Nga Valbona Hysenaj Miftari
Specializante në vitin e gjashtë dhe të fundit të psikiatrisë dhe psikoterapisë në Zvicër
Kësaj radhe po u sjell diçka për fjalën shumë të përfolur “STRES”. Në Kosovë stresi para pak vitesh identifikohej në mënyrë paksa “shpotitëse” me gyrbetqarët, gjëja gyrbetqarët kur shkojnë në Kosovë ankohen për jetën stresuese në përendim dhe gjithandej jashtë atdheut. Megjithatë edhe në Atdhe vitet e fundit stresi është bërë pjesë e pandashme e jetës dhe njerëzit i dëgjon të ankohen që ai është duke i shkatërruar në shëndet por edhe duke i zbehur madje edhe duke i shkëputur marrëdhëniet familjare e shoqërore. Të rastis edhe të dëgjosh shpesh duke thënë: “stresi është shkaktari i të gjitha sëmundjeve” në krahasim me disa vite më parë kur dëgjoje të thonë: “mërzia është shkaktare e të gjitha sëmundjeve”. Tani fjala stres sikur tingëllon më moderne dhe sikur krijon një paralele me jetën përendimore.
Por çka është stresi në të vërtetë, çfarë pasojash shkakton si dhe si duhet menagjuar në mënyrë që t’mos bëhemi rob të tij, lexoni rreshtat në vijim.
Stresi definohet si çrregullim i baraspeshës në mes të kërkesave të punës dhe mundësive individuale për t’i kryer këto punë. Stresi është fenomeni më i përhapur dhe më i pashmangshëm në shoqërinë moderne, sidomos në qytetet e zhvilluara industriale por edhe në vendet e varfëra. Është pjesë e jetës së përditshme gjithandej dhe deri diku e dobishme për të arritur performancë optimale, për të zotëruar jetën profesionale dhe familjare, si dhe për të rritur aktivitetin fizik dhe mendor. Pra përderisa tek dikush mund të jetë tejet ngarkues, disa e perceptojnë vetëm si një sfidë ose ose edhe si një stimulim. Do të thotë rolin vendimtar se a do të përjetohet një situatë si stres apo si sfidë e luajnë proceset intrapsiqike, resurset që posedon ose përvojat e mëhershme (a ke mundur më herët ta mposhtësh pa problem një situatë stresive, a ke kërkuar ndihmë nga të tjerët).
Sqarim i kësaj: Përvojat e përsëritura dhe intenzive të stresit të manifestuara si ankth ose pafuqi do të ruhen në tru dhe nëse në të ardhmen kur vie tek përjetimet e ngjashme stresive fushat trunore që janë përgjegjëse për stres do të aktivizohen prapë automatikisht. Këtu tani varet nga resurset e njeriut, do të thotë nëse ke përkrahje nga rrethi, ke marrëdhënie të shëndosha me njerëzit etj, stresi do të duhej mposhtur më lehtë se perpara. Por çka ndodh nëse nuk posedon resurset e lartëpërmendura. Trupi dhe truri do të reagojnë prapë pafuqishëm e do të ndodhin ndryshime metabolike që do ti sqaroj më poshtë.
Qysh në shenjat e para kur organizmi dërgon sinjale alarmi ( lodhje fizike e psiqike, mungesë koncentrimi, shtrëngim gjoksi etj) duhet të merren masat e menjëhershme kundër stresit sepse stresi i atribuohet një sërë sëmundjesh të ndryshme fizike dhe mendore të cilat mund të rrezikojnë seriozisht shëndetin dhe të ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e jetës. Mbingarkesa e pandërprerë fizike ose psikologjike e një qenieje njerëzore çon në shumicën e rasteve në një prishje të ekuilibrit hormonal i cili mund të qojë në depresion të rëndë, tinitus, dhimbje të shpinës, infarkt miokardi, kancer ose goditje në tru etj.
