Nga: Dr. Samire Ademi Lutolli, specialiste Gjinekologe – Obstetre
Ngado që të ktheni pultin e televizorit dhe çfarëdo gazete apo portali që lexoni, vështirë se do të arrini të shmangeni nga tema e nxehtë – koronavirusi. Të gjithë flasin për rrezikun, kurse shpesh dëgjojmë këshillën “pa panik”. Sidoqoftë, tjetër është çka thuhet e krejt tjetër të mos krijohet realisht panik.
Në Kosovë, numri i përgjithshëm i të infektuarve po rritet. Është krejtësisht normale të frikësohemi nga epidemia dhe të bëjmë gjithçka që mundemi për t’u mbrojtur nga korona virusi. Ajo që nuk duhet të bëni, është të ngjallni panikë. Frika është emocioni më i shprehur i njeriut dhe është një armë krejtësisht normale njerëzore për të shmangur problemet. Lëreni që të përmbush misionin e saj, por sigurohuni që frika t’ju shërbejë juve, e jo ju asaj.
Para së gjithash, Qeveria ka vendosur masat për të parandaluar përhapjen e sëmundjes infektive Kovid 19. Gjithashtu, në këto momente, thjesht duhet të besojmë se ka njerëz që po punojnë shumë për të zvogëluar efektet e virusit.
Edhe te ne ka mjekë të mrekullueshëm që do të kujdesen sa më mirë për ne, në kushtet që ekzistojnë. Gjithmonë e dimë se mjekët tanë janë të rangut botëror, sepse sëmundjet që shohin dhe mjekojnë mjekët tanë në kushtet e tyre, për mjekët e botës së zhvilluar janë vetëm teori në libra. Mjekët tanë janë të trajnuar të punojnë në kushte mangësie barnash, mungesë aparatesh, madje edhe në kushte të improvizuara.
Në një sistem shëndetësor teknikisht të pazhvilluar dhe të lënë pas dore për dy dekada, mjekët tanë degradohen në aftësitë dhe suksesin e mjekimit, edhe pse janë të mrekullueshëm dhe të dijshëm, duke u kufizuar të zbatojnë dijen dhe vullnetin human.
Derisa edhe bota e zhvilluar flet dhe numrin e respiratorëve të disponueshëm pranë nesh mbetet më e vlefshme motoja: “Preventiva më e mirë se mjekimi”. Sidoqoftë të marrim frymë më lirshëm sepse në 80% të rasteve, rastet e infektuara me Korona virusin janë të lehta.
Megjithatë, pranë nesh mbetet obligimi ynë human. Në vend që të bëni panikë dhe të përhapni frikë, pranoni një situatë realiste dhe pyesni veten se çfarë mund të bëjmë dhe çfarë tashmë po bëjmë për të bërë situatën më të mirë.
Këtu po sjellim disa nga rekomandimet me rëndësi jetësore në kushte shtëpiake pa ndihmën e mjekut dhe nevojën e respiratorëve.
Të parët janë prindërit, natyrisht, të shqetësuar për fëmijët e tyre, megjithëse duket se fëmijët janë më pak të prirur për të zhvilluar simptoma serioze të Kovid 19 dhe pasojave të tij.
Këshilla më e mirë për prindërit në këto momente, është të jenë të përmbajtur. Prindi i cili duhet të dalë në punë ose për ndonjë nevojë të domosdoshme, duhet të respektojë rekomandimet e duhura. T’i kujtojmë dhë mësojmë fëmijët dhe anëtarët e tjerë të familjes që të mësojnë dhe praktikojnë disa rregulla esenciale të higjienës.
Larja e duarve me SAPUN dhe ujë për të paktën 20 sekonda
Sapo të hyni në shtëpi, pas tualetit dhe para ngrënies. E shkruaj me shkronja të mëdha sapun, sepse vetëm uji nuk është i mjaftueshëm. Të mos i prekni sytë, hundën dhe gojën me duart tuaja të palara dhe mbuloni gojën dhe hundën kur teshtitni.
Mos u mbështetni shumë në mjetet dezinfektuese të duarve
Edhe ashtu ka mungesë të tyre në treg.
