Si të mbroheni nga njerëzit negativë?

Nga Dr. Valbona Hysenaj Miftari

Specializante e vitit te gjashtë dhe të fundit të psikiatrisë dhe psikoterapisë në Zvicër.

Ky shkrim ka për qëllim t’iu servojë disa këshilla në dukje të parë të thjeshta por që iu ndihmojnë për të marrë kontrollin mbi jetën tuaj duke i mësuar tiparet e njerëzve negativë.

Vetëm atëherë kur t’keni arritur t’i identifikoni shpejt personat negativë si dhe kur të arrini për t’i shmangur ata në mënyrë të qetë, do t’ia dilni të qëndroni vetë pozitiv.

Të gjithëve iu ka ndodhur shpesh herë që të jeni në humor të mirë dhe papritmas të ndjeheni sikur dikush ua vodhi energjinë pozitive dhe disponimin tuaj. Me siguri mund të keni takuar dikë që ka një art të vështirë komunikimi dhe i cili ua ka mjegulluar gjendjen tuaj shpirtërore.

Ne të gjithë kemi ditët tona të këqija, mirëpo tek disa njerëz errësira negative megjithatë mund të jetë e përhershme.

Në qoftë se dikush më shumë se disa ditë në javë është i tillë atëherë është fjala për një lloj toksik (helmues) të personalitetit.
Të tillët janë cinikët, kritikët e përhershëm, intrigantët, ata të cilët gjithmonë kanë botëkuptime negative ndaj të tjerëve, ata që pretendojnë gjithmonë t’i nënçmojnë të tjerët etj.
Prapa këtyre vetive fshihen padyshim çrregullime të personalitetit.

Nëse ju keni një qëndrim miqësor ndaj njerëzve dhe krejtësisht perceptim tjetër nga ta, kjo do t’ua bëjë më të vështirë njohjen e menjëhershme të njerëzve toksikë në jetën tuaj. Sepse ju niseni nga vetvetja. Por në qoftë se ju njëherë e përgjithmonë mësoni se si të njihni ata, atëherë ju mund t’i identifikoni shumë më lehtë pretendimet negative të tyre.

Zemërimi i shpeshtë, të folurit për të tjerët pas shpine dhe të kritikuarit e përhershëm janë karakteristikat kryesore të një personaliteti toksik. Njerëzit e tillë kolerikë ndonjëherë kanë nevojë për shumë ndihmë, por nuk është roli juaj të bëheni kurban i tyre, sepse në kontakt të vazhdueshëm me ta, ju do të tërhiqeni patjetër në spiralen e negativitetit. Mos e lejoni këtë!

Ju ka rastisur me siguri të keni në rrethin tuaj njerëz që e shohin vetëm anën e errët tek secili e tek çdo gjë. Ata tipa me dashje apo pa dashje tentojnë të të tërheqin edhe ty në trishtimin e tyre. Ata i shohin gabimet e të tjerëve sikur akte të pafalshme dhe e kanë të vështirë që t’i akceptojnë ato. Këta njerëz me kalimin e kohës flasin me “kënaqësi” dhe “mburrje” për trishtimin e tyre. Kjo mënyrë e jetës iu bëhet ushqim shpirti.

Kujdes njerëzit që merren me thashetheme, ata janë të mbushur përplot zili. Nganjëherë mund të duken thashethemet “interesante” dhe t’iu bëjnë kurioz mirëpo nëse ua bëni vetë “hyzmetin” do t’a keni të vështirë për t’u shmangur nga to dhe nga njerëzit e tillë. Thashethemet janë bazamenti i zhgënjimit dhe dështimit. Me një fjalë vetëm e keni fëlliqur veten tuaj dhe e keni dërguar në moçalin e turpit.

