Si të mbrohemi nga ajri i ndotur ?

Dr.Ismail Lutolli spec.Pediater
subspecialist Dijetolog-Nutricionist

Si të ushqehemi për tu mbrojtur ?
A rrezikojnë për sëmundje kanceroze fëmijët e ekspozuar ?
Si ndikon të fëmijët dhe gratë shtatzëna ndotja e ajrit ?
Cilat janë këshillat dijetologjike që duhet aplikuar të gjithë ne ?

Cilësia e ajrit, në shumicën e qyteteve dhe në veqanti në kryeqytet, ka arritur në një nivel alarmues. Ndotja e ajrit, vazhdon të dëmtojë shëndetin e përgjithshëm të banorëve, e në veqanti të fëmijëve dhe të moshuarve, si kategori më të ndjeshme, me ç’rast pasojat do të jenë të dukshme.

Efektet e ndotjes së madhe të ajrit që janë prezente këto ditë, mund të manifestohen në mënyrë akute dhe kronike.

1. Efektet akute të pasojave të shkaktuara nga ndotja e ajrit mund të jenë :

• ftohje e lehte ;
• inflamacion ;
• infeksion i syve me shenja karakteristike si : sytë e skuqur dhe të përlotur ;
• bronkit akut me vështërsi të theksuara në frymëmarrje ;

2.Efektet kronike nga ndotja e ajrit mund të jenë :

• shenjat klinike të një bronkiti të avansuar ;
• nëse prezenca e ajrit të ndotur është për një kohë më të gjatë dhe organizmi është i senzibilizuar, mund të kemi dëmtime të traktit respirator, të cilat mund të çojnë në astmë ;
• dëmtime te sistemit imunitar, duke shkaktuar reaksione të ndryshme, mes tyre edhe alergji të theksuara ;
• probleme kardiovaskulare në drejtim të hipertensionit dhe sëmundjeve të zemrës(tek mosha e tretë është më e shprehur ) ;
• efektet indirekte mund të jetë në drejtim të shfaqjes së anemisë tek fëmijët ;
• pasojat afatgjate më të rralla mund të çojnë në kancer të mushkërive ;
• tek rastet kronike pasojat mund ti vërejmë edhe pas shumë vitesh ekspozimi ndaj grimcave të dëmshme në ajrin e ndotur.

Ajri i ndotur gjatë shtatzanisë, rritë rrezikun e defekteve gjenetike tek i porsalinduri.

Ekspozimi i rritur në smogun urban dhe në ndotjen e këtyre ditëve, gjatë shtatzënisë së hershme mund të rrisë rrezikun e defekteve të caktuara të zemrës tek foshnjat e porsalindura.
Nëse nëna i përket grupit të grave shtatzëna, që janë të ekspozuara ndaj përqendrimeve më të larta të monoksidit të karbonit në ajër, ekziston rreziku potencial për anomalitë fetale kardiake, kur ka komunikim më të ulët ose më të lartë në mes të dhomave të zemrës, shfaqjen e defekteve të aortës, arteries pulmonare dhe valvulave të zemrës.
Rreziku është shumë më i madh në ekspozimin gjatë dy mujorit të parë të shtatzanisë, e cila konsiderohet një kohë kritike për migrimin normal dhe diferencimin e qelizave nervore, ose të zhvillimit kardiak.

Ajri i ndotur është rrezik potencial për lindje të parakoshme dhe fëmijë me nënpeshë

Ndotja e ajrit ka një efekt direkt mbi nënat shtatzëna. Studime të kryera ndër vite , kanë treguar se gratë shtatzëna janë të ekspozuara për një kohë më të gjatë ndaj ajrit të ndotur, kanë mundësi shumë më të mëdha të lindin fëmijë me peshë më të vogël sesa normalja, e në disa raste ky ekspozim ndikon edhe në lindje të parakoshme.

