Dr. Samir Krasniqi, specialist pediatër

Tonsilofaringiti akut është infeksion akut i mukozës së faringut dhe tonzileve.

ETIOLOGJIA. – Shkaktarët më të shpeshtë janë:

  • Viruset: Adenoviruset, Virusi respirator sincicial, Virusi i parainfluencës dhe influencës etj.
  • Bakteriet: Streptococcus beta-hemolyticus i grupit A (në 20 % të rasteve), Hemophylus influenzae, Streptococcus pneumoniae, Staphylococcus etj.

PATOGJENEZA – Te fëmijët e infektuar me Streptokokun Beta-hemolitik, enzimet jashtëqelizore digjestive ndihmojnë në përhapjen e infeksionit, që mund të jetë:

Përhapje lokale (abscesi peritonsilar, parafaringeal, retrofaringeal)

Përhapje e drejtpërdrejtë (otiti, sinusiti)

Përhapje me rrugë limfatike (limfadeniti)

Përhapje me rrugë hematogjene (sepsa, pneumonia, osteomieliti).
Rëndësi të madhe në paraqitjen e infeksionit ka edhe gjendja imunologjike e organizmit të fëmijës.

MANIFESTIMET KLINIKE. – Varen nga shkaktari i anginës dhe në bazë të kësaj anginat ndahen në:

ANGINAT VIRUSALE:

  • Fillimi i ngadalshëm, rrallë i shpejtë.
  • Te fëmijët deri 3 vjeç.
  • Janë prezente kollitja, riniti dhe konjuktiviti.
  • Temperatura zakonisht është nën 38.5*C.
  • Gjëndrat limfatike submandibulare nëse janë prezente, janë pak ose nuk janë të dhembshme në palpacion.
  • Vërehen ulçerime të cekëta në faring dhe harqet e përparme.
  • Dhënia e antibiotikut nuk ndikon në ecurinë klinike.
  • Strishoja e grykës është sterile.

ANGINAT BAKTERIALE:

Fillimi i shpejtë.

Te fëmijët pas moshës 3 vjeçare.

Janë prezente: dhembja e kokës, vjellja, dhembja e fortë e grykës.

Temperatura është mbi 39*C.

Gjëndrat limfatike submandibulae janë të rritura dhe të dhembshme në palpacion.

Në mukozën e uvulës dhe qiellzës së butë vërehen gjakrrjedhje petekiale.

Me dhënien e antibiotikut adekuat, temperatura e lartë dhe dhembja e grykës qetësohen brenda 24-48 orëve.

Në strisho të grykës izolohen bakteriet.

DIAGNOZA. – Bazohet në: manifestimet klinike, marrjen e strishos së grykës dhe izolimin e shkaktarit. Po ashtu, te fëmijët me anginë streptokoksike, sedimentimi i eritrociteve është i shpejtuar, vlerat e proteinës C reaktive janë të rritura dhe është prezente leukocitoza me neutrofili, por këto të dhëna nuk janë specifike për anginën streptokoksike.

DIAGNOZA DIFERENCIALE. – Kur eksudati është prezent në tonzile, duhet menduar në: difterinë e tonzileve, mononukleozë infektive, herpanginë, rinit alergjik etj.

NDËRLIKIMET. – Janë pasojë e zgjerimit të infeksionit nga nazofaringu dhe ndërlikohet me: otitis media, sinusit dhe mastoidit. Mund të shkaktohet: abscesi retrofaringeal dhe peritonsilar, meningjiti, osteomieliti, artriti septik, glomerulonefriti akut poststreptokoksik dhe ethja reumatike, prandaj ka rëndësi mjekimi adekuat i anginës streptokoksike.

MJEKIMI. – Është etiologjik dhe simptomatik.
Anginat virusale mjekohen me terapi simptomatike.
Te anginat streptokoksike, bar i zgjedhjes së parë është Fenoksimetilpenicilina (Penicilina V).
Preferohet pushim në shtrat, mjaft lëngje të vakëta, antipiretikë dhe analgjetikë.

Dr. Samir Krasniqi
Specialist Pediatër