Nga Kaltrina Lohaj – Logopede
A jemi ne si prindër në atë drejtim ku duhet të jemi për t’u qasur në mënyrë adekuate me fëmijën i cili belbëzon?
Cilët janë faktorët që kanë ndikuar në të folurin e fëmijës tim?
A është e udhës të shoh nëse fëmija shërohet vet derisa të rritet?
Nëse fëmija im ka vetë respekt dhe vetëbesim të ulët çfarë të veproj?
Këto janë vetëm disa pyetje që shumë prindër ia drejtojnë vetës dhe të tjerëve për fëmijën e tyre.
Belbëzimi është çrregullim i rrjedhshmërisë që karakterizohet nga sjellje të ndryshme që ndër veprojnë me rrjedhën e mëtejme të të folurit.
Ky problem zakonisht shfaqet në fazën e zhvillimit të të folurit (në moshën 3-5 vjeç).
Faktorët që mund ndikojnë në shfaqjen e belbëzimit janë të shumtë dhe të ndryshëm si: dëmtim organik, rrethi familjar dhe ai shoqëror, të folurit keq në familje, marrja e medikamenteve pa kontroll, tronditje, stresi, faktorë gjenetik gjithashtu disa shkencëtarë janë të mendimit se belbëzimi shkaktohet nga të kufizuarit e tepruar apo si pasojë e kërkesave tejet të mëdha të prindërve ndaj fëmijëve të tyre.
Mjedisi luan një rol shumë të rëndësishëm në përcaktimin se si fëmijët të cilët belbëzojnë mendojnë për veten e tyre dhe se si të folurit e tyre do të ndikohet nga situata të caktuara.
Sasia e belbëzimit që dëgjohet në të folurit e fëmijës dallon sipas situatave dhe sipas bashkëbiseduesit.
Psh., një fëmijë mund të mos belbëzojë fare kur flet me një shok por do të belbëzojë më shumë kur lexon me zë në klasë.
Edhe pse roli i prindit dhe i mësuesit është shumë i rëndësishëm në edukimin e fëmijës, ata nuk janë mjaftueshëm të vetëdijshëm se se si besimet apo qëndrimet e belbëzimit mund të ndikojnë në mënyrë të konsiderueshme tek fëmijët. Gjithashtu në përformancën dhe menaxhimin e tij përpara të tjerëve, pasi studimet tregojnë se nxënësit e moshave shkollore që belbëzojnë do të kenë gjasa më të larta të eksperiencave jo të mira apo përvojave negative.
Sot ekzistojnë terapi për të folurit që të përmirësojnë rrjedhshmërinë. Disa teknika u mësojnë si të shtendosin nofullën e poshtme, buzët, gjuhën dhe të marrin frymë duke përdorur diafragmën. Fëmijët mund të ushtrohen me shkronjat e para të fjalëve, duke bërë frymëmarrje të lehta me diafragmë dhe duke e çliruar ajrin pak nga pak ndërsa fillojnë të flasin. Ata këshillohen të zgjasin zanoret dhe disa bashkëtingëllore. Dalëngadalë shpejtësia e të folurit përmirësohet bashkë me rrjedhshmërinë.
Shifrat tregojnë se më pak se 20 % e fëmijëve që belbëzojnë për pesë vjet, shërohen vetë. Kur shkon gati gjashtë vjeç, fëmija mund të mos shërohet pa ndihmën e terapisë.
Të jesh nxënës i cili belbëzon mund të ketë një ndikim të përhershëm negativ social, akademik dhe emocional, për këtë arsye, është me rëndësi jetike konsultimi me logopedin në fillimet e këtij problemi, sepse sa më shumë kohë të kalojë aq më shumë fëmija do të jetë viktimë e “dhunës” psikologjike, humbje të vetë-respektit dhe vetë-besimit që është problemi kryesor për ata që belbëzojnë, për shkak se në moshën shkollore është një kohë kur fillon “përshtatshmëria” në marrëdhëniet me bashkëmoshatarët, andaj nuk është për t’u habitur që belbëzimi mund të ketë ndikim negativ në jetën e adoleshentëve në aspektin social.
Si ta ndihmosh atë që belbëzon?
Kurrë mos i kërkoni fëmijës që të flasë para njerëzve, përveç nëse ai vetë këtë e dëshiron.
Kurrë mos e përqeshni, imitoni apo krahasoni me fëmijë tjerë.
Kurrë mos i kërkoni fëmijës që ta ndërpresë të folurit e tij dhe ta përsërisë atë pjesë për shkak të vështirësive.
Lejoni fëmijën që të përfundojë fjalinë deri në fund, mos ia plotësoni fjalët dhe mos i përsëritni fjalët e tija. Në vend që t’i thuash të flasë ngadalë, lër shembullin duke folur ti vetë ngadalë. Dëgjo me durim. Bëj një pauzë para se të përgjigjesh.
Gjatë komunikimit mbajeni vëmendjen dhe kontaktin me sy tek fëmija, duke mos ndryshuar mimikat e juaja të fytyrës, në këtë mënyrë ai do të jetë më i qetë dhe do të ketë një siguri në vetvete.
Fëmijët gjatë moshave të hershme, nuk janë të vetëdijshëm që të folurit e tyre devijon nga të folurit e moshatarëve dhe të rrethit dhe në këtë mënyrë ata mund ta zotërojnë më lehtë të folurin andaj mos i flisni për ndryshime në të folur, nëse fëmija nuk është gati apo nuk ua kërkon vet ketë.
Me ndjeshmëri apo të kuptuar prindërit, rrethi apo mësuesi, mund të reduktojnë stresin e komunikimit, duke ndihmuar fëmijët të cilët belbëzojnë të pranojnë veten e tyre si anëtarë të vlefshëm të rrethit, të japin besim dhe sukses në situata kur ata flasin.
Mbi te gjitha bëja te qartë se e pranon ashtu siç është./Familjadheshendeti