Ajri i ndotur është rrezik potencial për fillimin e proceseve te semundjeve kanceroze

Si të mbrohemi nga ajri i ndotur :

A. Këshilla praktike :

• Fëmijët duhet të kufizojnë në maksimum lëvizjet jashtë sidomos në kohën kur smogu të jetë i pranishëm ;
• Në qoftëse fëmijët duhet të largohen nga shtëpia, është e këshillueshme që patjetër të mbajnë maska mbrojtëse apo shallë mbi sistemin e frymëmarrjes ;
• Gratë shtatzëna, janë gjithashtu pjesë e grupeve të rrezikut, është e këshillueshme që të bëjnë sa më pak lëvizje dhe sa më pak që të jetë e mundur të qëndrojnë në këtë ajër, që është i ndotur dhe jashtëzakonisht i rrezikshëm ;
• Të qëndrohet në vende malore kur është e mundur së paku gjatë fundjavës ;

B. Këshilla dijetologjike :

Ushqimi dijetologjik adekuat luan një rol shumë të rëndësishëm gjatë tërë këtij procesi, qoftë të pastrimit të mushkërive apo edhe të organizmit në përgjithësi nga toksinat e marra nga ajri i ndotur. Ndiqni këshillat në vazhdim :

1. Gjatë këtyre ditëve të merrni sa më shumë ushqime të pasura me minerale dhe vitamina, të përdoren rregullisht ushqime dijetologjike si : antioksidantët, pemët, perime (në veqanti mollat, brokoli, karfioli, karrota dhe lakra).
2. Marrja e lëngjeve në sasi më të madhe (ujë, qajrat e mëposhtme dhe lengje frytash ).
3. Hudhër, qepë, mjaltë (për fëmijët mbi 1 vjeç ).
4. Lëng boronice, lëng portokalli në sasi më të mëdha.
5. Vitaminë C në sasi të shtuara (në frutat dhe zarzavatet, veçanërisht në frutat e freskëta si : portokalli, mandarina, pjepër, banane, pjeshkë, domate dhe speca. Në perime gjendet në ato me gjethe jeshile si: spinaqi, lakra, lulelakra dhe brokoli)
6. Çaji i xhenxhefilit
Çaji i xhenxhefilitështë një detergjent i shkëlqyer për pastrimin e mushkërive nga substanca toksike të ndryshme, prandaj rekomandohet përdorimi i tij. Për përgatitjen e çajit, xhenxhefili në formë pluhuri është mjaft i përshtatshëm. Është gjithashtu e mundur të përdoret i freskët, atëherë është e dëshirueshme të hani një copë xhenxhefil të freskët me çaj ose gjatë një vakti ushqimor.

7. Çaj nga hithrat
Dihet se hithi është një mjet efektiv natyral për pastrimin e gjakut dhe një burim i mirë hekuri, por gjithashtu çaji nga hithrat pastron mushkëritë në mënyrë të shkëlqyer. Në rastet me ndotje të ajrit është një zgjidhje shumë e mirë përdorimi i këtij çaji.
8. Inhalim me tretje fiziologjike tek fëmijët më të vegjël. Mund të bëhet 1 deri 2 herë në ditë. Është i pëlqyer në veqanti tek fëmijët e vegjël, të cilët nuk e nxjerrin dot sekretin e mbledhur.
9. Frymarrja më e thellë
Ushtrimet për një frymëmarrje më të thellë, ndikojnë direkt në pastrimin e mushkërive dhe oksigjenimin më të mirë të tërë organizmit. Ushtrimet nga 30 min në ditë, rrisin ndjeshëm përmisimin e gjendjes së përgjithshme tek fëmijët dhe të rriturit e ekspozuar ndaj ajrit të ndotur.
10. Gjërat që duhet shmangur :
– Ushqimet e yndyrshme, pasiqë rrisin prodhimin e mukusit në mushkëri dhe bllokojnë rrugët e frymëmarrjes ;
– ëmbëlsirat ;
– pijet e gazuara (në vend të tyre pini sa më shumë ujë dhe lengje te shtrydhura nga frutat). /Familjadheshendeti.com