“Ka qenë një prej netëve më të tmerrshme të jetës time…policia na dha shenjë që ejani edhe ju mbas nesh. Ata e morën, ia vendosën edhe prangat. Atij tan kohën i dukej sikur lojë, ai ndoshta ka qenë edhe i tymosur dhe nuk iu ka duk as interesant, derisa shkon në polici, dhe ata mundohen me metodat e tyre të presionit… në anën tjetër, ai nuk e dinte që ne jemi prezent aty. Policia na udhëzoi, mbas 4-5 orëve në stacion, vjen një punëtore sociale e cila e njeh mirë problemin e varshmërisë dhe dhunës në familje dhe rekomandon me e bo ni pajtim, dhe të shkojmë në shtëpi t’i zgjidhim problemet”.
Nëpër momente të tilla kanë kaluar shumë familje, jo vetëm në vendin tonë. Në media shpesh keni dëgjuar rrëfime të personave të ndryshëm që kanë qenë të varur nga përdorimi i substancave narkotike.
Problemet e një personi të varur nga drogat fillimisht me familjen dhe shoqërinë, izolimi dhe stigmatizimi e deri tek sfidat në gjetjen e një rrugë për t’u pastruar, janë disa prej aspekteve që shpesh i kemi trajtuar. Megjithatë, një person me probleme të varësisë, është brengë për gjithë familjen e tij dhe nuk paraqet një problem individual. Në veçanti për nënat.
Ky është rrëfimi i Ganimete Myftiut, që ka vendosur të flasë hapur për Cosmo të KTV-së, për varësinë e djalit të saj nga marijuana, kodeina dhe video-lojërat dhe sfidat që kanë kaluar deri në gjetjen e një rruge drejt shërimit.
Ganimete Pashoja – Myftiu është autore e disa librave. Është edhe një përkthyese profesioniste, por vetëm kalimthi i përmend para se të tregojë profesionin që e ka zgjedhur, tash e disa vjet.
“Para 18 vitesh, publikova librin e parë, në të cilën shkrova një rezyme, ku kishte mjaft elemente afirmative, ia dërgova vëllait, ai mu përgjigj me një thënie që është e zakonshme në Shqipëri: ‘Doni më për Behlulin?’. Thuhet kur dikush lëvdohet për vete. Dhe prej atij momenti e kam rimenduar biografinë time. Tani biografia ime është Ganimete Pashoja Myftiu, nënë e dy fëmijëve”, thotë ajo.
Bima Cannabiss sativa mbetet dukshëm substanca narkotike më e popullarizuar dhe më lehtë e qasshme në shumicën e vendeve të botës.
Djali i saj e kishte provuar në moshë të re.
Megjithatë, nuk kishte mbetur gjithçka aty dhe ndër vite, përveç marihuanës dhe kodeinës, ai kishte krijuar varësi edhe nga një tjetër dukuri që shumë të rinj, por edhe shumë familje ende nuk e konsiderojnë problematike.
“Dikund kah mosha 15 vjeçare, unë personalisht nuk e kam dit, bashkëshorti e ka dit, fillon përdorimi i marihuanës rekreative. Së paku e ka provu. Ne nuk e dimë në çfarë sasie, s’kemi apliku as kontroll buxheti ose me dit se sa kushton ajo, nuk e di, por qasje ka pas dhe kjo ka qenë pjesë e të qenit amerikan. Unë jam më përparimtar se të tjerët, unë guxoj të bëj gjëra që shoqëria e Kosovës i ndalon edhe… Ai është tani 28 vjeçar, bëhet fjalë për një përdorim intensiv të marihuanës për 13 vite. Në 3 vitet e fundit, ka përdor edhe Kodeinë që blihet në barnatore për një çmim simbolik, por që në sasi të mëdha, krijon efekte të asaj që quhet HIGH, ose nivel i ngritur i disponimit dhe krahas përdorimit të marijuanës dhe kodeinës, unë e quaj si të barasvlefshme, barasfuqishme dhe destruktive, shprehinë e videolojrave të cilët ai i ka konsumu në sasi të pakontrolluar”, thotë më tej Pashoja Myftiu.
Një djalë i ri dhe me interes të shtuar në teknologjinë e re, kishte filluar të shfaqë simptoma të problemeve që po i vinin nga përdorimi i tepruar i substancave narkotike, të kombinuara me realitetin virtual ku kalonte shumicën e ditës.
