Është e rrallë të shohësh fytyra të qeshura në trenat e Berlinit. Për shkak të një rregulli të pashkruar, të gjithë rrinë të heshtur me pamjen drejt nëpër S-Bahns dhe U-Bahns që kalojnë sipër e poshtë qytetit. Nëse shihni njerëz që po flasin, gjasat janë që ata të jenë turistë. E nëse jo vetëm flasin por dhe qeshin me të madhe, shanset janë që të jenë amerikanë.
Në një ditë me qiell gri në Berlin, vajza ime, Sofia, dhe unë po flisnim e po qeshnim me të madhe në një S-Bahn plot me pasagjerë gjermanë të heshtur. Vajza ime ishte 2 vjeçe e gjysëm por s’i pushonte goja njëherë. Kishim pak kohë që kishim ardhur në Berlin, dhe çdo gjë ishte e re për të.
Po shihja me vëmendje këtë zonjën e moshuar përballë nesh, dhe ndërkohë që po mendoja fjalët e duhura për t’i shprehur një keqardhje për zhurmën që po shkaktonim, gjëja më e papritur ndodhi: ajo qeshi.
Më në fund, thashë me vete, dikush që e kupton sesa e adhurueshme është vajza ime. Pastaj, zonja hapi çantën e saj dhe nxorri një karamele. Ajo as që më vështroi mua fare, e shtriu dorën për t’ia dhënë direkt Sofisë.
Më zuri paniku. Unë nuk i kisha folur ndonjëherë Sofisë se nuk duhet t’u besonte të panjohurve (me karamele)!
Brenda meje po kacafyteshin ashpërsisht impulse të kundërta: ta tërhiqja Sofinë dhe të dilja nga kabina? Apo të hiqesha sikur isha e qetë dhe të tregohesha e sjellshme me një të panjohur që sapo kishte bërë një gjest dashamirës?
Sofia u kthye dhe ma dha karamelen mua, një e qeshur e madhe në fytyrën e saj. Unë lejova, që logjika dhe mirësjellja të mbizotëronin: kjo gjyshe gjermane qartësisht nuk po tentonte të rrëmbente fëmijën tim, dhe s’kishte asnjë shans që ndonjë brisk prerës të mund të fshihej në një copëz karamele aq të vogël. Unë e mora atë nga Sofia, ia hoqa mbështjellësen, dhe ia dhashë përsëri vajzës sime. Ajo e futi karamelen në gojë – dhe, për çudi, ajo nuk vdiq!
Kjo përvojë më mësoi mua dy gjëra: e para, Berlinezët nuk e njihnin fare konceptin “e rrezikut nga të panjohurit” (angl. “stranger danger”) dhe e dyta, përshtypja ime se gjermanët ishin të paqeshur, jo të afrueshëm e që ishin të ashpër me fëmijët mund të ishte e pasaktë.
Ashtu siç do ta mësoja përgjatë 8 viteve të ardhshme në Berlin, shumë prej atyre që gjërave që dija për gjermanët ishte e gabuar – veçanërisht metodika që ata ndjekin për të rritur fëmijët.
Kur vajza ime mbushi 3 vite, ne ftuam një familje që e kishim njohur në piknik aty afër parkut të lagjes. Ishte një ditë pranvere me diell, dhe parkut i jepte bukuri gjithë ai gjelbërim i shtrirë dhe i qarkuar me pemë të larta. Ne zgjodhëm një pikë afër një fushe loje brenda parkut e cila kishte një mur guri përballë. Dy fëmijët e miqve tanë kërkuan që të shkonin te fusha e lojës.
“Patjetër”, u tha e ëma e tyre.
“A të shkoj dhe unë?” më pyeti Sofia. Unë dakordësova, dhe të tre ata vrapuan, dy vjaza tri vjeçe dhe një djalë 5 vjeç. Ata u zhdukën prapa murit, jashtë pamjes tonë. Asgjë tjetër nuk lëvizte. Mamaja e tyre filloi të bënte gati pjatat në shtrojën e piknikut. Burri i saj po bisedonte me timin për vendosjen e barbecues. Me atë ndjesinë sikur më kishte humbur diçka, u ngrita në këmbë. “Uhm… po shkoj unë,” i thashë.