Në një situatë stresi akut, si p.sh. para një testi. një diskutimi të rëndësishëm ose një prezantimi, në tru prodhohen hormonet e stresit të cilat nëpërmjet hipotalamusit dhe gjëndrrës së hipofizës arrijnë në të gjitha organet. Organizmi reagon në gjendje gatishmërie duke i aktivizuar rezervat e energjisë, duke aktivizuar përkohësisht sistemin imun si dhe lirimin e hormoneve të ndryshme si adrenalinë, norepinefrinë dhe kortizol. Përveç kësaj, niveli i glukozës në gjak ngritet për një kohë të shkurtër duke siguruar një efekt të përkohshëm stimulues. Kur trupi i ekspozohet herë pas here stresit akut, kjo ka një efekt pozitiv në organizëm. Situata të tilla stresuese zakonisht zgjasin vetëm disa minuta ose disa orë dhe janë një reagim normal ndaj sfidave mendore ose fizike. Megjithatë, nëse organizmi midis situatave të stresit akut nuk ka mundësi për t’u rikuperuar dhe relaksuar atëherë organizmi mund të mbingarkohet dhe dëmtohet rëndë. Atëherë bëhet fjalë për stresin kronik që do të thotë atëherë trupi do të jetë në vigjilencë të vazhdueshme dhe i cili fenomen në afat të gjatë ndikon negativisht në metabolizmin e hormoneve dhe favorizon zhvillimin e sëmundjeve të ndryshme. Nën veprimin e vazhdueshëm të kortizolit nuk vie vetëm tek rritja e insulinës, por gjithashtu edhe tek reduktimi i furnizimit me gjak të të gjitha organeve, vie tek ngritja afatgjatë të presionit të gjakut dhe ndalimi i përgjigjes qelizore imunitare. Një nivel i lartë i kortizolit për kohë të gjatë gjithashtu favorizon formimin e tumoreve.
Stresi kronik është prezent në jetën profesionale dhe atë private. Do të ndalem më shumë tek stresi në punë. Si vie deri tek ai?
Kur punon nën presionin e kohës dhe termineve, kur bën në të njëjtë kohë shumë detyra (Multitasking), kur duhet punuar jashtë orarit të punës, ose për shkak që je kudo i arritshëm me telefon ose nëpërmes mailit (dmth je në shtëpi ose në pushim, të thërret shefi në telefon; na duhesh patjetër në punë). Më të prekurit nga kjo janë personat e informatikës, policët, sektori bankë dhe financa, personat shendetësorë por edhe të tjerët.
Ata që duhet shpesh t’a bëjnë këtë, duke u munguar fazat rekreative me kohë do të humbin kënaqësinë e jetës. Stresi nuk është vetëm një çështje e shëndetit dhe mirëqenies së personit të atakuar por ndikon drejtpërdrejt në marrëdhëniet e tyre private. Anasjelltas, problemet në jetën familjare, shkurorëzimet, sëmundjet ose vdekjet e të afërmeve mund të shkaktojnë stres të përhershëm me ndikim në procesin e punës. Në veçanti, njerëzit që jetojnë në marrëdhënie të karakterizuara nga dhuna psikologjike ose fizike janë në rrezik të lartë të zhvillimit të stresit kronik.
Zgjerimi i vazhdueshëm i mediave moderne si televizioni, interneti dhe lojërat kompjuterike çon gjithashtu edhe fëmijët në stres për faktin që truri nuk mund të qetësohet, gjegjësisht nuk mund të “qkyqet” nga zhurmat dhe kështu vazhdimisht tajohet më shumë kortizol.
E përsëris, megjithatë, jo të gjithë njerëzit vuajnë nga shenjat tipike të stresit kronik. Në shumë studime të bëra hulumtuesit erdhën në përfundim që për këtë rolin vendimtar e luan prirja e caktuar gjenetike. Ndaj stresit janë më shumë sensibël njerëzit, të cilët ishin ndarë nga nëna si foshnja pas lindjes. Sipas studimeve të ndryshme leptina që gjendet në qumështin e nënës ka gjasa të rrisë tolerancën e stresit. Do të thotë që njerëzit që ushqehen me gji dhe të cilët kanë pasur marrëdhënie të qëndrueshme me nënën si foshnje ose në moshën e rritur janë më rezistentë ndaj stresit. Ndërsa shumë të rinj vuajnë nga stresi i përhershëm, për shkak të dhunës në familje, ndarjes së prindërve, e në kohën e sotme sidomos për shkak të konflikteve me moshatarët. Konfliktet e të rinjëve janë pasojë e dukurisë relativisht të re- cybermobbing ( përhapja e gënjeshtrave dhe kërcënimeve nëpërmes internetit).
Pasojat e stresit kronik
Pasojat janë të mëdha, disa u cekën më lartë.