Ato edhe ashtu nuk mund të heqin të gjitha papastërtitë e dukshme, e lëre më bacilet. Sapuni dhe uji janë një zgjidhje shumë më e mirë. Këshillojeni fëmijën tuaj të mos ha përjashta, por të presë derisa ai ose ajo të vijë në shtëpi për të larë duart mirë.
Kujtojini fëmijëve dhe të tjerëve në familje të mos shtrëngojnë duart me të tjerët
Duke e pasur parasysh traditën dhe mënyrën e shprehjes së respektit te ne, përshëndetja dhe shtërngimi i duarve është një nga mënyrat për të treguar respekt dhe miqësi, tashmë ky akt nuk është më në listën e respektit dhe dashurisë e miqësisë. Përmes të të përmbajturit nga ky akt formal, ju ndoshta mund t’i shpëtoni jetën vetes apo dikujt.
Në këtë moment më shkon në mendje mbretëresha Elizabetë e Britanisë, para së cilës përkulen njerëzit, por nuk ia zgjasin dorën. Madje, ekzistojnë edhe kultura tjera me forma të tjera të përshëndetjes përpos dorës. Të jemi të hapur dhe të respektojmë frikën e dikujt nëse nuk është i gatshëm sot të na e zgjasë dorën. Ai person ruan veten dhe te tjerët përreth tij e përreth teje. Ai po respekton rregullat e higjienës dhe mos u ndieni të ofenduar e të mosrespektuar. Ai po bën respektin më të madh ndaj shoqërisë sot, sepse pikërisht kjo kërkohet prej secilit prej nesh sot.
Rri n’shpi. Mos pranoni musafirë, as mos i shkoni dikujt, qoftë edhe më të afërmve nëse jetoni ndaras.
Ju mund të jeni bartës i virusit, kurse atyre mund t’u vie keq mos t’ua hapin derën nëse i bieni ziles së derës, apo t’ju refuzojnë të hyni brenda, apo mos t’ua zgjasin dorën, ndërkohë që ata mund të jenë më të dobët se ju me shëndet.
Përdorni faculetat e letrës që të fshiheni ose peshqirin tuaj personal dhe ndërrojeni për çdo ditë
Kujdesuni për anëtarët e moshuar të familjes dhe ata me forma tjera të gjendjes shëndetësore që janë në rrezik më të madh të zhvillimit të formave më të rënda të sëmundjes. Zvogëloni kontaktin me ta, lani duart më shpesh, mos u përqafoni dhe puthni, për të zvogëluar mundësinë që ata të marrin gripin dhe të zhvillojnë forma më të rënda.
Këshillohet që familjet që kanë oborr dhe nuk janë në kontakt me njerëz të tjerë të nxiten të dalin në ajër, fëmijët të luajnë jashtë (gjithmonë në pronë private e asesi kolektive)
Kjo forcon funksionin e sistemit imunitar dhe njëherit shërben si një mënyrë e mirë që të zvogëloni ankthin në këto momente panike në lidhje me këtë sëmundje.
Përpos kësaj, duke e ditur që loja dhe ushtrimet në natyrë zvogëlojnë ekspozimin ndaj mikrobeve sikurse në palestër dhe këndet e lodrave ku bakteriet dhe viruset gjallërojnë, na bëjnë të mendojmë dhe t’i japim vetes mësim që edhe pas këtij virusi do të ketë virusë dhe bakterie gjithmonë në ekosistemin tonë dhe të mësojmë një shprehi që këndet e lodrave e sidomos ato të mbyllura nuk shquhen si favorit për shëndetin e fëmijës. T’i bëjmë një pyetje vetes: a keni parë ndonjëherë që pronarët e restoraneve dhe qendrave ku kanë kënd lodrash të dezinfektojnë sipërfaqet e lodrave?
