Nga Dr. Valbona HYSENAJ- MIFTARI – Psikiatër
Disa njerëz duke u identifikuar si „klasë sociale superiore“, të prirë nga dëshira për t’u dukur mbi të tjerët, çoftë për sukseset e arritura, jetën luksoze apo sjelljet kinse më të rafinuara për dallim nga njerëzit e „klasave inferiore“, ata le që po dalin tërësisht nga origjinaliteti dhe autenticiteti i tyre, por ata madje po duken edhe shumë qesharakë.
Snobizmi është një prirje e sëmurë për t’u pëlqyer të tjerëve. Snobi le që nuk duket fisnik mirëpo përkundrazi rrezaton vrazhdësi dhe përhap një frymë toksike.
Këta njerëz ngjajnë në njerëz të stërlodhur… që duke kërkuar përsosmërinë vetëm sa për t’iu pëlqyer të tjerëve zbrazin shpejt „bateritë“ e tyre dhe shpesh ke përshtypjen që gjinden në prag të sindromit „Burnout“.
Snobi nuk mundet ta shijojë lumturinë ngase vazhdimisht e gënjen vetveten duke u paraqitur ai që nuk është. E i lumtur është vetëm ai që mendimet, dëshirat dhe veprimet e veta i ka në koordinim me njëra tjetrën. Snobi nuk është i lumtur ngase deficitin e tij shpirtëror nuk ia plotëson dot veshja, vetura, as numri i diplomave nëse ato nuk i ka merituar, as shtëpia luksoze, as numri i miqëve virtualë.
Të gjithë kemi boshllëqe, mirëpo ato plotësohen më së miri me gjërat që nuk blihen me para.
Snobizmi jo vetëm që të largon nga kënaqësitë e jetës reale por përkundrazi të shpie në stadin e arrogancës dhe dëshprimit të thellë.
Shoqëria jonë ka nevojë imediate për ta çrrënjosur snobizmin- këtë fenomen aq ekspansiv i cili po pengon zhvillimin shpirtëror, moral e intelektual sidomos të gjeneratave të reja. Presioni para të cilit vendosen sidomos tinejgjerët „për ti takuar grupit“ e për tu dukur „IN“ prodhon një rini snobe, ku secili kopjon secilin, veprime të cilat shpejt kthehen në preferenca të devijuara e mos të them në patologji të vërteta.
Ky fenomen është më shkatrrimtar se sa që duket në shikim të parë.
Prapa snobëve fshihen në fakt ego të brishta që ndonëse para opinionit përpiqen të lënë përshtypjen e të „fortit“ ata vërtet i „shkund“ çdo furtunë e jetës.
Kjo luftë e brendshme për tu dukur „dikushi“ vetëm pse kështu është tjetri, ose vetëm për t’i pëlqyer tjetrit, shumëkënd dërgon edhe në konsumin e alkoolit dhe drogave.
Aq shumë kemi nevojë për ta zhdukur snobizmin ndër ne. Aq shumë kemi nevojë për modesti e origjinalitet… aq sa për ujë e bukë./Familjadheshendeti.com