“Shenja e parë që më kujtohet, është humbja e koherencës së mendimit. Mendimet ishin të shkëputna, të foluna. Ka qenë introvert, është, me ardh në atë pikë me fol në gjendje të shkapërderdhur është një tregues. Ka pas elemente tjera, kur ka qenë paranojë e halucinacione. Si haker që ka qenë i njohur ne rrethin e tij, ka pas edhe ndjenjën që dikush po e përcjellë, i përndjekur, si funksionimi i ndërgjegjes, çdo njeri funksion me at princip: kur bënë diçka keq, pret diçka keq me t’u kthy. Kjo është një degjenerim, ai në ballafaqim me ne, thoshte se ju jeni të prapambetur, ju do të kuptoni që kjo rrugë që kam zgjedh është në rregull, ju do të kuptoni që ardhmëria nuk i takon më njerëzve dhe takimeve me njerëz, por monitorëve. Kishte një shembull praktik, po ju tregoj, kur u kthy nga Kroacia për herë të parë, i çojsha mesazhe disa herë gjatë ditës, a hëngre, si kalove në punë, e kisha me prapavi …më thotë mu: mam, kultura shqiptare nuk është diçka në rregull, sepse japonezët komunikojnë 1 herë në javë”, thotë ajo.
Angazhimet e shumta, një jetë dinamike dhe me plot të papritura, fare lehtë mund të mbulojnë simptoma që mund të duken se nuk paraqesin problem që kërkon zgjidhje të menjëhershme. Megjithatë, me kalimin e kohës, ato grumbullohen dhe në një pikë të caktuar edhe mund të shpërthejnë. Reagimi i duhur dhe me kohë, por edhe vendosmëria për të gjetur një zgjidhje, mbeten elemente thelbësore në situata të tilla.
“Fillimisht, mendoj që bisedat e para janë bërë mes babës e birit, janë ruajt si sekrete mes tyre. Nuk kemi mujt me vërejt ndonjë ndryshim fizik në sjelljet e tij, dhe kemi mendu se do të jetë… kemi njoftë edhe përdorues të tjerë të rregullt, dhe kemi mendu se do të jetë ndoshta i rrallë, rekreativ… por kjo u tregu teori krejtësisht e gabuar. Sepse me kohë ne i pamë efektet shumë të rënda, halucinacione, paranoja, gjitha ato që nuk përmenden. Publiku gjithmonë thotë, publiku.. .njerëzit flasin… të rinjt kur flasin: qëllimi është me u bo GIPS. Çka është ajo GIPS? Gips është me qenë i pandjeshëm (Insensitiv) me i humb ndjenjat? Aftësi ose cilësi është humbja e ndjenjave? Atëherë mund të them se ballafaqimi i vërtetë, moment dramatik ka qenë kur ai ka pas gati 25 vjet. Mbas 10 vjetëve. 10 vjet është mendu si diçka kalimtare, jo e përhershme, derisa e mora unë personalisht telefonin, e thirra policinë edhe i thash hajdeni se e kom një narkoman këtu. E përdora fjalën narkoman me qëllim, edhe pse gjatë vetëdijësimit tim, udhëtimit tim nëpër këtë problem, preferoj formën e varësisë, është më mjekësore, njerëzore. Sepse narkoman është një emër për një grup të stigmatizuar social, të cilin ne e përdorim në formë poshtërimi”, thotë ajo.
kështu kishte nisur rruga e gjatë drejt pastrimit të djalit të saj, duke iu drejtuar fillimisht mjekëve vendës, por edhe forma alternative jashtë shtetit.
“Unë do të ju tregoj shembull, në grupin ku ne shkojmë për shpëtim, shërim, shumica e rasteve që vijnë tregojnë vullnet për shërim, dhe brenda një periudhe tregojnë vullnet për shërim, 1 muaj, 3 muaj… djalit tonë iu është dashtë tri vjet me u bind. Mënyra se si ne e kemi bind atë ka qenë shumë e dhimbshme. E kemi raportu dy herë për dhunë familjare, edhe është zhvendos dy herë në spitalin forenzik. Në spitalin forenzik, përkujdesja ka qenë maksimale. Duhemi me qenë krenarë që trajton në këtë mënyrë, ndoshta ka qenë rast i veçantë i varshmërisë, por ne kemi qenë jashtëzakonisht të kënaqur sepse mbërritëm një herë me e çu në Kroaci, por vullneti i tij ishte i njomë, dhe u kthy mbas tre muajve. Mbas 3 muajve nuk ka efekte, ka përmirësime të dukshme të jashtme. Çdo prind don me e mashtru vetveten që fëmija im është shëru, don me e besu, por kjo nuk është e vërtetë. E vërteta është se çdo transformimi i vërtetë, kërkon kohë kërkon punë. Kërkon investim shpirtëror dhe forcim karakteri”, ka thënë Pashoja Myftiu.