“Oh!” mamaja tjetër më tha. “Janë mirë fort. Ata luajnë këtu gjithë kohës.”
“Ndoshta Sofia ka nevojë për ndihmë,” i thashë dhe u nisa drejt fëmijëve.
Edhe sot e kujtoj sesa e çuditshme më dukej asokohe që këta prindër nuk u rrinin mbrapa fëmijëve në fushëlojë. Pastaj unë pashë gjithë fëmijët e tjerë që loznin të pavrojtuar, ndërsa prindërit e tyre shijonin piknikun atje tutje duke biseduar me njëri – tjetrin dhe fëmijët shkonin e vinin vetë.
Kjo ishte një gjë normale në Berlin.
Prindërit nuk qëndronin si hije pranë fëmijeve në fushëlojë, shumica e të cilave ishin me struktura si anije druri të mëdha apo kulla në formë piramide metalike – ato ishin më të rrezikshme sesa ndërtesat tona tipike. Në Berlin, fëmijët në moshë shkolle, gjithashtu shkojnë në shkollë, park, dhe dyqane vetëm, ose të shoqëruar vetëm me ndonjë shok apo shoqe.
Rrallëherë prindërit ndërhyjnë në lojrat e fëmijëve, as kur ata zihen me njëri tjetrin, duke preferuar që ata ta gjejnë vetë zgjidhjen.
E gjitha kjo është pjesë e një kulture të përgjithshme të këtij vendi që quhet selbstandigekeit, ose vetëmjaftueshmëri.
Prindërit gjermanë besojnë se pavarësia është e mirë për fëmijët, se vetmenaxhimi i riskut është pjesë e domosdoshme e rritjes.
Kjo do të thotë se ata u besojnë fëmijëve të tyre gjithnjë e më shumë detyra ndërsa ata rriten dhe i vrojtojnë ata gjithnjë e më pak. Madje fëmijëve atje u japin të drejta që në moshë të vogël për të vendosur vetë për disa gjëra, përfshirë edhe nëse duhet pranuar një karamele nga një zonjë e moshuar në tren apo jo.
Fundi i një stereotipi
Ai imazhi i prindit gjerman të rreptë, autoritar, super strikt, dhe dënues është zhdukur qyshkur përfundoi procesi i de-Nazifikimit të vendit, kështu që jo vetëm nazistët, por edhe çdolloj mentaliteti i asociuar me të u hodh poshtë nga gjermania moderne, përfshirë këtu edhe edukimin e fëmijëve.
Kultura e Kontrollit
Unë gjithnjë e kam menduar veten si një prind i relaksuar, por jeta në Berlin më mësoi sesa shumë gjëra i kisha mësuar gabimit nga modeli i prindërimit në vendin tim.
Ne kemi krijuar atë që mund ta quajmë kultura e kontrollit. Në emër të sigurisë dhe arritjeve akademike, ne i kemi zhveshur fëmijët nga të drejtat themelore të lirisë: liria për të udhëtuar, të qëndrojnë të vetëm, qoftë edhe për disa minuta, të ndërmarrin rrisk, të luajnë, të mendojnë për veten, dhe nuk është se prindërit janë të vetmit ata që po e bëjnë këtë. Është e gjithë kultura në tërësi.
Rëndësia e prindërimit gjerman në jetën e fëmijëve
Ne nuk mund të pretendojmë se e vlerësojmë lirinë nëse nuk u japim fëmijëve tanë një shans për ta përjetuar atë.
Të kesh një fëmijë një gjermani
Kitas: Në Gjermani e quajnë anomali të jesh një mama që qëndron në shtëpi me fëmijët, 92% e të gjithë fëmijëve atje që nga mosha 0 – 3 vjeç i çojnë tek ato që quhen kitas, që është një shkurtim për kindertagesstatte, ose qendra e kujdesit të fëmijës, të cila nuk duhet të ngatërrohen me kindergarden, që janë çerdhet parashkollore, ato janë tjetër gjë.
