Shkruan: Hafize Elshani, gazetare
Vetëvrasjet në Kosovë si fenomen shqetësues janë në rritje, por kush po i ndihmon kësaj dukurie negative të lulëzojë.
Gazetarja Hafize Elshani ka bërë një hulumtim, ku nga kërkimet në internet kanë rezultuar faqe, portale të veçanta për këto gjëra dhe forume në rrjetet sociale në të cilat ju ofrohen “këshilla” se si njerëzit ta vrasin veten, madje duke ua ilustruar edhe me foto.
Të ashtuquajturat “portale” dhe “forume” janë faqe të hapura në google, në të cilat shfrytëzuesit e internetit mund të kenë qasje të lehtë, duke kërkuar mënyra se si të kryjnë vetëvrasje.
Gazetarja Elshani gjatë hulumtimit ka gjetur fakte, ku këto faqe i udhëzojnë të tjerët se si t’ia marrin vetes jetën. Disa nga mënyrat që ata rekomandojnë janë mjaft shqetësuese dhe të rrezikshme. Gazetarja posedon edhe fotografi dhe komente, se si u përgjigjen atyre që shtrojnë pyetje në këto forume rreth vetëvrasjes, përzirje të ndryshme dhe forma të tjera.
Qasja e lehtë në këto forume dhe portale si dhe kërkimet e tilla nga njerëzit në gjendje depresive kanë shtyer gazetaren Elshani t`i hulumtojë këto “grupe”, dhe ka rezultuar se aty gjenden qindra persona të cilët ju drejtohen duke kërkuar “këshilla” të tilla për t’ia shuar vetës jetën.
Mimoza (emri i saj i vërtetë është i njohur për redaksinë dhe gazetaren Elshani), është vajza e cila ishte viktimë në një situatë të tillë. Ajo për gazetaren rrëfen tërë ngjarjen dhe faktorët që ndikuan për ta ndërlikuar edhe më shumë gjendjen e saj. “Isha në një gjendje depresive dhe nuk dija ta kontrolloja vetën. Fillova të kërkoj në internet lidhur me atë se si t’ia merr jetën vetës, të bëjë vetëvrasje”, tregon ajo.
Mimoza pasi që kërkoi në një forum grup në internet, pa që aty është e hapur dhe ka mundësi të shkruaj çdokush. Ajo thotë se problemin e saj nuk dëshironte ta dinte familja, andaj zgjidhje ka kërkuar diku tjetër. “Kam qenë në gjendje depressive, nuk dojsha me e kuptu familja që kam probleme edhe rashë në gjendje shumë të rëndë, sa fillova me mendu edhe me ia marr vetes jetën, dikur u lodha nga kjo gjenjde veç tu kajt, ia nisa as bukë mos me hanger ma, edhe t’u u thellu fillova me kërku në internet qysh me e vra vetën sigurt direkt. Hasa me një grup-forum në google që na udhëzojke qysh me vra vetën në gjuhën shqipe dhe ishin komentuesit që tregonin që janë nga komuna të ndryshme të Kosovës, por ishin edhe të Shqipërisë që hynin aty. Po ashtu një portal që jepke ilustrime me foto se çka duhët me ba”, rrëfen Mimoza.
Ajo tregon se si ra në ndikimin e këtyre gjërave që po gjinden në internet por edhe për pasojat që i bart. “Unë lexova shumë, edhe e pashë që një metodë më së shumti cekej aty, mora përzierjet që u ceknin aty, mandej kalun 10-15 minuta filloi tuj mu trubullu sytë, edhe mandej kam ra pa ndjenja në tokë. Familja me ka dërgu në spital dhe aty jam kthjellë, por edhe aty nuk kam treguar duke thënë se kam pasur dhimbje koke dhe kam perdorur dy-tre hapa kunder dhimbjës”, thotë ajo.