“Nga ky moment kemi fillu me u interesu për të gjitha metodat e mundshme, kemi shku në një prej ngjarjeve ma interesante për publikun, ka qenë shkuarja në Kotor të Malit të Zi. Atje është një mjek rus, i cili bënë intervenime me bllokada të qendrave të përdorimit të drogës. Marijuanën nuk e kish profil… profil primar e kishte heroinën, por u kthyem në shtëpi dhe filluam me eduku vetveten, u ulshim, shiqojshim emisione se si vepron bota me një problem të tillë, kemi pa edhe këtë mjekun rus. Metodat e tij ishin enigmatike/të panjohura për publikun sepse i ka apliku në kampet ruse, eksperiment. Ndërkohë e kemi çu edhe te mjeku”, ka shtuar ajo.
fundmi, djali i saj ka filluar rrugën drejt shërimit nga varësitë, derisa Pashoja Myftiu tregon edhe për takimin me një person që ia kishte dalë të pastrohej nga përdorimi i narkotikëve, që i kishte dhënë shpresë edhe për djalin e saj.
“Ju thash para emisionit, që ne femrat, jemi më të lehta për komunikim. E kam një mike, që ka pas probleme të kësaj natyre me djalin e saj, gjithmonë e tregon këtë tregim me shumë humor. Kur ajo ka pas probleme me djalin, i ka thënë burri i vet, merre një mikrofon e shko te Skenderbeu e tregoju të gjithëve, krejt botës që ke probleme me djalin. Jo rastësisht, kjo grua është bërë themeluese e shoqatës në të cilën po gjej shpëtim, edhe i tregoj një shoqeje, e ajo më thotë që e njeh dikë që ka qenë në Kroaci që din për këtë program ecurinë e procesit. Ne e takuam at djalin,në qytet. Kur e pamë, sa e hapi gojën, sa filloj me fol, ne të dy kemi mendu të njëjtin send: sikur vetëm 10 % djali jon të bëhet me u bo si ky, shpëtim. Zoti e din, se sa mundet me mbërri me… E pamë shembullin ideal të një njeriu që ka qenë në shërim, nga një perspektivë i duket shumë 3 vjet 5 vjet… por çka është 3 vjet për një jetë të një njeriu që do ta jeton në formë të shëndetshme, si duhet, me parime morale të qëndrueshme, jo me parime të debatueshme. Në këtë mënyrë, filloi kontakti, ai na udhëzoi… ajo bashkësi quhet Qenakulo, funksionon të shtunave në orën 5 është takimi, aty vijnë prindërit, në nivele të ndryshme të problemit e parashtrojnë problemin, dhe ekziston grupi i njerëzve të cilët e kanë kaluar këtë problem, por të cilët për shkak të një altruizmi të thellë, besim i thellë që mundesh me i ndihmu dikujt, vijnë dhe ndihmojnë të tjerët që janë duke kalu prej fillimit ciklin. Dhe dihet secili problem, sa kohë merr në zgjidhje… është një bashkësi, shumë me rëndësi që shërimi në Kroaci nuk kushton, nuk ka pagesë. Mos të mendojnë njerëzit që me këto qendrat për rehabilitim, ka në Evropë shumë, por nuk janë të përkushtuara si kjo. Kjo qendër është themelu prej një gruaje që quhet Nëna Elvira, që ka karakteristikat e Nënës Terezë, ka mbërri prej kurgjohit me kriju një …qëllimi i jetës së saj ka qenë me i ndihmu njerëzit e varur, një lëvizje botërore, Cenacolo”.
Një element që është shumë i rëndësishëm në këtë tregim, thotë Pashoja Myftiu është se varshmëritë, të cilitdo lloj, edhe konfrontimet me fëmijë, nuk munden me u tejkalu pa u bë prindërit bashkë, pa qenë një front unifikues, pa mujt fëmijët me pa një dallim më të voglin mes prindërve, sepse ata janë ekspertë me e përdor përçarjen mes prindërve.
“Dmth, e përdorin, njëherë bëhen me njërin, e një herë me tjetrin. Prindërit që duan me e shpëtu fëmijën e vet, duhet me u bo nji front. Edhe nëse kanë probleme të ndryshme për diçka, t’i zgjidhin diku tjetër e jo në prezencë të fëmijëve”.
Faktorët që çojnë një të ri drejt varësisë, asnjëherë nuk janë të njëjtë dhe në këtë rast, Ganimete Myftiu, përmend lëvizjet dhe ndryshimet e shpeshta që fëmijët kishin përjetuar.
