Tryeza dhe iftari…

Nuk është vetëm një tryezë me ushqime që ulen të gjithë familjet muslimane të ushqehet.Kjo tryezë është e mbushur fillimisht me shumë dashuri.

Ndonjëherë, kjo tryezë mbledh vetëm anëtarët e familjes së ngushtë. Ndonjëherë, fatkeqësisht në këtë tryezë mungon dikush që ishte prezent vitin e kaluar.Por, ndonjëherë fatmirësisht kësaj tryeze i shtohet dikush që bëhet pjesë e familjes.

Shpesh, kjo tryezë mbledh rreth vetes shumë njerëz nga familja e fisi i gjërë, miq e mikesha.
Tryeza e iftarit afron njerëzit, afron familjet, shuan zënkat, shuan hidhërimet, ringjall dashuri e mirësi.
Por, jo gjithmonë vlerësohen duart që e realizojnë këtë mirësi.

Iftaret, zakonisht shtrohen nga gratë.

Ato agjërojnë dhe janë gjatë gjithë kohës nën tundimin e ushqimeve dhe pijeve, por iu rezistojnë. Ato kujdesen që gjithçka të jetë sipas shijeve të familjarëve të tjerë, kujdeset që gjithçka të jetë e kriposur apo e ëmbëlsuar në masë të duhur edhe pa i provuar, kujdeset që gjellët të jenë të nxehta mjaftueshëm e pijet të ftohta mjaftueshëm.
Ajo kujdeset që të gatuajë duke iu përshtatur kushteve shëndetësore të secilit familjar, e poashtu edhe duke ua përshtatur edhe sipas moshës. Ajo di shijen e çdo familjari.

Shpesh, shumë gra janë të detyruara që të durojnë nervat e burrit që s’po e kalon dot ditën e Ramazanit të qetë, e shpesh të përballet me tekat e fëmijëve.

Edhe pas iftarit, jo çdoherë e përgëzojnë që ua serviri ushqimet, por pothuajse të gjithë ikin në dhomë të ndenjes dhe presin që po ajo grua t’iu shërbejë çajin, kafenë apo ëmbelsiren.

Gruaja, fillon mbledh tryezën e iftarit, ndan ushqimet e mira të mbetura, i mbulon dhe i vë mënjanë për syfyr. Të tjerët vazhdojnë rrijnë shtrirë. Ajo kthehet dhe bën gati çajin apo kafetë. Teksa të tjerët pijnë, ajo fillon rregullon pijatat nga iftari. Të tjerët bijnë në gjumë …

Sapo mbyllë sytë, pas 2-3 orës bën alarmi, ngrihet e teksa të tjerët janë në gjumë, ajo bën ushqimin e syfyrit. Pas syfyrit, të tjerët bijnë në gjumë sërish, kurse ajo sërish fillon ta rregullojë kuzhinën. Teksa bën këto. Dhe pas disa orësh fillon sërish dita e njëjtë, por çdo herë e bën me kënaqësi, ani pse shumë nga ato nuk marrin asnjëherë vlerësim.
Këto i bëjnë edhe shumë gra që janë të punësuara.
Nuk të bie goja në tokë, nëse falënderon gruan.
Nuk të thahen duart, nëse jep kontributin tënd në punë shtëpie kur ke mundësi e nuk je shumë i lodhur.

Nuk të këputen këmbët, nëse ngrihesh e gotën me ujë e merr vet.

Nuk verbohen sytë, nëse e shikon me dashuri gruan!

Nuk helmohesh, nëse gjella ka pak më shumë kripë, andaj mos bërtit në tryezë.

Nuk vdes, nëse gjella është e nxehtë, duro e prit pak sekonda të ftohet!

Të dy ju po punoni, të dy ju po lodheni!

Bëhuni mirëkuptues e ndihmojeni njëri-tjetrin që këtë muaj ta kaloni sa më në harmoni!

Ky është edhe qëllimi i muajit Ramazan, të jemi sakrifikues, të jemi ndihmës, të jemi durues, të jemi mirëkuptues, etj. Nëse nuk je i tillë me familjen tënde, nuk mund të jesh me asnjë tjetër.
⚘️
Hafize Elshani