Pasi e tejkaloi këtë situatë Mimoza apelon tek organet e rendit që këto grupe të mbyllen pasi sipas saj janë ide të cilat njerëzit me depresion i praktikojnë dhe ka shumë pasoja, siç janë humbja e kujtesës me javë, dëmtimet e organizmit, e deri të më e keçja vetëvrasja.
Lidhur me këto “grupe” në internet, gazetarja Hafize Elshani ka kontaktuar me Policinë e Kosovës, konkretisht Departamentin për Krime Kibernetike, por ata nuk kanë pasur informacione për raste të cilat gazeta i ka hulumtuar. “Ne po percjellim disa raste që ndërlidhen me krimet kibernetike por jo në mënyrë specifike me rastet e apostrofuara nga ana juaj dhe gjithashtu ju inkurajojmë që, nëse eventualisht hasni në diçka të tillë apo vini në dijeni se është duke u tentuar të kryhet ndonje veprim i till, të na dërgoni informacionet relevante në mënyrë që edhe në të marim masat e nevojshme konform kompetencave apo t’i adresojmë ato”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Por si ndikojnë këto faqe tek personat me situatë të luhatshme emocionale. Doktor Fahri Drevinja, neuropsikiatër nga Instituti i Psikiatrisë thotë për gazetaren se ka dëgjuar lidhur me këto grupe dhe forume ku ka pasur raste që qasen persona nga kurreshtja, ku me vonë i përvetësojnë forma të sjelljës së ngjajshme me dikë aty, kundër jetës së tyre që do të thotë vetëvrasje, ku ka qenë dhe rasti i Balena blu që është ndaluar, mirëpo ka edhe të tjera të cilat ende janë të disponueshme.
Neuropsikiatri Drevinja i tha gazetares se në këto faqe qasen personat nga kurreshtja, ku me vonë indikohën dhe mund të ketë mundësi që të ketë raste të tilla, në qoftë se vetë një rast të jetë i cili e merr këtë model të sjelljës dhe kryen vetëvrasje për ne është humbje e madhe.
Sipas dr. Drevinja këto grupe duhet të mbyllen dhe të lajmërohën në shkolla dhe gjithë prindërit, poashtu thekson se personat që qasen në këto faqe nuk janë vetëm me depresion, por mund të jenë edhe me çrregullime të tjera mendore.
“Këto lloj forumesh duhet të ndalohen dhe duhet të lajmërohen të gjithë prindërit nëpër shkolla, sidomos në shkollat fillore, që të përcillen të rinjtë dhe mos t’i ndjekin këto faqe, udhëzime dhe forma jo njerëzore dhe mjaft të dëmshme për të gjithë. Personat e tillë nuk vuajnë vetëm nga depresioni i të gjitha shkallëve, por mund të vuajnë edhe nga ndonjë çrregullim tjetër mendor dhe bëhet kurreshtar për këto forma antiqenie njerëzore dhe degjenerues”.
Lidhur me udhëzimet e perzierjeve të ndryshme që përmenden në këto grupe me barna dhe lloje të tjera, neuropsikiatri thotë për ‘Familja dhe Shëndeti’ se ka raste të tilla ku i bëjnë këto përzierje të ndryshme insecticide dhe lloj-lloj helmi dhe anksiolitikë. Drevinja thotë se këto janë forma dhe modele të rrezikshme për personat të cilët vuajnë nga semundjet e ndryshme psiqike.
Drevinja thotë se numri i vetëvrasjeve në Kosovë ka trend të rritjes duke theksuar se depresioni paraqet rrezik më të madh edhe për faktin se vitet e fundit depresioni ka tendencë të prekjes së moshave më të reja dhe të rinjtë.
