Përgatiti: Labinot Kunushevci
Në prag të Ditës Botërore të Ushqimit, shkolla fillore ”Hilmi Rakovica” në Prishtinë nuk ishte si shkollat tjera. 14 tetori nuk ishte ditë e rëndomtë dhe simbolike për shkollën, por ishte ditë me një karakter dhe peshë të veçantë, që vetëm organizimi dinamik dhe kreativ i shkollës e bëri të tillë.
Kjo sepse ata realizuan një aktivitet që i dha jehonë, shpirt fisnik dhe human shkollës, ku gatishmëria që secili nxënës të lë gjurmë pozitive ishte e madhe. Altruizmi nuk është vlerë që nxënësit tani vetëm e mësojnë në shkollë, ata e konkretizojnë dhe përjetojnë atë, e kultivojnë si kulturë në nivel shkolle.
Nxënësit të hënën e 14 tetorit erdhën në shkollë me një motiv shtesë, të ndihmojnë ish nxënësen Arbenita Smaili, e cila tani vuan nga tumori në gjuhë, nofull dhe fyt, sëmundje jo vetëm që rëndon shëndetin e Arbenitës por edhe koston e lartë financiare të shërimit. Disa nxënës kishin blerë ushqime të gatshme e disa kishin sjellë gatime nga shtëpitë dhe familjet e tyre të nderuara.
Nxënësit nuk u mjaftuan me empati, me bashkëndjenjën e dhembshurisë dhe me solidaritetin moral, por vendosën që ta sfidojnë vetveten, të bëjnë diçka unike, ta japin kontributin e tyre me ushqime që u shndërruan në mjete financiare, të motivuar nga drejtori i shkollës Skender Halimi, zëvendës drejtoresha Zyla Osmani, si dhe mësueset dhe kujdestarët e klasëve (Parafillor, I-IX), bashkë me arsimtarët e lëndëve.
Siç dëshmojnë edhe fotografitë, interesimi i nxënësve për t’i blerë dhe shitur ushqimet ishte i madh, për vetëm një qëllim: dedikimi i të hollave për shërimin e ish nxënëses Arbenita Smaili, që ndoshta koston e shërimit e lehtëson pak, por për familjen Smaili kjo vlen shumë.
Kur ideja, vullneti dhe qëllimi i mirë bashkohen, në kohën e duhur, në mënyrën e duhur dhe në vendin e duhur, suksesi është i garantuar. Dhe ky entuziazëm në aktivitete të tilla përmirëson sistemin e vlerave të nxënësve dhe krijon një vetëdije të re. E kjo u arritë pas këtij aktiviteti sepse u siguruan gjithsej 1011 euro e 50 cent, që në fund të ditës iu dorëzuan familjes Smaili e cila falenderoi të gjithë kontribuesit.
Por Arbenita vazhdon të ketë nevojë për mbështetje financiare dhe morale, prandaj të gjithë ata që mund t’i kontribuojnë do të ishte mjaft e mirëseardhur dhe e domosdoshme.
/www.familjadheshendeti