  • Paramendoni njerëzit përreth jush dhe analizoni kriteret e sipërpërmendura.
  • Bëjeni një listë të personave toksikë në jetën tuaj duke filluar nga anëtarët e familjes, shoqëria, kolegët e punës, fqinjët etj.
  • Mundohuni që njerëzit t’i akceptoni ashtu siç janë. Personat toksikë janë vërtet helmues për ju vetëm në qoftë se ushtrojnë ndikim negativ në ju. Ju mund të rrini me persona negativë, kjo nuk do të thotë që edhe ju vetë jeni negativ ose që me ju diçka nuk është në rregull. Pranoj ata ashtu siç janë por mos lejo të ndikohesh nga ata.
  • Ndjeni mëshirë për ta. Nëse ata p.sh. flasin vetëm versionet e tyre negative, ndihmoni ata për të parë mundësitë dhe jo vetëm disavantazhet pafund.
  • Mos u mundoni për t’i ndryshuar njerëzit. Mos harroni se kjo është e vështirë madje thuajse e pamundur, ju mund të ndryshoni vështirë një person tjetër, por veten tuaj po.
    Prandaj ju nuk duhet ta shkatërroni veten duke menduar se ju jeni përgjegjës për ti ndryshuar/ përmirësuar ata. Ju mundeni vetëm vetveten ta mbroni nga negativiteti i tyre. Ata e kanë “shpëtimin” vetëm tek psikoterapeutët me përvojë.
  • Mëso të bëhesh “shurdhmemec”. Nëse nuk u pëlqen ajo që dikush thotë, mundohuni të nxirrni vetëm pjesët pozitive dhe konstruktive të bisedës. Nëse bashkëbiseduesi juaj nuk pushon së foluri keq, qëndroni të qetë…me heshtjen tuaj ai/ ajo do ta kuptojë në këtë mënyrë që ju nuk dëshironi për të folur për këto çështje.
  • Nëse e shihni që mund të keni ndikim i thuani që nuk ndjeheni mirë me biseda të tilla.
  • Ndrysho temën e bisedës. Pasi që këta persona tentojnë çdo herë për ta kthyer bisedën në negative, ju duhet të gjeni diçka të re për të biseduar.
  • Përqëndrohuni në gjetjen e një zgjidhje për problemin dhe për ti parë gjërat pozitivisht.
  • Nëse personi është i zemëruar shumë, atëherë lëre vetëm dhe jepi hapësirë ​​për t’u qetësuar.
  • Nëse e keni të vështirë për t’u marrë me negativitetin e këtyre njerëzve, atëherë ndoshta është koha për të reduktuar këto ndërveprime në mënyrë të prerë. Pra kur nuk mund të ndryshoni mënyrën se si njerëzit sillen, mund të tërhiqeni vetë.
  • Nëse ju e inicioni ndarjen me këtë persona shikoni se ç’po ndodh në vijim. Nëse ai person nuk kontakton me ju, do të kuptoni se lidhja nuk ishte e rëndësishme për të që nga fillimi.
  • Nëse ai/ ajo iu pyet se çka nuk është në rregull, atëherë duhet të jeni të sinqertë me të. Thuaj:
    Nuk më pëlqen se si ndihem më pas.
  • Në çoftë se dikush me negativitetin e tij/ e saj me të vërtetë e komprometon shëndetin tuaj mendor duhet përfunduar interakcionin me të.
  • Filloni të mendoni për nevojat dhe dëshirat tuaja, për atë që është më e rëndësishme për ju, se çfarë doni nga jeta, se ku e shihni veten në të ardhmen.
  • Shkruaj planet tuaja afatshkurtra dhe afatgjata në një fletë. Vareni atë në një vend ku çdo ditë do ta shihni. Kjo do t’ju ndihmojë shumë që ta arrini cakun e dëshiruar. Shumë njerëz kalojnë jetën duke thënë: “Prindërit e mi donin që unë të bëhem kështu, kështu që unë e bëra kështu ose “Burri im ka kërkuar këtë, kështu që neve na ndodhi kjo”.

A thua jeta juaj është vendosur nga dikush tjetër? A është zgjedhje të jetoni me pasojat? Ju dhe vetëm ju jeni timonieri i jetës suaj. Mos t’ ju shërbejnë njerëzit tjerë dhe preferencat e tyre si një justifikim. Për të thënë: “Unë do të isha i/e lumtur nëse ……. është vetëm një mënyrë tjetër për të thënë, është vërtet vetëm një justifikim. Është e vërtetë se ndonjëherë ju duhet të bëni kompromis por kompromisi i tillë nuk e udhëheq jetën tuaj.

  • Rrini me njerëzit të cilët mund t’u ndihmojnë për të zhvilluar një trup dhe mëndje të shëndoshë.
  • Gjej njerëz të cilët janë optimistë, me humor të mirë dhe të lumtur. Sa më shumë kohë që ju kaloni me njerëzit e tillë aq më të lumtur ju do ta ndjeni veten.
  • Nëse është e nevojshme, ndërrojeni edhe vendin e punës në qoftë se jeni të rrethuar nga njerëz negativë.
  • Fillojeni një kapitull të ri me njerëzit që iu ngrisin dhe jo me ata që ju tërheqin teposhtë.
  • Merrni shembuj frymëzues nga njerëzit pozitivë në jetën tuaj në mënyrë që edhe ju të ndiqni rrugën e tyre.
  • Qëndroni optimistë, jepni komplimente kur dikush meriton, mbajeni kontaktin me sy dashamirësie dhe buzëqeshje.
  • Gjeni çdo ditë një shkak për të cilin ju jeni mirënjohës. Falënderojuni Zotit për të mirat që ai u ka dhuruar.
  • Kërkoni të mirat e jetës, të mirat në ju…mos i lejoni njerëzit negativë të abuzojnë me ndjenjat tuaja./FamiljadheShëndeti