Nga Veranda Mataj-Psikologe
Veset janë sjellje të mësuara që zhvillohen si një formë argëtimi tek një fëmijë i mërzitur, ose si një mekanizëm për të përballuar dhe zbutur ankthin. Nëse shihni fëmijën duke ngrënë thonjtë apo duke përdredhur flokët, rikujtoni nëse fëmija juaj së fundmi ka përjetuar një situatë stresuese. Nëse po, sjellja apo zakoni është një mënyrë që fëmija po përdor për të çliruar tensionin dhe emocionet.
Po ashtu ka fëmijë që përfshihen në zakone të tilla kur janë në gjendje të qetë, si p.sh. para se të bien të flenë. Ose këto zakone mund të jenë të mbartura nga foshnjëria. Pasi gjatë foshnjërisë, thithja e gishtit është një sjellje qetësuese e zakonshme që lidhet me kënaqësinë e të ngrënit dhe fundin e urisë. Andaj, kjo sjellje mund të zgjasë edhe gjatë fëmijërisë për shkak të asosacioneve pozitive që ajo ka për fëmijën.
Arsye tjetër pse fëmijët përfshihen në këto zakone është edhe t’i tërheqin vëmendjen prindërve të tyre. Kur fëmijët ndjejnë se prindërit nuk po i kushtojnë vëmendjen e dëshiruar, ata përfshihen në sjellje të tilla bezdisëse, pasi e dinë se do provokojnë reagime të prindërve.
Në rast se sjellja nuk zbehet
Është e rëndësishme që prindi të mos alarmohet ndaj këtyre sjelljeve, por as të mos i neglizhoj fare ato. Për t’i ardhur në ndihmë fëmijës në zhdukjen e këtyre zakoneve, kini parasysh hapat e mëposhtëm:
– Tregojini fëmijës se çfarë nuk ju pëlqen tek sjellja dhe pse. Këtë mund ta aplikoni me fëmijët 3-4 vjeç, kështu i ndihmoni të vetëdijesohen për problemin. Për shembull, mund t’i thoni “Nuk më pëlqen kur të shoh duke ngrënë thonjtë, nuk ngjan mirë, mund të mos e bësh më këtë sjellje”? dhe nëse e shihni përsëri duke e bërë këtë sjellje mos e qortoni. Ndëshkimi, përqeshja apo kritika në këtë rast mund ta përforcojë sjelljen.
– Përfshijeni fëmijën në procesin e zhdukjes së vesit. Nëse fëmija juaj 5-vjeçar vjen në shtëpi duke qarë se fëmijët e kopshtit e kanë përqeshur për thithjen e gishtit, duhet të përfitoni nga rasti pasi ai po ju kërkon ndihmë dhe po e kupton që ka bërë një sjellje jo të pranuar tek të tjerët. Pyeteni fëmijën nëse duan ta shmangin këtë sjellje dhe si mendojnë se mund t’ia arrijnë kësaj. Ndërkohë jepni edhe ju sugjerimet tuaja.
– Ofrojini sjellje alternative. Sa herë që fëmija juaj bëhet gati për të ngrënë thonjtë angazhojeni në një punë ku i duhet të përdori duart. Kështu e bën më të vetëdijshëm ndaj sjelljes së tij dhe sa herë që ai do bëhet gati për të ngrënë thonjtë do kujtohet që të angazhojë duart në diçka tjetër.
– Shpërbleni vetëkontrollin. Sa herë që fëmija vetëpërmbahet nga vesi, përforcojeni pozitivisht duke i dhënë një shpërblim. Nëse një sjellje e mirë nuk shpërblehet mund te zbehet shumë shpejt.
– Për të pasur sukses në zhdukjen e një vesi, fëmija ka nevojë për motivim. Ashtu siç ka dashur kohë për t’u zhvilluar, vesi do kohë edhe për t’u hequr e për t’u zëvendësuar me një sjellje tjetër alternative. Andaj duhet durim. /Familjadheshendeti.com