Empatia është një aftësi që shumica e njerëzve përpiqen të kenë, por të cilën shumë pak njerëz e zotërojnë.
Çfarë është empatia?
Shumë njerëz nuk dinë të bëjnë dallim midis simpatisë dhe empatisë apo ndjeshmërisë. Empatia nuk është vetëm aftësia për të kuptuar ndjenjat e dikujt. Kriminelët shpesh mashtrojnë njerëzit ashtu që krijojmë besim te ta duke i kuptuar ndjenjat e tyre. Empatia është shumë më tepër se kaq. Përveç aftësisë për të kuptuar ndjenjat e dikujt, empatia është edhe aftësia për të respektuar dhe vlerësuar këto ndjenja. Kjo do të thotë që t’i trajtojmë njerëzit e tjerë me dashamirësi, respekt dhe mirëkuptim.
Si mund të zhvillojmë ndjeshmërinë te fëmijët?
Fëmijët kanë nevojë për një model të sjelljes
Ndërsa disa fëmijë janë empatikë për nga natyra, fëmijë të tjerë duhet ta mësojnë këtë aftësi duke shikuar të rriturit. Rëndësi të madhe luan edhe cilësia e marrëdhënieve që fëmijët kanë me prindërit e tyre. Prindërit që tregojnë interes për fëmijët dhe kur i përgjigjen pozitivisht dhe me kujdes momenteve të tyre emocionale, u mësojnë fëmijëve ndjeshmërinë.
Njihuni me nevojat e tyre emocionale
Nëse fëmija juaj po kalon një kohë të vështirë në jetë ose ndodhet në ndonjë situatë të rëndë, ju duhet të jeni aty për të. Çfarë arrini përmes kësaj sjelljeje? Në këtë mënyrë, ju mësoni fëmiun tuaj që t’u dalë në ndihmë të tjerëve në të ardhmen kur ata të ndodhen në një situatë të vështirë.
Bisedoni me fëmijët rreth ndjenjave
Shumë prindër e kanë të vështirë të flasin me fëmijët e tyre për nevojat e tyre emocionale dhe e shmangin këtë temë me shkathtësi. Ata nuk dinë si të përballojnë ndjenjat e të tjerëve dhe ndihen në siklet në çdo situatë që kërkon prej tyre një reagim emocional. Ata shpesh janë të frikësuar edhe nga vetë ndjenjat e tyre, sepse nuk dinë si të ballafaqohen me to.
Është mirë të flisni me fëmijët edhe për emocionet. Emërtoni emocionet e tyre dhe tregoni atyre se ajo çfarë po përjetojnë ata është krejt normale. Mësoni ata që të ballafaqohen me emocione në mënyrë pozitive dhe tregoni atyre kur dikush nga rrethi shpreh emocionet. Tregoni atyre se si të sillen në situata ku nevojitet reagimi i tyre emocional dhe si t’i respektojnë ndjenjat e të tjerëve.
Ushtroni empatinë në ngjarjet e jetës reale
Nuk ka mënyrë më të mirë për të mësuar ndjeshmërinë e fëmijës sesa përmes shembujve nga jeta e përditshme. Përfitoni nga një situatë që ndikon negativisht te një person i caktuar dhe pyesni fëmijën se çfarë mendon për ndjenjat e personit dhe se si ndikon ajo te ai dhe te personat e tjerë të përfshirë në atë situatë. Për shembull, nëse shihni një ambulancë e cila po lëviz me shpejtësi të madhe për në spital, pyeteni fëmijën tuaj se çfarë po ndiejnë në këto momente prindërit e personit të sëmurë.
Luani lojëra
Fëmijët e vegjël duan të pretendojnë të jenë dikush tjetër, dhe ju mund ta përdorni këtë për ta ushtruar ndjeshmërinë. Jepni fëmijës një detyrë që të marrë rolin e një karakteri nga një film, nga TV ose nga ndonjë person që njihni, i cili kohët e fundit ka kaluar nëpër një periudhë të vështirë. Edhe ju mund të merrni një rol gjithashtu. Herë pas here bëni pauzë dhe pyeteni fëmijën tuaj se çfarë mendon se si po ndihet personi, rolin e të cilit po luan ai në në situata të caktuara. Kjo do ta përqendrojë vëmendjen e tyre në ndjenjat e mundshme të atij personi, kurse ju mund t’i kërkoni fëmijës të bëjë grimasa që janë në përputhje me këto emocione.
Zhvilloni te fëmijët tuaj një busull morale
Nëse e mësoni fëmijën tuaj që nga fëmijëria të dallojë të mirën nga e keqja, mësojeni gjithashtu të zhvillojë vlera të mira morale të cilat do ta ndihmojnë atë të bëjë zgjedhje të mira në të ardhmen. Në një situatë vendimmarrëse, tregoni se si ndikojnë vendimet dhe zgjedhjet tona tek të tjerët. Tregoni atyre se si disa vendime mund të dëmtojnë njerëzit nga mjedisi i tyre. Bisedoni me fëmijët tuaj se si disa gjëra, si vënia e nofkave të këqija vëllezërve ose motrave ose nxjerrja e vëllait ose motrës nga dhoma kur ju vije shoqëria, i lëndon ata.
Fëmijë empatikët – të rritur zemërmirë
Kur ua mësoni fëmijës suaj ndjeshmërinë, ju i keni dhënë atij një dhuratë të madhe dhe kjo është aftësia për të dhënë/dhuruar. Në botën në të cilën gjëja më e rëndësishmja është përmbushja e nevojave të tyre, njerëzit vetëmohues janë të rrallë. Këta janë njerëzit që dinë të gëzojnë jetën, të jetojnë një jetë më të kënaqshme dhe të kenë marrëdhënie të qëndrueshme./FamiljadheShëndeti
Përshtati: Jeton Zenuni