet të blini rroba për të porsalindurin, të përgatisni hapësirën për foshnjën, të gjeni një emër për djalë respektivisht vajzë, të mirreni vesh për marrjen e pushimit …
Ndihma rreth gjidhënies
Gjithashtu, babai duhet t’i ndihmojë nënës së re rreth gjidhënies. Nëna do të vie në shtëpi e rraskapitur dhe çdo ndihmë sado e vogël do të jetë e mirëseardhur. Prandaj, kursimi i energjisë së nënës ka rëndësi të madhe për bebin dhe gjithë familjen.
Përgatituni për një mënyrë të re të jetës si një familje
Siguroni para për shpenzime të reja që janë të domosdoshme për anëtarin e ri të familjes. Merrni pushim për periudhën pas lindjes së foshnjës, për të qenë në gjendje të merrni pjesë në kujdesin e foshnjës gjatë ditëve të para të jetës.
Për fund, të ndihmosh gruan shtatzënë është obligim i çdo bashkëshorti, pasi në këtë mënyrë ti ndihmon ardhjen në jetë të një krijese, ndihmon atë me të cilën ndan dashurinë, jetën dhe rrugëtimin e përbashkët. Të ndihmosh gruan shtatzënë është fisnike, njerëzore, është baza e një jete bashkëshortore të lumtur./Familjadheshendeti.com