Më shtyen të besoj se e bëjnë nga dëshira dhe nevoja, por dyshoj vërtetë që ta bëjnë me rregull ose në e bëjnë fare. Imagjinoni fëmijët tanë argëtohen në grumbullin e një bote të vogël të pamëshirshme. Po të shohim baltë dhe pluhur mielli ose ushqimi mbi rrobat e fëmijëve dukemi të irrituar dhe vrapojmë të tregohemi të kujdeshëm e të rregullt duke ndërruar rrobat e tyre. Por në këtë rast ju bëj thirrje të imagjinoni veten si një organizëm mikroskopik duke jetuar në këndin e lodrave apo të sallave të fitnesit ku pështyma, djersa e në raste edhe sekretet e tjera hedhin valle në ato rekuizita. Tani duke shkruar imagjinoj reklamat në TV si ilustrim kur ata kanë edhe fytyrë si të ndonjë monstrumi e madje edhe flasin dhe sapo lecka me shampon për pastrimin e pllakave i kalon sipër ata ia marrin vrapit ose vdesin nga tmerri. Kush ka mundësi të largohet në natyrë në pronë private në natyrë me fëmijë për një periudhe dy javore natyrisht me kujdes të prindërve për fëmijët për zonat e lojërave në natyrë.
Për ata që merren me fitnes apo aktivitete sportive
Përpiquni të vazhdoni këtë shprehi të mirë, por në rrethana të tilla kufizoni daljet, e sidomos ambientet e mbyllura për ushtrime. Po qe se dilni jashtë, mbani maskë dhe mos prekni sipërfaqet publike.
Kurse fëmijët që merren me sport kolektiv të kompenzojnë me aktivitete në shtëpi duke bërë ushtrime, duke pastruar me thithëse dhomat, duke rregulluar dollapin e rrobave dhe të librave që derisa ishte shkolla ishte rrëmujë dhe nuk kishin kohë ta rregullonin. Të angazhohen në kuzhinë, të shërbejnë në tavolinë, të shtrojnë dhe heqin pjatat, të ndihmojnë mamanë dhe gjyshen të qërojë fruta, sepse kështu do të zhvillojë edhe aftësitë motorike të duarve përpos ndy gishtave të mësuara në teknologji.
Madje një gjumë gjatë ditës do t’u bëjë mirë dhe do t’u mbetet në kujtesë edhe pse tani do t’u duket dënim, por kur të rriten do të jenë krenarë me prindërit për kujdesin ndaj tyre.
Shmangni vendet me njerëz jashtë shtëpisë
Qendra Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve paralajmëron se koronavirusi po përhapet nëpër ajër dhe nga pikat e imëta të prodhuara nga personi që merr frymë, flet, kollitet dhe teshtit. Virusi transmetohet më së lehti kur 2 persona janë larg njëri tjetrit një metër e gjysmë-dy.
Me vendimin e Qeverisë fatmirësisht janë të shmangura qëndrimet në vende publike siç janë qendrat tregtare, tregjet, transporti publik dhe të tjera.
Mbajeni shtëpinë tuaj të pastër, veçanërisht vendet që përdoren më shumë
Është e domosdoshme që familjet të pastrojnë sendet dhe hapësirën që përdorin më shumë, siç janë dera e frigoriferit, parmakët e shkallëve, dorezat e dyerve, ndërprerësit, tabletat, telefonat dhe lodrat. Për efektin më të mirë të pastrimit, lëreni sipërfaqen të pastruar të lagësht për të paktën 15-30 sekonda.
Në rast të një karantine dyjavore ose zhdukjes së ushqimeve thelbësore
Këshillohet të bëni furnizime të domosdoshme për dy javë, jo sepse do të harxhohen ushqimet, por për të mos dalur në mes njerëzve për të blerë një litër qumësht. Bëni rezerva duke përfshirë edhe barnat, pelenat dhe faculetat brenda një muaji. Sa për ilaçet, këshillohet blerja e ilaçeve pa recetë, si dhe ato për terapi të rregullt, përfshirë përgatitjet e inhalimit. Sidomos me rëndësi barnat për të sëmurët kronikë, si ata me sëmundjen e sheqerit, sëmundjet kardiovaskulare, me astmë etj, esenciale dhe jetike për shëndetin e tyre. Sa i përket rezervave ushqimore këshillohet blerja e ushqimeve që kanë një afat të gjatë kohor, siç janë makaronat, frutat dhe perimet e ngrira. Gatuani dhe ngrini ushqime që mund të qëndrojnë për një kohë të gjatë si çoftet dhe supat. Siguroni vetes dhe familjes tuaj atë që ju nevojitet, por pa e tepruar dhe pa mani për të blerë rezerva për një vit – kjo krijon vetëm stres shtesë kurse të tjerët duke mos i lënë mundësi për të mbrojtur veten e tyre.