Hebammen: të jesh një grua shtatzënë në Gjermani do të thotë se nuk janë mjekët ata që të japin kujdesin parësor shëndetsor, por janë asistentet (“hebammen” angl. “midwive”, mamie) ato që kujdesën për kohën e shtatzënisë qoftë në spital por edhe në shtëpi. Ato janë profesioniste të vërteta, të shkolluara specifikisht, dhe në fakt, ato nuk ia lejojnë vetes t’ia diktojnë një gruaje shtatzënë se çfarë duhet të bëjnë, misioni i tyre kryesor është t’i informojnë sa i takon kujdesit për fëmijën para lindjes, doktorët shfaqen në skenë vetëm nëse ka komplikacione gjatë lindjes.
Krankenhaus: Në Berlin gratë që duan të lindin fëmijët nuk është e thënë se duhet të shkojnë në maternitet, ato mund ta lindin foshnjën në shtëpi apo tek një klinikë afër lagjes së tyre, mjafton që paraprakisht të bëjnë një regjistrim paraprak pranë një spitali, me qëllim që në rast se ka komplikime të ofrohet mbështetja e tyre.
Bebet në Berlin: Në kohën pas-lindjes caktohet një tjetër asistente (“hebammen”) e cila i shkon sistematikisht në shtëpi gruas që ka lindur, për t’i dhënë kujdesin e pas-shtatzënisë, kjo nuk ndodh vetëm për gratë që kanë lindur vetë në shtëpi, por për të gjitha gratë caktohet asistentja/ndihmësja/gjysmëgruaja. E nëse mamatë nuk kanë një familjar apo të afërm që t’i ndihmojë me punë e shtëpisë dhe gatimin pas lindjes, në shtetin Gjerman këto gjëra i mbulon siguracion, kështu që ato mund të kërkojnë një asistencë afatshkurtër për këtë mbështetje.
Problemet e marrëdhënies mama-foshnje
Kur shkova për të kryer një kontroll mjekësor në krye të 12 muajve pasi kisha lindur djalin e vogël, pediatri më hodhi një vështrim dhe më tha “Ti nuk je në rregull, ke nevojë për ndihmë!”
Isha plotësisht dakord. Nuk e kujtoj mirë, por kisha një këputje, lodhje e vazhdoja të ndjehesha e sfilitur për disa muaj me radhë. Ai nxorri bllokun e recetave dhe më caktoi një konsultë me një specialist gjumi. Specialistja ime e gjumit Cathrin i filloi konsultat e saj me vizita sistematike në apartamentin tonë.
Ajo më bëntë pyetje të hollësishme në lidhje me sjelljen e djalit të vogël, dhe ajo donte të dinte në veçanti se çfarë ndodh kur unë i them djalit “Jo!” nëse ai kërkon diçka tekanjoze.
“Aha, unë e di krejt mirë se çfarë ndodh”, i thashë asaj. “Ai qan dhe zhgërryhet në dysheme.”
Cathrin ngriti vetullat. Ajo më la një shënim. “Gjëja e parë që duhet të bëjmë është që ta mësojmë djalin tënd pak e nga pak përgjatë ditës që ta pranojë fjalën “Jo!”, kështu do të mund t’i thuash “Jo” edhe gjatë natës.”
Cathrin më jepte këshilla specifike edhe sesi duhet t’i them “Jo!” fëmijës. Unë duhet ta thoja me një zë të butë, asnjëherë me duf, e nëse ai shpërthente në të qara, nuk duhej kurrsesi të ndërhyrja menjëherë, por duhet ta lija pak momente ashtu dhe ta vështroja. Mund të ndërhyja për ta rehatuar vetëm pasi ai të kishte pushuar së qari pa e marrë atë që donte.
Kështu, pak nga pak, djali im tekanjoz filloi të zbutej dhe të mos shpërthente në të qara. Unë ia raportova suksesin e metodës Cathrin, dhe ajo më tha se tashmë duhet të fokusohemi tek problemi i vërtetë: gjumi yt gjatë natës.
