Sindromi Messi

Nga Dr. Valbona Hysenaj Miftari
Specializante e vitit të gjashtë dhe të fundit të psikiatrisë dhe psikoterapisë në Zvicër.

Kur grumbullimi i gjërave në shtëpi ngulfat jetën
Sindromi Messi

Të gjithë ne e njohim mirë fenomenin e grumbullimit të gjësendeve të tepërta në shtëpi dhe veshtirësinë për t’i hudhur ato. Me këtë fenomen konfrontohemi qoftë ndonjëherë personalisht, qoftë me anëtarët e familjes apo shoqërinë. Derisa ky fenomen nuk shkakton probleme evidente në jetën e përditshme nuk mund të flasim për një patologji.

Ka njerëz të cilët banojnë në një banesë dydhomëshe, mirëpo i ruajnë të gjitha gjërat, çdo skutë e baneses së tyre është e stërmbushur duke filluar nga videokasetat e vjetra anipse sot teknika është sofistikuar dhe edhepse ata e dijnë që nuk do t’i përdorin ato kurrë më, nga revistat e vjetra, kutitë e kartonave e çka jo tjetër.
Mirëpo edhe pse kanë shumë gjësende, këta i kanë ato akoma nën kontroll sepse i klasifikojnë dhe i palojnë bukur.
Disa të tjerë i mbledhin gjërat detyrimisht sepse mendojnë se një ditë do t’u nevojiten prapë p.sh. për rrobat që nuk i kanë veshur me vite thonë ndoshta do të humb prapë kilogramë dhe do t’i veshë përsëri. Shëmbuj të tillë mund të sjell me dhjetëra por po e cekë edhe një pothuajse analog më këto që u cekën më lartë -> tek disa grumbullimin patologjik dhe pa kriter të mijëra “miqëve” në Facebook, tejet të padobishëm, me të cilët nuk shkëmben kurrë një komunikim të vetëm dhe me të cilët nuk i lidh asgjë.

Duke hulumtuar më thellë, del se origjina e këtij fenomeni mund të sqarohet kryesisht me: varfërinë dhe vetminë.
Ata që kanë qenë të varfër dhe vazhdimisht janë kërcënuar nga mungesa e gjërave u është mbjellur frika e “mospasjes“. Do të thotë ata nuk i hudhin gjërat sepse mendojnë qe do të vijnë përsëri në një gjëndje të vështirë dhe gjërat do t’iu nevojiten prapë.
Kurse ata që jetojnë pa kontakte me njerëzit e afërt kanë tendencë të lidhen me gjësendet duke i identifikuar gjësendet/ mallin në njëfarë mënyre me njerëzit që kanë humbur.
Humbjet e te afërmeve përjetohen gjithmonë traumatikisht, por nëse humbjet nuk përpunohen mirë, ato trauma ruhen ne tru si impulse te fjetura te cilat me vonë gjatë jetës manifestohen në mënyra të ndryshme. Në rastin konkret hudhja e gjërave asocion në një humbje të sërishme. Kështu pra grumbullimi i pandërprerë kryen funksionin e shmangies së frikës.

Kur fenomeni i tillë shndërrohet në një patologji të vërtetë?

Atëherë dhe tek ata tek të cilët fillon të mbizotërojë kaosi i vërtetë në shtëpi dhe kur ata fillojnë të ndihen të paralizuar në jetën e përditshme mund të themi që është zhvilluar tanimë sindromi Messi.

Ata mezi arrijnë në takime me kohë sepse nuk arrijnë t’a strukturojnë kohën e tyre për shkak të rrëmujes. Ata duke i kërkuar faturat ndeshen me kaosin e gazetave, fletoreve të shkolles fillore, kavanozave te gjyshes etj., dhe kështu të stresuar i kap panika dhe nga panika vonohen edhe më shumë.

Të atakuarit kanë para se gjithash probleme në marrjen e vendimeve, ata ndjejnë një frikë të padefinuar që i bllokon për t’i marrur vendimet. Një situatë e panjohur ose gjëndje e ndryshuar i qon në një tensionim psiqik dhe gjëndje stresi.
Këta persona kanë veshtirësi në caktimin e prioriteteve keshtu qe ata “humbin ” në një ambivalencë ( dua-s’dua, t’a bëj- mos t’a bëj, t’a hudh -mos t’a hudh). Kjo gjëndje është
tejet shkatërruese.

