Nga: Mr. Ph Laureta Berisha Kosumi – Farmaciste
Dhimbjet menstruale paraqiten në pjesën e poshtme të barkut tek gratë me fillimin e periudhës së tyre menstruale apo disa ditë më parë, dhe mund të vazhdojnë për 2 deri në 3 ditë. Simptomat mund të jenë nga shqetësime të lehta deri në dhimbje të forta, të cilat ndërhyjnë në aktivitetet normale gjatë këtyre ditëve.
- Simptomat e dhimbjes menstruale
Përveç ngërçeve në pjesën e poshtme të barkut, një grua mund të përjetojë edhe këto simptoma si:
• Dhimbje në shpinë
• Dhimbje në këmbë (sidomos në kyqe)
• Dhimbje koke
• Nervozizëm
• Të përziera
• Të vjella
• Diarre
• Dobësi e muskujve
- Cilat barna mund të përdoren për lehtësimin e dhimbjeve menstruale?
Për lehtësimin e përkohshëm të dhimbjeve menstruale mund të përdoren barna siç janë: Acetaminofeni (paracetamoli), barnat anit- inflamatore jo steroide (NSAID-s) dhe Aspirina.
Mënyra më e mirë për të lehtësuar dhimbjet e menstruacioneve është përdorimi i barnave anti-inflamatore jo steroide (NSAID) të tilla si:
• Ibuprofeni
• Ketoprofeni dhe
• Naproxeni
Acetaminofen (Paracetamol) si i vetëm nuk ka ndikim aq të theksuar tek dhimbjet menstruale, mirëpo në kombinime të tilla p.sh 500 mg paracetamol plus 65 mg kafeinë janë shumë efektive në ndalimin e dhimbjeve të tilla.
Poashtu mund të përdoret në kombinim me ibuprofenin (Emër i mbrojtur: Dolofix menstrual).
Këto barna mund të mirren para fillimit të menstruacioneve dhe mund të vazhdohet me to për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
Nëse njëra nga to nuk vepron sa duhet te ju, provojeni tjetrën ngaqë asnjë bar nuk vepron njejtë në organizma të ndryshëm.
Barnat anti-inflamatore jo steroide janë të prirura të shkakojnë dhimbje lukthi, prandaj më e mira është të mirren gjatë ushqimit ose mënjeherë pas ushqimit, në këtë mënyrë acarimet në lukth (stomak) mund të jenë më të vogla. Ju këshilloj që të zgjidhni format farmaceutike në formë kapsulash (Ibutop fast) apo supozitorësh, të cilat ofrojnë siguri të plotë me përdorimin e tyre.
Poashtu, nëse keni probleme me veshkat apo ulçerë në lukth, duhet të konsultoni mjekun para marrjes së tyre.
Aspirina ka një efekt të kufizuar në kontrollin e prodhimit të prostaglandinës dhe është i dobishëm vetëm për dhimbje të buta. Për dhimbje të buta të menstruacioneve, barnat anti-inflamatore jostoidale (NSAID-s) janë më efektive sesa aspirina në parandalimin e krijimit dhe aktivitetit të kësaj prostaglandine.
Prostaglandinat janë substanca kimike që krjohen në përgjigje ndaj lëndimeve dhe sëmundjeve të caktuara, te cilat shkaktojnë dhimbje, ënjtje dhe inflamacion.
- Si ti trajtojmë dhimbjet menstruale në mënyrë natyrale?
Në rast se nuk mund të përdorni barna anti- inflamatore jo steroide për arsye të ndryshme ( siq ceka më lart problemet me lukth, veshka) siq janë alergjitë e ndryshme në këto barna, ose lëndët e tyre ndihmëse, atëherë si opsion shtesë mund të përdorni metodat e mëposhtme që mund të ndihmojnë në lehtësimin e këtyre dhimbjeve:
• Pushim dhe gjumë të mjaftueshëm;
• Ushtrimet fizike (veçanërisht ecjen;
• Përmirësimi i dietës ushqimore (marrja e acideve yndyrore omega 3, vitaminës E, vitaminës B6 si dhe dietë më vegjetariane);
• Disa qajra bimore qetësuese si kamomila, kopra;
• Masazhimi i pjesës së barkut me vajra bimore;
• Ndërprerjen e konsumimit të duhanit;
• Një jastëk ngrohje i vendosur në rajonin e barkut mund të lehtësojë dhimbjen, apo banjo me ujë të ngrohtë;
• Marrja e dozave më të larta të mineralit Magnesium, i cili përmirëson funksionin nervor dhe muskular;
• Marrja e sasive më të mëdha të Kalciumit (deri 1200 mg në ditë);
• Marrja e vitaminës B1 Thiaminës ( deri 100 mg në ditë);
• Zvogëlimi i stresit. /Familjadheshendeti.com