Nga Lorela Garuli, psikologe
Voltiza Duro – Shumë fëmijë, veçanërisht ata që jetojnë jashtë vendit përballen me mësimin e dy gjuhëve në të njëjtën kohë, çka mund të shkaktojë edhe konfuzion. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, psikologia Lorela Garuli tregon se në rastet e familjeve emigrante, fëmija mund të fillojë ta mësojë gjuhën e vendit ku jeton që në lindje me një dado ose në çerdhe dhe më vonë në kopsht. Deri afër moshës 5- vjeçare fëmija do ta mësojë këtë gjuhë të dytë në mënyrë intuitive dhe të natyrshme, pa e kuptuar as vetë, sikur të jetë gjuhë nëne. Garuli më tej bën me dije se ka raste që kjo mund të shkaktojë konfuzion dhe bën që fëmijët të flasin një gjuhë hibride, pra në të njëjtën fjali të përfshijnë fjalë nga gjuhë të ndryshme. Ndërkohë, psikologia shpjegon se një fëmijë që flet shumë gjuhë në fëmijëri, i jep mundësi trurit të ushtrohet dhe të ruajë një elasticitet që do ta ndihmojë më vonë në mësimin e gjuhëve të tjera.
Në cilën moshë fëmijët përmirësojnë elementët e komunikimit?
Gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi dhe element i identitetit kombëtar, por mbi të gjitha është tregues i identitetit social, matës direkt i zhvillimit të fëmijës, tregues i kontekstit në të cilin ai jeton dhe një prej parametrave kryesorë të të menduarit dhe zhvillimit kognitiv dhe i socializimit të fëmijës. Konsiderohet se që prej moshës 2 deri në 4 vjeç fëmija përsos shumë elementëve të komunikimit, sepse jo vetëm dëgjon, por ka filluar edhe të flasë e të shprehet. Kjo është një periudhë në të cilën të folurit e fëmijës pëson gjithashtu ndryshime komplekse gramatikore.
Çfarë sjell te vogëlushët mësimi i dy gjuhëve në të njëjtën kohë?
Në rastin e fëmijëve bilingualë, ose thënë ndryshe, të mësuarit e dy gjuhëve deri në moshën parashkollore, natyrisht që kemi të bëjmë me një detyrë komplekse, sepse janë sisteme të ndryshme rregullash dhe struktura të veçanta. Ka raste që kjo mund të shkaktojë konfuzion dhe bën që fëmijët të flasin një gjuhë hibride, pra në të njëjtën fjali të përfshijnë fjalë nga gjuhë të ndryshme. Ky mund të jetë i vetmi efekt negativ, pasi në parim fëmijët janë shumë më të prirur të mësojnë lehtësisht dhe natyrshëm gjuhë të huaja sesa të rriturit. Për më tepër, kur kjo vjen e vullnetshme, pra që fëmija i mëson me dëshirën e vet, është një argument tjetër bindës në favor të asaj që të mësuarit e disa gjuhëve nuk bën gjë tjetër veçse ndihmon dhe aspektet e tjera të zhvillimit kognitiv e mendor të fëmijës. Duke qenë se zotëron disa gjuhë të cilat kanë struktura dhe sisteme të ndryshme shprehjeje, kjo nxit te fëmija edhe një lloj fleksibiliteti mendor, që do ta ndihmojë më vonë në jetë për të qenë dhe më efikas në zgjidhjen e problemeve, sepse ai ekspozohet ndaj mënyrave të ndryshme të të shprehurit dhe të komunikuarit. Të mësuarit e gjuhëve të tjera të huaja në tërësi është pozitive dhe ka shumë benefite prej tyre.
Cila është mosha më e përshtatshme për t’i mësuar fëmijës një gjuhë tjetër?
Kur fëmija rritet në një familje ku prindërit flasin dy gjuhë të ndryshme, atij i duhen folur të dyja gjuhët që nga lindja dhe nuk ka moshë ideale për këtë, sepse ato mësohen njësoj si gjuhë amtare. Ose në rastet e familjeve emigrante, fëmija mund të fillojë ta mësojë gjuhën e vendit ku jeton që në lindje me një dado ose në çerdhe dhe më vonë në kopsht. Deri afër moshës 5- vjeçare fëmija do ta mësojë këtë gjuhë të dytë në mënyrë intuitive dhe të natyrshme, pa e kuptuar as vetë, sikur të jetë gjuhë nëne. Pas moshës 5-6 vjeçare, mësimi i gjuhës bëhet ndryshe. Fëmija e ka mësuar sa duhet gjuhën e parë për t’u shprehur mirë. Atëherë ai do ta mësojë gjuhën e dytë si gjuhë të re të huaj.
Si e mëson fëmija një gjuhë të caktuar?
Riprodhimet e tingujve të parë janë rreth moshës 6 muajshe, “ma”, apo “ba”. Këto gjysma fjalësh të shkëmbyera në familje transformohen në fjalë në moshën 11-13 muajshe (mosha e fjalës së parë). Nga mosha 2- vjeçare, fëmija fillon të formojë fjali dhe në moshën 3-vjeçare shkëmbimi me mjedisin rrethues bëhet më kompleks. Të jesh dygjuhësh do të thotë të kuptosh dhe shprehesh minimalisht në dy gjuhë ose më shumë. Në lindje, fëmija ka aftësi të jashtëzakonshme mësimi; ai është i aftë të dallojë dhe regjistrojë tingujt e ndryshëm të gjuhës së nënës. Megjithatë, rrallë ndodh të zhvillohet një dygjuhësi e ashtuquajtur “e ekuilibruar” me të cilën nënkuptohet një nivel i njëjtë në të dyja gjuhët. Në përgjithësi, është njëra gjuhë që dominon tjetrën. Te fëmijët vetëm në raste të rralla dygjuhësia është e ekuilibruar.
Si ndikon mësimi i më shumë se një gjuhe në fëmijëri?
Nëse flet shumë gjuhë që në fëmijëri, i jep mundësi trurit të ushtrohet dhe të ruajë një elasticitet që do ta ndihmojë më vonë në mësimin e gjuhëve të tjera. Kjo predispozitë i lejon fëmijës të mësojë një gjuhë të tretë (ose të katërt e më shumë) më shpejt dhe në mënyrë më intuitive. Kjo mbase ndikohet nga fakti se jetohet në një familje kur respektohen kulturat e ndryshme dhe kështu, pranohet një gjuhë tjetër, përveç asaj të nënës.
Cilat janë këshillat tuaja për të ndihmuar fëmijët të flasin dy gjuhë?
Fëmijët kanë aftësi të madhe përshtatjeje, megjithatë duhen evituar disa gjëra, nëse qëllimi është që ata të flasin shumë gjuhë. Ja disa këshilla për ta ndihmuar fëmijën të bëhet dygjuhësh: nëse fëmija rritet në një familje ku të dy prindërit kanë kombësi dhe gjuhë amtare të ndryshme, secili le t’i flasë të vetën. Nëse familja jeton në vend të huaj, le t’i flitet fëmijës në shtëpi gjuha e origjinës. Gjuhën e vendit ku jeton, ai do ta mësojë patjetër. Nuk ka asnjë gjuhë e cila është e padobishme apo e cila nuk ia vlen të mësohet.