- Nga Dr.Ismail Lutolli specialist Pediatër
subspecialist Dietolog-Nutricionist
Duke qenë në prag të fundvitit ,ndryshimi kalendarik 2020/2021, duhet të kujtojmë që festa e fundvitit , pos asaj që sjellin kënaqësi dhe gëzim në shume familje , ato shpeshherë dijnë të jenë edhe ditë të incidenteve të ndryshme, ditë të dhimbjes e traumave, e në raste më të rënda mund të jenë ditë të vdekjeve aksidentale .
Tradita jonë e festave, ka në zemër shpërthimet e mjeteve eksploduese, pa qenë të vetëdijshëm për pasojat. Jemi dëshmitarë të shumë lëndimeve me mjete piroteknike, apo edhe me armë zjarri të shumë personave, pikërisht në ditët e festave të tilla, e sidomos për festat e fundvitit . Shpeshherë një festë që do duhej të perfundonte me gëzime, shndërrohet në trauma për shume familje në përgjithësi, e në veqanti për fëmijët dhe të moshuarit, si dhe shndërrohet në një tmerr të vërtetë për kafshët.
Festa e fundvitit, për shumë familje në Kosovë mund të jetë natë tmerri…..!
– Çdo vit, në nivel ndërkombëtar kemi mbi 9500 raste të lëndimeve të rënda më pasoja invaliditeti të theksuar ! Për çdo vit, në Kosovë kemi me dhjetëra të lënduar në gjymtyr duke quar deri në amputime të pjesëve të duarve, kemi edhe plagosje nga plumbat e verbër dhe dëme tjera materiale.
– Për çdo ndërrimviti, kemi me dhjetëra të moshuar, që përjetojnë gjendje infarkti nga shpërthimet që ndodhin. Për çdo vit kemi me dhjetëra fëmijë që pësojnë trauma te thella psikologjike, që zgjasin kohë me ditë, muaj e në disa raste dhe vite.
– Për çdo vit, shpërthimet e tilla na rikujtojnë shpërthimet nga lufta e fundit që kemi kaluar, duke hapur plagë në shumë familje tona .
– Për çdo vit, me dhjetëra kafshë pësojnë trauma dhe gjymtime nga mjetet shpërthyese. Përdorimi i mjeteve piroteknike, shkakton rritje të adrenalinës tek të rriturit
Mjeteve piroteknike shkakton rritje të hormonit adrenalinë
Përdorimi i mjeteve piroteknike, është një aktivitet që shkakton rritje të hormonit adrenalinë, gjë që krijon ndjenjën e “kënaqësisë” tek përdoruesit e këtyre mjeteve, pa qenë të vetëdijshëm për dëmet që I shkaktojnë përreth! Kjo ndjenjë është më e shprehur tek moshat e rritura, ndërsa tek fëmijët jo gjithmonë funksionon e njejta ndjenjë. Përceptimi I fëmijëvë për këto mjete,nuk është i njejtë me përceptimin e të rriturve !
Shpërthimet e mjeteve piroteknike dhe traumat psikologjike tek fëmijët e vegjël
Tek fëmijët e vegjël, zhurmat e befasishme mund të shkaktojnë frikë, e cila më vonë mund të manifestohet me fobi që mund të zgjasë për kohë të gjatë. Shpeshherë kemi çrregullim të gjumit por edhe të sjelljes në përgjithesi, me ditë të tëra.Ky mund të jetë shkaku i fillimit të një çrregullimi edhe më serioz për foshnjet dhe fëmijët e vegjël, të cilët nuk përceptojnë dot zhurmën nga këto shpërthime.
Shpërthimet dhe pasojat për të moshuarit
Në çdo fundvit, kemi raste të infarktit që mund të përjetojë mosha e tretë, ku si shkaktarë kryesorë mund të jenë shpërthimet dhe zhurma që krijohet gjatë festës. Te kjo moshë, gjithashtu kemi edhe probleme tjera si: probleme me tensionin, aritmi dhe stres të theksuar. Në repekt të kësaj moshe, do duhej të ishim shumë më të kujdesshëm në përdorimin e këtyre mjeteve.
Kafshët mund të përjetojnë sulm në zemër
Kafshët mund të përjetojnë sulm në zemër për shkak të shpërthimeve Përveç se kjo formë argëtimi mund të qojë në plagosje të rënda të kafshëve, kjo mund të qoj edhe në sulme në zemër tek kafshët! Shpërthimi mund të shkaktojë një atak në zemër tek kafshët,madje edhe ngordhjen e tyre . Nëqoftëse ne si shtet kemi bërë shumë pak për këtë kategori, së paku do duhej ti kursenim nga kjo ngjarje tërësisht traumatike dhe me pasoja të rënda për kafshët.
Mbajini fëmijët afër dhe mësoni ata se nuk duhet përdorur mjete të tilla
Përgjegjësia e prindërve në këtë ngjarje, do të thotë që prindërit të jenë të vetëdijshëm që t’i këshillojnë fëmijët për rrezikun e këtyre mjeteve, gjithashtu ti mbajnë afër fëmijët e tyre gjatë festimit . Ne nuk kemi të drejtë të rrezikojmë jetën e të tjerëve me festimet tona.
Nëse ke zgjedhur të feston ndryshimin kalendarik 2020/2021, festo me zemër, jo me armë, jo me mjete piroteknike.
Thuaju jo mjeteve shpërthyese Thuaj jo armeve
Nëse ke zgjedhur për të festuar, festo me kulturë, dinjitet dhe respekt për të tjerët. /Familjadheshendeti.com