Për të kompensuar stresin psikologjik afatgjatë, shumë vuajtës fillojnë me gjëra të cilat janë të dëmshme për shëndetin, kështu simptomat mendore dhe fizike në shumicën e rasteve vetëm sa intensifikohen. Stresi kronik qon në alkoolizëm, abuzimin e substancave narkotike, pirjen e madhe të duhanit. Shumë tjerë të çdo grupmoshe reagojnë ndaj stresit afatgjatë me konsum të tepërt të ëmbëlsirave dhe ushqimeve yndyrore. Kequshqyerja, mbipesha, janë pasojat e zakonshme të stresit kronik. Pastaj çrregullimet e gjumit, humbja e koncentrimit. Për shkak të tajimit të tepërt e të vazhdueshëm të hormonit të stresit- kortizolit pengohet ose antagonizohet tajimi i melatoninës dhe serotoninës. Për shkak të mungesës së këtyre hormoneve çrregullohet cikli gjumë-zgjim, shkurtohen fazat e gjumit të thellë, njerëzit bëjnë gjumë jo të qetë, gjatë natës zgjohen disa herë dhe pastaj me vështirësi flejnë prapë ose nuk flejnë më. Ulja e tajitjes së testosteroneit qon në humbjen e pjesshme ose të plotë të dëshirës seksuale si dhe qon në dëmtimin e pjellshmërisë. Depresioni, ankthi, sulmet e panikut si dhe sindromi i djegies së rezervave të energjisë trupore “Burnout” shpesh janë pasojat e këtyre problemeve. Për shkak të ndikimit negativ të kortizolit në sistemin imunitar, njerëzit që vuajnë nga stresi kronik janë të prirur për infeksione. Kjo do të thotë se edhe ftohjet më të vogla mund të dërgojnë në inflamacione të mëtejshme virale në pjesë të tjera të trupit. Stresi i madh qon në hipertension kronik gjë e cila rrit rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare si aterosklerozës, pikës dhe Infarktit trunor.
Shumë fëmijë reagojnë ndaj stresit kronik me sëmundjet e lëkurës si ekzema apo psoriazë, çrregullime të apetitit etj.
Disa këshilla se si duhet ulur stresin dhe si duhet rritur kualitetin e jetës:
Secili ka mundësi të zgjedhë se çfarë jete do. A don të mendojë negativisht dhe të bëjë jetë hektike apo që ti pranojë gjërat ashtu siq janë dhe për një moment të marrë frymë thellë, pastaj ta qet frymën jashtë, gjë e thjeshtë por tejet efektive për tu ndier më i qetë. P.sh. nëse vonohet autobusi ose treni, shijojeni kohën e pritjes në ajër të pastër duke vështruar ambientin përreth në qetësi. Ndoshta zbuloni diçka që kurrë më parë nuk e keni vërejtur. Ju nuk jeni në këtë rast fajtor për vonesën, pse t’a mbingarkoni vetveten me gjërat që nuk varen nga ju.
Me siguri ka nga ju që ka kohë që nuk ndjen kënaqësi në punë, i mungon vullneti e motivimi, ndjehet i lodhur kronikisht për shkak të stresit dhe mungesës së kohës së lirë.
Po u sjell këtu disa këshilla në dukje ndoshta absurde por padyshim ndihmuese e të lehta për tu aplikuar kudo ( në punë ose në jetën private).
1. Mbani një ditar me falenderime!
Për të shprehur falenderimin ose mirënjohjen tuaj, ndani 15 minuta çdo ditë dhe shkruani 3-5 gjëra për të cilat jeni mirënjohës. Bëjëni këtë mundësisht në mëngjes para se të shkoni në punë, para se të lexoni lajmet ditore. Ose bëjëni këtë gjë në mbrëmjen e vonë para gjumit. Në këtë mënyrë ju mund të ktheheni pas në ngjarjet e ditës dhe pastaj të reflektoni çfarë përvojash, bisedash, vështrimesh dhe takimesh kanë kënaqur zemrën tuaj. Këtu janë disa pyetje si mostër që ju mund t’u përgjigjeni dhe pergjigjiet ti shënoni në ditarin tuaj të mirënjohjes.
– Çka apo kush më ka bërë të qesh sot?
– Çka ose kush më ka frymëzuar?
– Cila nga pikat e forta dhe talentet e mia munda ti sjell sot në shprehje?
– Me cilin diapozitiv (skenë e bukur) do të doja të kujtoja ditën?
– Si munda ta bëjë mikrokozmosin e botës time pak më të mirë sot?