“Ne kemi qenë një familje endacake, sepse në vitet 90 kur situata ishte shumë e rëndë kemi jetuar në Turqi. Prej Turqisë jemi kthyer, para luftës, pastaj 99 refugjatë në Maqedoni, prej nga shkuam në Amerikë, dhe nga atje u kthyem në Kosovë në vitin 2002, tre vjet mbas. Edhe mendoj se zanafilla e ngjarjeve me fëmijët, të cilët vetëm akumulojnë kur ka kësi lëvizje, kur është jeta kaq nomadike, dhe mendoj se këtu është zanafilla e situatave që kanë pasuar. Çdo jetë, çdo familje e ka një histori të vetën se si zhvillohen gjërat. Por për fëmijët e mi, konkretisht, ndryshimet e mëdha drastike, të shteteve gjuhëve ,religjioneve e ngjarjeve që janë ballafaquar për një moshë të njomë të formimit, kanë qenë sa bagazh dhe pasuri, po aq edhe traumë”, thotë ajo.
Për një nënë që me çdo kusht kërkon të shpëtojë fëmijën e saj, mjafton një shkëndijë e vogël për të mbajtur shpresën gjallë.
“Herën e fundit sa ka qëndru në forenzikë, ia dërgova një libër nga Ray Kurzweil… edhe njeri që flet për futuristikë, për gjëra që ne të zakonshmit, nuk kemi ide se çka janë. Edhe për me e testu se si po i punon koka, i them a po mi përkthen disa citate? I dhash disa copa letra të vogla, i kishte përkthy. Unë profesionalisht e bëjë përkthimin, por i kishte përkthy jo mirë, por çka ishte më e përsosura, ai i kishte shkruar me dorë, dhe nuk kishte korrigjime aspak. Ishte perfekte, ishte një shpresë për mu që ky mund të rikthehet… këto janë lotë gëzimi… unë ju thash se tri vite nuk kam mund me qajt…”, ka thënë Pashoja Myftiu.
“Është një thënie shumë e bukur: ‘Në jetë, humbja më e madhe nuk është vdekja. Humbja më e madhe është ajo që ti len të vdes, derisa ti je gjallë’. aty është problemi me varshmërinë. Sepse njerëzit vijnë në pikë që lënë me vdek pjesa më e madhe e ndërgjegjes, jetës së tyre, derisa fizikisht gjallërojnë”, thotë më tej ajo.
Ganimete Myftiu, përveç që ka vendosur të bëjë publike përvojat e saj me publikun, është mjaft aktive edhe në rrjete sociale.
Përveç rrezikut nga përdorimi i pakontrolluar me substanca si marihuana ose medikamente të llojit të kodeinës, ajo paralajmëron edhe për rrezikun që sjell varshmëria nga video-lojërat.
Këtë të fundit, Organizata Botërore e Shëndetësisë, rishtazi e ka klasifikuar si problem të shëndetit mendor.
“Është një ortek që po na vjen edhe duhet me i hap sytë si prind çka po bëjmë me fëmijët, me gjithë këta telefona, kompjuterë, është një problem shumë më i thellë se kjo që po flasim ne”, thotë ajo.
Pendim të madh ajo e cilëson se pse nuk kanë reaguar më herët.
“Pyetja është se pse e kemi konsideru normale atë gjë. Edhe sjelljet e tij kanë qenë më normale, por pa dasht me kriju arsyetim, por definitivisht, sa ma herët, aq më mirë. Sepse, kur ai qëndron 10 vjet me përdorim të rregullt të marijuanës, po ç’kanë këta njerëz tash. Deri tash isha mirë, tash befas… por, edhe ne kemi qenë të zanun me krijimin e ekzistencës, krijimin e atij synimit primar që kultura shqiptare e ka primar: Shpinë, shpija, shpija, shpija, duhet me u bo shpija, me u rregullu. Gjatë krijimit të shpisë, i lus prindërit që të rishikojnë prioritetet e tyre, se shpija mundet me qenë me e vogël, mundet me qenë me qira, por fëmijët… nuk kthehen në moshën që kanë qenë. Edhe për këtë problem, është shumë interesant, se e konsideroj vetën se kam qenë sado pak e ndërgjegjësime në këtë drejtim. Në vitin 1996, kam përkthy një shkrim të Erich Fromm-it, që flet për këto probleme të fëmijëve, edukimit. Përfundimi i shkrimit përfundon me thënien që nuk ka fëmijë problematik, ka prind problematik dhe njerëzim problematik.
“Humbja më e madhe dhe e paparamendueshme për prindin është humbja e fëmijës. Varshmëria ta merr fëmijën për së gjalli”, thotë Ganimete Pashoja-Myftiu, nënë.
/Koha.net/
/Familjadheshendeti.com