Pra e përsëris, kur gjërat delin nga kontrolli dhe ambienti ku jeton i atakuari shndrrohet ne një kaos të vërtetë kemi te bëjmë me të ashtuquajturin sindromi Messi që është një çrregullim psiko-emocional.

Termi “Messi” rrjedh nga fjala angleze “to mess up“- të bërit rrëmujë“. Do të thotë është fjala për “kaos”, “çrregullim” apo edhe “konfuzion“. Sinonimi më i saktë për sëmundjen megjithatë është ” ruajtja patologjike e gjësendeve “.

Termi u krijua së pari nga media, por tani përdoret gjithnjë e më shumë në diskursin profesional.
Si diagnozë e veqantë e koduar nuk është futur në sistemin internacional të diagnozave (ICD-10 mirepo simptomatologjia hyn në grupin e çrregullimeve kompulsive dhe çrregullimeve të impulseve.

Të mos ngatërrohemi, nuk do të thotë që secili që jeton në kaos ka Messi sindrom. Kaosi mund të jetë edhe pasojë e çrregullimeve tjera si:
– ADHD
– Pamundësisë së vendosjes së rregullit per shkak të mungeses se vullnetit si p.sh. tek depresionet ose tek shkapërderdhja e ideve dhe mendimeve ( gjendjet manike).
– Zhvillimet dementive
– Çrregullimi i funksioneve ekzekutive tek disa sëmundje trupore.
– Shprehitë abnormale dhe çrregullimet e impulseve
– Çrregullimet e vetorganizimit tek defizitet intelektuale etj.

Vetëm atëherë kur personin e mbizotëron një gjëndje kompulsive ( impuls/ shtypje e brendshme) mund të flasim per sindromin Messi në kuptimin e plotë te fjalës, do të thotë impulsi për të mbledhur gjërat në mënyrë patologjike dhe se kur personi poashtu dezorientohet nga jeta kaotike.

Sëmundja kalon nëpër dy pragje:

* Reflektimi racional i arsyeshëm, përderisa personi mendon që gjërat do t’i nevojiten ende.
* reflektimi non verbal i pashmangshëm ( jo me i arsyeshëm). Dmth kur pacienti mendon: [ “pa shumë gjëra unë do të kaloj në “zbrazëti”]
Gjësendet simbolizojnë mbrojtje, “pa gjësende unë do të jam i ekspozuar”. Pra frika nga situata e re.

Simptomet:

Të prekurit vuajnë nga një presion i lartë psiqik, nga pamundësia për t’a gjetur ekuilibrin, kështu që trazimet shpirtërore që i përjetojnë shpesh shoqërohen me simptoma psikosomatike.

Në marrëdhëniet e tyre shoqërore, përballen vazhdimisht me turpin. Për këtë arsye iu shmangen ftesave për të shkuar mysafirë, ata nuk ftojnë askënd ngase turpërohen për rrëmujën, kështu dalngadalë kontaktet ndërprehen. Rezultati qon në një izolim. Fokusi i kaosit është kryesisht në banesë por mund të përfshijë edhe vendin e punës.
Keni parë shpesh zyra tërësisht të përfshira nga kaosi, tavolina të punës të stërngarkuara, shishe plastike të zbrazëta e gjësende të pavlefshme të cilat zënë çdo kënd të zyrës.

Për këtë temë gjegjësisht çrregullim që duket i thjeshtë por në fakt është tejet kompleks ka për të thënë shumë. Ekzistojnë studime të shumta për të dhe shikuar në aspektin psikologjik ështê sa kompleks aq edhe “interesant” për tu mësuar, sidomos për faktin që origjina e tij daton që në fëmijërinë e hershme, pastaj për faktin që shkaktarët dhe simptomatologjia është shumëfytyrëshe.
Për të gjitha këto më detajisht si dhe për strategjitë e daljes nga kjo gjendje ferri do të keni rastin të lexoni në librin tim që pritet të dalë këtë vit. /Familjadheshendeti.com