Tashmë e dimë që duhet të vendosim maskë e po patët madje edhe syze.
Fundja çfarëdo që të keni, qoftë ato GUCCI qoftë ato të tendës në shetitore, tani ato nuk janë vetëm për diell dhe për selfie. Nuk jemi të gjithë mjekë e kirurgë që të kemi përvetësuar mënyrën e lidhjes , vendosjes dhe mbajtjes së maskës. Njerëzit të cilët nuk dinë si të mbajnë maskën janë në rrezik më të lartë të prekin fytyrën, gjë që mund të bëjë që virusi të përhapet. Po nuk patët dorëza njëpërdorimëshe dhe maskë mund të përdorni edhe shall dhe dorëza dimri. Gjithashtu, mungesa e maskave do të bëhet një problem i shëndetit publik dhe punonjësit e shëndetit nuk do të kenë më. Vlerësohet se të paktën 300 milion maska janë të nevojshme vetëm në SHBA në këto momente. Por pa panikë një maskë mund të përgatisim edhe në kushte shtëpiake. Kreativiteti I njerëzve të fushës dhe atyre jashtë saj pa ndonjë mund të madh mund ti bëjë një maskë vetes dhe familjarëve të tyre.
Të lihen në hyrje pranë derës së hyrjes banesës të gjitha gjërat që kanë mundur të kenë prekur tokën apo sipërfaqet e kontaminuara, përfshirë edhe çantat e shpinës dhe këpucët që mund të mbajnë mikrobet. Duhet zbathni këpucët para se të hyni në shtëpi
Inkurajohuni të ndërroni rrobat kur hyni në shtëpi
Edhe pse mundësia e kalimit të infeksionit në rroba është e ulët, këshillohet që prindërit të ndërrojnë rrobat kur të kthehen nga puna si dhe fëmijët e tyre po që se kanë dalur jashtë shtëpisë. Po që se keni dorëza njëpërdorimëshe hidhni ato, nëse janë dorëza të dimrit futni bashkë me rrobat në rrobalarëse në 60 gradë Celsius bashkë me rrobat përpos xhaketës. Në këtë rast edhe maska mund të lahet në rrobalarëse.
Përcillni informacionet në lidhje me gjendjen e epidemisë, kjo është sjellje krejtësisht normale dhe e pranueshme.
Informacionet na shërbejnë në mënyrë që të përshtatemi në jetën tonë të përditshme dhe të planifikojmë detyrimet dhe aktivitetet tona dhe njëkohësisht duke mbrojtur veten dhe të dashurit tanë. Por mos kaloni tërë kohën duke dëgjuar dhe lexuar lajmet. Në këtë mënyrë ju ngritni vetëm ankthin dhe panikun vetes tuaj.
Shkëputuni nga interneti, kaloni kohë me familjen tuaj
Flisni për gjëra të tjera dhe përfshini aktivitete të tjera. Ky është rasti të mendojmë që të riorganizohemi, të jetojmë ndryshe dhe të kemi ndjenja për njëri tjetrin dhe familjarët, të lajmë duart më shpesh dhe të mendojmë për shëndetin më shumë sesa për ngritjen ekonomike. Sidoqoftë, Korona sic duket është një test, një sprovë, jo i rrezikshëm tej mase, por i shpejtë dhe me talent për të përzgjedhur të dobëtin.
Jini pozitiv, mos e imagjinoni skenarin më të rëndë
Asgjë nuk di të na shkatërrojë më shumë se sa psiha. Unë që po shkruaj nuk jam vec mjeke por po mbaj edhe moral sepse jam nëna, bija dhe bashkëshortja e dikujt. Kjo krijesë e padukshme për syrin nuk njeh për kufij, profesion, mund të më kap edhe mua si mjeke, edhe të pasurit, pleqtë e e të rinjtë. Korona është pasqyrë e civilizimit njerëzor, është rasti për t’u riorganizuar dhe ndryshuar.
Rri n’shpi! /Familjadheshendeti.com