Në Gjermani kam vënë re edhe diçka tjetër. Takoja prindër të cilët më thonin se fëmijët e tyre shkonin vetë në shtrat për të fjetur pa asnjëlloj problemi. Një mama berlineze më tha një rast se vajza 18 muajshe shkonte të flinte vetë.
Një rast tjetër, teksa po merrja kafenë e pasdites te shtëpia e shoqes sime, ajo më kërkoi falje të shkonte të vinte beben e saj në gjumë. Ajo u kthye tek unë pas 5 minutash! Unë po prisja që të fillonin ulërimat dhe të qarat nga dhoma tjetër. Por asnjëra nga këto nuk ndodhi. “E zuri gjumi?”, e pyeta me mosbesim.
“Akoma jo”, më tha ajo. “Por do ta zërë pas pak. Ai është lodhur!”
“Sa fëmijë i çuditshëm”, thashë me vete.
Por nuk ishte diçka e pazakontë. Në fakt, është pjesë e një tradite të prindërve në Gjermani të cilët i inkurajojnë bebet e tyre ta gjejnë vetë rehatinë me veten e tyre.
Prindërimi gjerman dhe teoria e krijimit të varësisë
Unë nuk po arrija ta kuptoja dot domëthënien e kësaj metodës së gjermaneve me gjumin derisa m’u dha rasti të takoja Robert LeVine. Një profesor emeritus në Harvard për edukimin dhe zhvillimin e njeriut.
E gjitha kjo ka të bëjë me atë që quhet “ngjitja pas nënës”, ose “krijimi i varësisë ndaj saj” për të cilën e gjithë bota vijojnë të shkruajnë edhe sot.
LeVine më tha se ideja e krijimit të varësisë dhe ngjitjes pas nënës ka qënë një gabim i përhapur kulturor, ideja se fëmijës duhet t’i qëndrosh çdo sekondë nga pas, ta vrojtosh 24 orë non-stop, t’i thuash çfarë të bëjë e çfarë mos orë e minut, kjo metodë pra, e prindit helikopter i shkakton dëmtime serioze personalitetit të fëmijës kur të rritet, sepse ai nuk do të bëhet kurrë i zoti i vetes, do të zhvillojë modele ankthi, mungesë inciative, pasiguri, plogështi dhe i paaftë për t’i përballuar situatat vetë. E për këtë, nuk mund të fajësohet asnjë prind, por është kultura në përgjithësi që po e bën këtë dhe autorët e librave të cilat vazhdojnë t’i mbështesin këto metoda prindërimi.
LeVine propozon modelin e kulturës dhe vlerave gjermane. Prindërit gjermanë janë të njohur për faktin se e mbështesin fuqimisht konceptin e selbastigkeit, self-reliance, i zoti i vetes, tek fëmijët, dhe fillojnë t’ia rrënjosin fëmijës këtë që herët.
Fëmijë të pavarur
“Të rrisësh një fëmijë që bëhet i pavarur dhe i zoti i vetes është një proces që në Gjermani fillon që ditën kur lind dhe vijon gjatë gjithë zhvillimit”, shkruan profesori i pedagogjisë Dieter Spanhel.
Spanhel vazhdon më tej duke thënë se “një balancë duhet të gjendet gjithmonë në çdo fazë të zhvillimit, ndërmjet vrojtimit të fëmijës dhe lëshimit që të bëhet i vetmjaftueshëm”.
Romeo Largo, një pediatër zviceran thotë, “Shumë njerëz mendojnë se t’i qëndrosh afër, dhe mbajtja e një kontakti fizik sa më të ngushtë të prindërve me fëmijën krijon te fëmija një bazë të shëndoshë psikologjike dhe besimi. Kjo mua më duket një ide shumë e njëanshme.”
Largo shton më tej, “ta ndihmosh fëmijën të asimilojë selbstandigkeit” duke e mësuar të flejë vetë është thelbësore dhe është një shenjë që ata ndjehen të sigurtë. Njëherë që fëmijët kanë mësuar të flenë vetë, ata do të jenë më pak të ndërvarur nga rrethanat dhe do të vuajnë më pak nga frikërat e braktisjes kur të zgjohen gjatë natës në një dhomë të errët.”
