Nga Lorela Garuli, psikologe
Voltiza Duro – Vizatimi si një instrument matës është i vlefshëm në çdo moshë, por përdorimi i tij në fëmijërinë e hershme është një nga instrumentet më të përdorura, për arsyen e thjeshtë se është një nga aktivitetet kryesore të kësaj grupmoshe krahas lojës. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, psikologia Lorela Garuli tregon mënyrat që të mund të kuptoni fëmijën nëpërmjet vizatimeve që ai realizon. Ajo sqaron me shembuj konkretë domethënien dhe gjendjen emocionale në të cilën ndodhen vogëlushët, bazuar në ngjyrat dhe format që përdorin në vizatimet e tyre.
Çfarë tregojnë pikturat që fëmijët bëjnë për personalitetin e tyre dhe sa mund të kuptosh fëmijën përmes vizatimit?
Vizatimi te fëmijët, ashtu si të gjitha format e tjera të zhvillimit intelektual, shprehet sipas disa stadeve e hapave që janë në përputhje me moshën dhe nivelin mendor të tij. Është një matës shumë i mirë i disa elementëve të zhvillimit: i motorikës, iniciativës, imagjinatës, lirshmërisë, shkathtësisë, mprehtësisë, mënyrës sesi percepton dhe pasqyron botën, i informacioneve që fëmija ka mbi tema të caktuara, kontekstit social, kulturor dhe ekonomik të tij. Qëllimi kryesor i të vizatuarit nga fëmija brenda një konteksti shkollor ose terapeutik është pa dyshim vlerësues. Vlerësues në mbledhjen e informacioneve dhe të të dhënave lidhur me fëmijën, informacione që vështirësisht mund të merren në rrugë të tjera si në punën me të rriturit. Sigurisht që për nga natyra e tyre, me fëmijët është e vështirë, thuajse e pamundur të zhvillohen intervista, t’u drejtohen pyetje me synim marrjen e përgjigjeve, që do të thotë se mënyra e vetme për të ndërtuar marrëdhënien terapeutike do të jetë në rrugë joverbale, konkretisht nëpërmjet vizatimit dhe lojës. Për më tepër, informacioni që vjen në rrugë joverbale është më afër së vërtetës, duke qenë se te fjalët individi ka një nivel më të lartë kontrolli dhe manipulimi. Fakti që vizatimi si shprehje grafike bën pjesë te komunikimi joverbal, i shton vlefshmërinë e përdorimit edhe në kontekste terapeutike me fëmijën, si rrjedhojë e thellësisë së informacionit që ky i fundit sjell.
Në çfarë moshe mund të analizohen vizatimet e fëmijëve?
Vizatimet mund të konsiderohen si një burim domethënës informacioni mbi personalitetin e fëmijëve që prej çasteve të para kur këta të fundit nisin të vizatojnë. Fëmija do të nisë të vizatojë vija dhe harqe, sa për t’u ushtruar, që nuk kanë kuptime të veçanta emocionale për të, por janë pjesë të formave konkrete të asaj që ai sheh përreth. Më tej do të vizatojë objekte, veten, njerëz, personazhe jo vetëm ashtu siç ata janë në të vërtetë, por mbi të gjitha ashtu si ai i sheh, vizatime pra që pasi përpunohen nga ndërgjegjja dhe sytë e tij, do të vijnë shumë origjinalë.
A kanë rëndësi ngjyrat që përdorin në vizatime vogëlushët?
Nëse do të vlerësonim në bazë të ngjyrave të cilat përdor më shumë fëmija, do të kuptonim disa veçori të caktuara. E verdha do të shprehë sipërfaqësi, dinamizëm, lëvizje, liri, ekstraversion, kureshtje. Bluja qetësi, ngurrim, një ftohtësi në nivel emotiv. E kuqja më shumë se çdo ngjyrë tjetër është shprehëse e gjallërisë, lëvizjes, pasionit, emocionit, kurajës, deri agresivitetit, që sipas kontekstit mund të jetë tregues i një mungese kontrolli, dhune e shpërthime inati. Vizaton me ngjyra të errëta kur ndjen dhimbje, zemërim, trishtim. Këto janë vetëm disa shembuj në morinë e shprehjeve grafike të fëmijëve, që nëpërmjet vizatimit flasin për botën e tyre shpirtërore dhe mendore.
Cilat mund të vlerësohen disa prej vizatimeve që shprehin më së miri botën e fëmijëve?
Më konkretisht, ka disa vizatime që fëmijët mund të bëjnë dhe mbartin një simbolikë të caktuar. Një ndër kryesorët është vizatimi i pemës. Të vizatosh pemën do të thotë të bësh një lloj autoportreti. Nis me rrënjët që përfaqësojnë mënyrën sesi i përqasemi mjedisit tonë, vazhdon me trungun si baza dhe pjesa më e qëndrueshme e personalitetit, duke përfunduar me kurorën e degët e pemës, që janë si një “çati”. Nëse do të paralelizohej me trupin njerëzor, do të simbolizonte kokën, pra të menduarit racional. Rrënjë të thella shprehin lidhje të fortë me nënën, prania e frutave dhe luleve ka të bëjë me shprehi të mira sociale dhe prani potencialesh, me gjethe që bien shpreh boshllëk emocional e me radhë. Vizatime të tjera të rëndësishme janë: figura njerëzore, shtëpia dhe familja. Fëmija e vizaton veten të madh apo të vogël në fletë, në varësi dhe të rolit që ai ka në familje. Zgjedh të vizatojë më të madh personazhin që do më shumë apo që ka më ndikim në jetën e tij. Vizaton një shtëpi të madhe me shumë dyer e dritare kur jeton një familje që i siguron afeksion e dashuri. E bën veten të vogël kur ndihet i parëndësishëm. Vizaton një çati të madhe kur është shumë ëndërrimtar e kështu me radhë.
Cilët janë elementët që tregojnë që fëmija mund të ketë çrregullime?
Përtej të kuptuarit të elementëve të ndryshëm të personalitetit, karakterit, temperamentit, sesi fëmijët shohin marrëdhëniet sociale, si e konceptojnë familjen dhe veten, nëpërmjet vizatimeve mund të kuptojmë dhe aftësitë e veçanta apo talentet. Fëmijë që vizatojnë të njëjtën gjë në mënyrë të përsëritur, vizatime ku mungon harmonia, forma, rregulli, kufijtë, vizatime që paraqesin figura të çuditshme abstrakte janë karakteristike për fëmijë me nevoja të veçanta apo çrregullime të zhvillimit. Në të kundërt, vizatime e piktura shumë të sofistikuara, me një thellësi shprehjeje e mendimi, me një gjuhë simbolike të pasur, me një kombinim estetik e artistik të ngjyrave dhe detajeve do të na japin të dhëna për fëmijë, të cilët vizatimin e kanë talent që mund ta zhvillojnë më vonë dhe si profesion.
Si e vlerësoni komunikimin prind-fëmijë në ditët e sotme?
Marrëdhënia prind-fëmijë është ndër marrëdhëniet themelore, që përcakton shumë aspekte të identitetit tonë dhe fatin e shumë marrëdhënieve më vonë në jetë. Për pasojë, përtej durimit, prindërit duhet në radhë të parë të komunikojnë sa më shumë me fëmijët. Komunikimi është shtylla kurrizore e çdo marrëdhënieje njerëzore, ndaj fëmijët duhen dëgjuar, respektuar dhe lënë të lirë të zhvillojnë të gjitha potencialet e veta si të ishin të rritur./Gazeta Shqiptare