Këmbënguljen e kam marrë nga ti babi, e di?!
Ndonëse në fizik nuk të ngjajë kam vjedhur pak nga ti.
Ama vetëm pak, sepse jam akoma shumë e vogël për t’u bërë njeri aq i madh dhe i vlefshëm si ti.
Më bëre fëmijë të llastuar edhe pa më gudulisur.
Më bëre të pasur edhe pa e shpërfillur pasurinë.
E rrënjose thellë brenda meje ndjenjën e dashurisë e atdhedashurisë.
Më mësove se dashuria përbëhet nga pjesëza të kujdesit dhe copëza respekti që e kompletojnë si ndjejnë, e jo veç nga të shprehurit e saj.
Më mësove të zgjoj shpirtin luftarak sa herë që e gjej vetën të fjetur në këtë botë.
Më mësove të revoltohem gjithmonë karshi të keqes.
Por… harrove shumë gjëra:
Harrove të më mësosh frikën, lodhjen, dorëzimin.
Harrove të më mësosh se jo të gjithë njerëzit në botë janë si ti. Se jo të gjithë njerëzit e duan të mirën dhe t’a duan të mirën.
Apo ndoshta e bëre me qellim.
Deshe të më mësosh vetëm mirësinë që t’i injoroj të kundërtat e saj.
E ngulite thellë brenda meje një edukatë të tillë, pa të cilën unë sot do isha e humbur.
E dua heshtjen tënde, zellin tënd, e dua mënyrën se si e shkrinë shpirtin tënd në çdo gjë që bën.
Nuk them dot gjë karshi atyre që i ndjejë, e as karshi krenarisë që ndjejë kur flas e kur shoh në sytë e tu.
Mësova se njeriu i hekurt nuk gjendet vetëm në përralla, sepse në ty pashë shpirtin dhe trupin e hekurt sa herë që u përplase me jetën, e pashë edhe shumë herë të tjera duke bëre sakrificë për neve, e pashë edhe atëherë kur unë sëmuresha.
Ama të pash edhe atëherë kur më ktheve shpinën dhe i fshive lotët me mëngen e bluzes.
Dhe mendova me vete: ” Një Zot e din se sa herë është thyer brenda vetës për t’u bërë kaq i fortë para neve”.
Nuk e harroj dot as shikimin tënd kur unë vesha mantelin e bardhë për herë të parë.
Të pash shpesh duke ardhur rrotull nga rruga vetëm për të mos më shqetësuar kur unë mësoja me zë të lartë.
Në mungesë të nënës shpesh e ndërrove rolin, e shtove dozën e kujdesit e u bëra fëmijë në sytë e tu.
Eh, sa mirë që dijnë të duan baballarët..!
Për çdo hap timin të mirë, merita është e jotja.
Çdo lëshim i imi është rezultat i asaj që nuk kam dëgjuar me vëmendje këshillën tënde.
Ama, ti këshillon si asnjeri tjetër. Pa fjalë e veç me vepër.
O Zot, unë jam e kënaqur me babin tim, lutem shumë që të jesh I kënaqur edhe Ti.
•Marigona Krasniqi•