Kita dhe Kindergarden
Gjatë kohës së qëndrimit në Kita djalit tim i mësonin aftësitë lëvizëse të mëdha dhe të imta, që janë të mësuarit për të ecur apo të mësuarit për të mbajtur lugën dhe pirunin. Asnjërën nga këto nuk ja mësuan sepse gjithçka ishte e parashikuar sipas një programi bazë të planifikuar, gjithçka aty mësohet përmes lojës, pra të mësosh duke luajtur.
E gjitha kjo bëhet qëllimisht. Gjëja më e rëndësishme që mësohet në Kita janë aftësitë emocionale dhe të koordinimit social në një grup, për të qënë gati-për-shkollë. Nuk është realisht mësimi i ABC-s apo i numrave – por është të mësosh si të komunikosh, të mësosh si të kërkosh ndihmë, si të pranojnë gabimet, si të zgjidhin problemet dhe zënkat. Këto janë bazat që u duhen përpara se të jenë gati për shkollë.
Në Gjermani kjo vazhdon edhe më tutje, në kindergarden, që vjen pas Kitas nuk lejohet në mënyrë kategorike mësimi i koncepteve shkollore, siç janë shkronjat dhe numrat e të tjera të kësaj natyre.
Fëmijë që mbajnë përgjegjësi
Një gjë tjetër e mrekullueshme ndodh kur i lejojmë fëmijët e vegjël që të vendosin vetë se çfarë duan të mësojnë. Ata bëhet shumë të interesuar.
Në Kitan tonë, procesi i të mësuarit ishte pothuajse i gjithi i drejtuar nga fëmijët. Në disa raste edukatorët mund të vërenin se fëmijët po diskutonin me njëri tjetrin në lidhje me një temë të nxehtë. Për shembull, kur rastisi kampionati botëror i futbollit, në vend që ta largonin, edukatorët krijuan një temë pikërisht për fussball “futbollin”. Njëherë vajza ime pati sugjeruar si temë mësimi “zemrën e njeriut” në këtë rast jo të gjithë fëmijët ishin të gatshëm të mësonin diçka kaq specifike kështu që edukatorët e zgjeruan temën nga zemra tek trupi i njerit, kështu të gjithë fëmijët shfaqnin interes.
Eskursionet
Përpara se të vinim në Gjermani, nuk do të kisha mundur kurrë as ta çoja në mendje që ta lejoja fëmijën tim të vogël ta kalonte natën diku tjetër pa mua. Por shumë shpejt, unë mësova se në Gjermani, fëmijët edukohen që të vegjël me konceptin e ubernachten (“overnights”, “kalim nate”) me gjyshërit, me shokët e tjerë, ose edhe me ata të kopështit.
Në çerdhen ku çoja vajzën time, përpara se ajo të bëhej 4 vjeçe, një edukator i ri ofroi që t’i merrte fëmijët në një kamp për dy netë. Kjo më bëri mua, ashtu si edhe shumë prindër të tjerë, mjaft nervozë e të stresuar, por në fund të gjithë pranuan.
Fillimi i shkollës
Ne isha mësuar që dita e diplomimit është një festë e madhe që duhet celebruar, por në Gjermani nuk është kështu, në fakt, është e kundërta, në Gjermani është dita e parë e shkollës që është festë e madhe, madje, një celebrim më i madh sesa dita e diplomimit.
Shkëputja ose pavarësimi i fëmijëve nga prindërit i shenjuar nga fillimi i shkollës do të përforcohej akomë më shumë pas pak javësh kur e gjitha klasa e vajzës sime do të niseshin për një udhëtim 1 javor sëbashku. Unë isha mësuar me kalimin e një nate gjatë kohës në Kita, por tani nuk ishin një apo dy netë, por 1 javë e tërë, për një 6 vjeçare. Unë s’e kisha provuar kurrë diçka të tillë kur kam qënë fëmijë vetë. Por në Berlin, këto udhëtimet e klasave në fillim të vitit ishin një praktikë e përbashkët dhe e zakonshme për të gjitha shkollat fillore. (Besoj se tashmë është e qartë se kjo lidhet direkt me konceptin e fillimit, self-reliance, të bëhesh i zoti i vetes).
