Një mbret po dilte një ditë nga pallati i tij për të bërë xhiron e mëngjesit dhe te porta hasi në një lypës.
“Çfarë do?” – e pyeti.
Lypësi qeshi dhe iu përgjigj: “Po më pyet sikur je në gjendje të ma plotësosh dëshirën.”
Mbreti u fye nga këto fjalë dhe i tha:
“Sigurisht që mund të ta plotësoj. Cila është ajo? Thuama!”
Lypësi ia ktheu: “Mirë, meqë po këmbëngul, do të ta them, por kam një kusht. Kështu që mendohu mirë përpara se të më premtosh.”
Mbreti ishte hasur me shumë lypës më parë, por s’i kishte ndodhur të ndeshej me një të tillë që vendoste kushte.
Dhe lypësi në fjalë ishte një njeri vërtet i çuditshëm dhe me karakter të fortë. Ai kishte sharm, karizëm dhe një aurë drite. Edhe vetë mbreti u bë xheloz ndaj tij.
E sikur të mos mjaftonte i gjithë ai karakter babaxhan, lypësi na kishte edhe kushte.
“Për çfarë e ke fjalën? Cili është kushti yt?” – vazhdoi mbreti.
“Është një kusht shumë i thjeshtë.” – u përgjigj lypësi. “E sheh këtë tasin e lypjes? Pranoj të ta them dëshirën, vetëm nëse mund të ma mbushësh plot.”
Bëhej fjalë për një tas të vogël.
“Sigurisht që do të ta mbush!” – tha mbreti. “Kush mendon se jam unë?!” Dikush që s’mund të mbushka një tas të pistë e të vogël?!”
“Të thashë që të mendoheshe dy herë përpara se të më premtoje diçka, se nuk dua të hysh në telashe pastaj. Mirë pra, nëse mendon se mund ta mbushësh, atëherë jepi!” – ia priti lypësi.
Mbreti thirri vezirin e tij dhe i kërkoi ta mbushte tasin me gurë të çmuar, diamante, rubinë dhe smeralde.
Donte t’i tregonte lypësit se me kë kishte të bënte.
Mirëpo, ai nuk e dinte se çfarë e priste.
Tasi vërtet mbushej, por për çudi të mbretit, me të rënë gurët e çmuar në të, ata zhdukeshin.
U mbush shumë herë, por po aq herë boshatisej.
Mbreti u zemërua shumë nga çfarë po ndodhte, por prapëseprapë i tha vezirit:
“Nuk më intereson edhe po të më ikë nga duart e gjithë mbretëria dhe të gjithë thesarët e mi, ama nuk mund ta lë këtë lypës të më mundë!”
Dhe vërtet, thesar pas thesari, tasi i lypjes i përpiu një e nga një brenda vetes.
Dalëngadalë, mbreti humbi gjithçka dhe ra vetë në gjendjen e lypësit.
Kjo punë zgjati disa muaj. Dëshmitarë të saj ishin lypësi, mbreti dhe krejt qyteti.
Të gjithë ishin në ankth se çfarë do të ndodhte dhe se si do të përfundonte historia.
Gjithçka, po gjithçka e mbretit u zhduk në brendësi të tasit.
Në fund, mbreti ra nën këmbët e lypësit dhe i tha:
“Falmë, po të lutem, përpara se të largohesh, dua të më tregosh diçka. Ç’sekret mban ky tas? Si është e mundur që çdo gjë zhduket në të?”
Lypësi qeshi nga fjalët e mbretit dhe tha:
“Tasi është i bërë me egon e njeriut. Është e pamundur të mbushet, sepse ajo (egoja) përpin gjithçka.”
Në shqip: Klodi Smajlaj