Nuk ka këtu kufizime për kreativitetin tuaj. Mund të zgjedhni pyetjet nga më të ndryshmet. Pasi të keni kuptuar se ka gjëra për të cilat duhet të ndjeheni mirënjohës, do të kuptoni sa gëzim mund të sjellë kjo gjë. Psikologët në një Universitet në Kaliforni kanë ardhur në përfundim se të shkruarit e një ditari me mirënjohje/ falenderime për një periudhe më të gjatë ndikoi në rritjen e sekretimit të hormoneve të lumturisë dhe humorit të mirë gjatë gjithë ditës. Kështu duke e mbajtur në kontroll fokusin tuaj, aktivizohen forcat, talentet dhe burimet e dijes të cilat u japin mendimeve tuaja një drejtim pozitiv gjë e cila bën që stresi, nervozizmi dhe shqetësimi më vështirë të depërtojnë në ju. Në këtë mënyrë, stresi psikologjik në vendin e punës zvogëlohet dukshëm dhe ju shkoni të punoni me një mendje të balancuar. Ju do të jeni në gjendje të mendoni më ndryshe, se puna nuk është gjithçka në jetë dhe në shumë gjëra të vogla mund të gjeni gëzimin e humbur.
2. Mbani komunikim të rregullt!
Është cekur më lartë se stresin secili e përjeton ndryshe, dikush si “stres pozitiv” e dikush tejet shkatërrues. Në të dyja rastet megjithatë duhej komunikuar hapur, personi i atakuar duhet ta ketë vetëbesimin e nevojshëm për të folur hapur me punëdhënësin ose me partnerin. Shumë veta e përballojnë deri në një masë të caktuar moskënaqësinë dhe barrën e tyre në punë me krenari të rreme sepse nuk duan të quhen të dobët ose nga frika se do të kenë konsekuenca. Mirëpo sikurse në çdo sferë të jetës edhe në punë paswordi i zgjedhjes së problemit është komunikimi. Një komunikim i hapur, i sinqertë dhe i rregullt është A dhe B për një marrëdhënie të shëndoshë midis kërkesave dhe arritjeve të aktiviteteve të dëshiruara të cilat duhet t’a avancojnë firmën. Prandaj, në çdo ndërmarrje ose institucion duhet bërë mbledhje të rregullta të ekipit dhe takime individuale për t’i zgjedhur problemet. Punëdhënësi i mirë kujdeset për shëndetin e punëtorëve të tij, sidomos në shtetet ku funksionon ligji.
3. Bëni sport dhe stërvitje të mjaftueshme
Deri në çfarë mase ndikon stresi në jetën tuaj ka të bëjë kryesisht me performancën tuaj fizike. Pra, nëse keni një shëndet fizik të mirë, ju jeni më shumë rezistent ndaj stresit se sa dikush me performancë më të ulët. Prandaj sportet dhe stërvitja e mjaftueshme janë thelbësore për të rritur rezistencën tuaj ndaj stresit dhe për të ndier më shumë gëzim në jetën e përditshme duke iu falenderuar lirimit të hormonit tuaj të lumturisë serotoninës i cili në këto raste rritet. Pra mos hezitoni të bëni shëtitje të gjata në natyrë, të merreni me çiklizëm ose çfarëdo që ju bën të ndjeheni vital. Për sport ose shëtitje në natyrë në fillim u duhet pak këmbëngulje, pastaj iu bëhet rutinë. Efektet pozitive të kësaj; ju do të ndjeheni shumë më mirë me disponim dhe gjithashtu me kondicion më të fortë.
4. Menaxhoni mirë me kohën, jini të organizuar.
Stresi psiqik në vendin e punës rritet jo vetëm për shkak të kërkesave të mëdha të punës por edhe për shkak të mosorganizimit tuaj të mirë. Menaxhim i mirë në jetën e përditshme do të thotë kur të gjitha veprimtaritë arrin ti kryesh pa stres të madh duke filluar nga jeta familjare, obligimet e punës, blerja ose pregaditja e ushqimit, koha për miqtë, kurset, larja ose riparimi i veturës etj. Nëse bëni një plan javor për secilën ditë “to do” do t’jeni shumë më eficientë. Këtu natyrisht ka devijime të vogla sepse çdo herë dalin gjëra të papritura. Si p.sh. në kohën e sotme për shkak të numrit të madh të veturave duhet llogaritur vonesën në kolonë mirëpo për t’mos u stresuar duhet nisur më herët. Planifikoni patjetër aktivitete relaksuese gjatë javës, qoftë edhe vetëm 2-3 orë sepse duhet ti rimbushni bateritë tuaja. Pini ujë më shumë, bëni gjumë të rehatshëm!
Përfundim: Me këto 4 këshilla të thjeshta ju mund t’a ndryshoni mënyrën e jetesës, mund të akumuloni më shumë energji si dhe do të jeni më të fortë dhe më të pregaditur për t’i rezistuar stresit ngulfatës të realitetit të sotëm modern.
P.S. Ndalohet kopjimi dhe përvetësimi i shkrimit nga personat privatë ose portalet pa lejen time paraprake. /Familjadheshendeti.com