Procesi i të mësuarit
Fëmijët atje nuk nxiten që të përparojnë shpejt, sepse pas klasës së pestë bëhet përsëri një ndarje sipas kapaciteteve dhe arritjeve, duke e lejuar çdo nxënës të ecë sipas ritmeve të kapacitetit të tij.
Pavarësisht theksit te përgjegjësia, shkolla e vajzës sime nuk jepte detyra shtëpie pothuajse fare. Në fakt, në klasën e parë, ajo s’ka patur fare.
“Interferon me kohën e familjes,” u ankua një nënë.
Ekspertët e edukimit në Gjermani thonë se detyrat e shtëpisë keqësojnë edhe më tej pabarazinë sociale. Nëse një fëmijë nuk e kuptuar mësimin në shkollë, ajo i ka gjasat shumë të vogla që ta kuptojë e vetme kur të kthehet në shtëpi – çka përbën një pikë të fortë avantazhi për fëmijët të cilët vijnë nga një status më i privilegjuar që i kanë prindërit më të arsimuar.
Nuk ekziston moti i keq
Gjermanët kanë një shprehje “Nuk ka mot të keq, ka vetëm veshje të papërshtatshme”.
Rëndësia e nevojës së domosdoshme për ajër të pastër i ka rrënjët thellë në Evropë. Në kontratën time të qerasë ishte një nen që thoshte se duhet t’i hapnim dritaret për ta ajror shtëpinë çdo ditë, sistematikisht. Çdo gjerman që kam njohur e bënte këtë gjë, edhe në mes të dimrit. Madje, ata sigurohen që edhe fëmijët e tyre të dalin jashtë në ajër të pastër të paktën 1 herë në ditë, pavarësisht motit.
Lirshmëria për të lëvizur
Kur vajza ime u regjistrua në shkollë, një ditë në postën time erdhi edhe një letër në të cilën shkruheshin këshilla për fillimin e shkollës e ndër to edhe një kërkesë që specifikonte që prindërit nuk duhet t’i shoqërojnë fëmijët për në shkollë. Ata duhet vetëm t’ua mësonin rrugën për të shkuar në këmbë dhe pastaj të mos i shoqëronin fëmijët.
Fëmijët gjermanë mësojnë sesi të qarkullojnë nëpër rrugët e qytetit me prindërit e tyre dhe mësuesit. Krahas matematikës, leximit, dhe lëndëve të tjera, shkollat fillore të Berlinit kanë kurrikula specifike për “trafikun dhe edukimin e qarkullit.”
E njëjta gjë vlen edhe për supermerkatën. Nuk ndodh të shohësh fëmijë në gjermani që shoqërohen nga prindërit për në supermerkatë, ata shkojnë vetëm ose me ndonjë shok apo shoqe.
Prindërit gjermanë nuk janë kavalierë të çmendur që i lejojnë fëmijët të lëvizin vetëm. Kur e pyeta një nënë gjermane Annekatherin, me rastin e festës së gruas, ajo më tha se e urrente kur fëmijët e saj, që ishin 8 dhe 10 vjeç, shkonin vetëm tek shtëpia e gjyshes, një udhëtim që kërkonte 4 ndalesa në U-Bahns në Berlin. Por pse i lejonte ajo atëherë?
Arsyetimi i saj ishte mjaft i thjeshtë: “Unë dua që ata të fitojnë pavarësi dhe krenari për atë që arrijnë të bëjnë,” tha ajo. “Nëse unë jam gjithmonë me ta, ata s’do të mundeshin kurrë!”
Dhe për ta mbyllur, leksioni më i madh që unë mora në Gjermani është se fëmijët e mi nuk më përkasin realisht mua. Ata i përkasin fillimisht dhe përpara së gjithash vetes së tyre. Unë e dija këtë gjë më përpara në nivel intelektual, por kur pashë gjermanët që këtë princip e vinin në praktikë, atëherë e pashë sesi filloi të ndryshonte sjellja ime.
Shkolla e suksesit