Roli i përrallave në edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve

Nga: Lorela Garuli

Popullariteti i përrallave dhe fakti që janë kaq të dashura nga fëmijët, në çdo periudhë dhe në çdo kulturë dëshmon jo vetëm për vlerat, por edhe për pëlqyeshmërinë e tyre nga fëmijët. Përralla, më shumë se çdo mjet tjetër komunikimi dhe edukimi arrin ta pasurojë jetën e fëmijës pikërisht sepse është shumë empatike me nevojat e tij emocionale.
Fëmijët i përqafojnë përrallat që në moshë shumë të hershme dhe e kuptojnë shumë mirë se nuk është fjala për një alternativë argëtimi çfarëdo, që prindi ia tregon thjesht për të kaluar kohën. Kjo ndodh sepse përralla është një burim shumë i mirë, me anë të së cilës fëmija orientohet mbi mënyrën e funksionimit të marrëdhënieve njerëzore. Përveçse është orientuese dhe udhëzuese për fëmijën, nga ana tjetër ai e gjen veten emocionalisht në përrallë. Tensionet dhe konfliktet e brendshme psikologjike që përjeton fëmija marrin zë në përralla. Për këtë arsye, fëmija e vlerëson përrallën si një nga rrugët kryesore të zgjidhjes së vështirësive që ka përgjatë procesit të gjatë dhe të komplikuar që paraqet zhvillimi i tij. Duke qenë se përrallat tregohen në moshë të hershme, pa më të voglin dyshim ndikimi i tyre është shumë i madh dhe roli i tyre është përcaktues në zhvillim. Një zhvillim i shëndetshëm përfshin pa përjashtim edhe një fëmijëri të pasur me rrëfim përrallash, të cilat janë njëkohësisht argëtuese dhe jashtëzakonisht edukuese. Fëmija ka nevojë të gjejë veten dhe të përcaktojë vendin që zë në mjedisin e tij social. Përralla e ndihmon shumë në këtë drejtim. Për më tepër, përralla jep mesazhe të domosdoshme mbi raportet njerëzore, moralin, të drejtën dhe të mirën. Sado anakronike të mendohet se është ajo, vlera edukuese e saj është e patjetërsueshme, duke qenë se është pra një nga instrumentet që më së miri e kryejnë këtë funksion. Si një prej literaturave më tradicionale e të hershme dhe duke qenë se u përgjigjet herë në mënyrë të tërthortë e herë në mënyrë të drejtpërdrejtë pyetjeve të fëmijëve, përralla ndikon direkt në socializimin e tyre dhe si një faktor orientues mbi shpjegimin e funksionimit të marrëdhënieve njerëzore.

Marrëdhënia e përrallës me fantazinë është e ndërsjellë. Në një kohë që përralla bazohet tek imagjinata, ajo ndikon pozitivisht në zhvillimin e kësaj karakteristike te fëmijët. Një fëmije që i tregohen përralla do ta ketë fantazinë edhe më të zhvilluar se një bashkëmoshatar i tij, i cili nuk është ekspozuar ndaj tyre. Përralla e cila flet me fantazinë, pra me gjuhën e fëmijës, i tregon atij se kontradiktat e brendshme që ai mund të ketë, por s’i shpreh dot, nuk qenkan vetëm të tijat individuale, por qenkan problematika më të gjera dhe të përgjithshme. Duke gjetur zgjidhje për dinamikat e brendshme psikologjike nëpërmjet përrallave, fëmija kupton një gjë shumë të rëndësishme dhe ngushëlluese për rritjen e tij të shëndetshme psikologjike. Ai mëson se nuk është i vetëm në përjetimet e tij dhe në skutat e pavetëdijshme. Pikërisht ky ndërgjegjësim është një komfort emocional shumë i dobishëm.

Si duhet treguar një përrallë?
P
ërralla është një përvojë e përbashkët mes prindit-fëmijës, gjyshërit-fëmijës. Kjo do të thotë se nuk duhet konsideruar një punë mekanike, e lodhshme apo si një detyrë e rëndomtë. Prindi duhet të zhytet në rrëfim, duke u dhënë rëndësinë e duhur të gjitha konflikteve të fëmijës. Përralla është mjet komunikimi, e si e tillë është pranuese dhe fleksibël ndaj çdo ndërhyrjeje të fëmijës. Në këtë rast, përgjatë rrëfimit, fëmija duhet të ndihet i lirë ta ndërpresë rrëfimin dhe të shtojë, të heqë apo të zëvendësojë detajet sipas dëshirës së tij. Kjo u shërben identifikimeve dhe projektimeve të tij. Ndërhyrjet që bën fëmija gjatë dëgjimit pra, janë absolutisht të rëndësishme. Një fëmijë mund të kërkojë në mënyrë të përsëritur që prindi t’i tregojë të njëjtën përrallë, ky i fundit duhet ta plotësojë këtë kërkesë dhe të kuptojë që ajo përrallë mbart një kuptim të caktuar dhe domethënës për fëmijën. Nuk këshillohen përrallat me figura apo ilustrime. Gjatë rrëfimit, fëmija duhet të jetë i lirë të fantazojë. Një imazh do t’ia kufizonte shumë imagjinatën. Për këtë arsye, përralla duhet rrëfyer dhe nuk duhet lexuar. Përralla është simbolike, jo didaktike. Fëmijës nuk i duhet shpjeguar kuptimi i saj i fshehur dhe nuk ka nevojë të interpretohet, sepse fëmija nuk e zotëron akoma të menduarit kritik e racional. /gsh.al/
/Familjadheshendeti.com