Në anën tjetër psikologu Latif Hoxha, thekson se vetëvrasjet janë të zakonshme tek rastet me depresion klinik apo depresion të rëndë. Madje sipas tij, edhe tentativa dhe kryerja e aktit fatkeqësisht shpesh është i pranishëm dhe jo rrallë herë edhe përkundër ndihmës, ata e realizojnë vetëvrasjen. Sa i përket ekzistimit të ketyre forumeve dhe qasjeve të lehta në to, psikologu thotë se kur dikush në një mënyrë apo tjetër i nxit atëherë mundësitë për të tentuar dhe realizuar vetëvrasjet shumëfishohen. “Lidhur me rastin në fjalë, kur dikush në një mënyrë apo tjetër i nxit, atëherë mundësitë për të tentuar dhe realizuar vetëvrasjet shumëfishohen, pasi që njerëzit në një gjendje të tillë janë sugjestibil dhe edhe ashtu nuk shohin shumë alternativa për të dalë nga kjo gjendje. Kjo është arsyeja që e kanë si opsion ndonjëherë të vetëm vetëvrasjen. Pra, përfundimisht ndikohen lehtë dhe fuqishëm, sidomos ata me depresion të rëndë. Fatëkeqsisht shumica e vetëvrasjeve mbesin engimatike dhe fare rrallë janë me pusullë të lënë pas vete. Zakonisht nuk i flasin alternativat, por njëra nga këto mund të jetë nxitja përmes këtyre faqeve. Në rastet që kam trajtuar nuk më kanë thënë ndonjë nga klientët që është nxitur nga ndonjë faqe e tillë, por ne zakonisht ju rekomandojmë sa më pak rrjete sociale për shkak të mundësisë së keqinterpretimit të simptomave”, deklaron psikologu Latif Hoxha.
Sipas Policisë së Kosovës, e cila posedon rastet e paraqitura në Drejtorinë e krimeve kibernetike nga viti 2014: në vitin 2014 kanë qenë 24 raste dhe 80 asistime, gjatë vitit 2015, 34 raste dhe 118 asistime, në vitin 2016 kanë qenë 40 raste dhe 152 asistime, për gjatë vitit 2017 kanë qenë 48 raste 199 asistime, në vitin 2018 kanë qenë 43 raste dhe 210 asistime. Sipas policies, rastet kryesisht kanë të bëjnë me: hyrje në sisteme kompjuterike (sulme ndaj ueb-faqeve dhe platformave të ndryshme); keqpërdorim i kartelave bankare dhe të kreditit (vjedhja e të dhënave bankare të klientëve të bankave përmes vendosjes së pajisjeve të modifikuara si dhe klonimi dhe përdorimi i kartelave bankare apo të kreditit), si dhe shkarkim dhe shpërndarje e materialeve me abuzim seksual të fëmijëve përmes internetit.
Lidhur me këtë çështje shumë të ndieshme, gazetarja ka kontaktuar dhe me dr. Arsim Gerxhaliu nga Mjekësia Ligjore, i cili tha se sa i përket këtyre këshillave në rrjetet sociale dhe këto faqe janë jashtë kontrolli dhe është e tmerrshme se si falas të udhëzojnë se si ta vrasësh vetën me lehtë dhe me pak dhimbje. Sipas tij, këto faqe duhet të cenzurohen menjëherë.
Gërxhaliu tregon se ka pasur raste të tilla, ku nga mosha 8, 9 e deri në 12 vjeç kanë bërë vetëvrasje në forma të tilla. Po ashtu, ai thotë se kjo gjë përbën rrezik edhe më të madh duke ditur faktin se fëmijët në kohet e sotme janë të kyçur shumë në rrjetet sociale, dhe se ka raste të shumta të përdorimit të pesticideve, sidomos në vendet rurale, ndërsa përdorimi i barnave më shumë është në vendet urbane.
Sipas Policisë së Kosovës, që nga viti 2018 janë evidentuar 37 vetëvrasje. Ndërsa, nga janari i këtij viti e deri në muajin gusht janë evidentuar 15 vetëvrasje.
Raportet e Policisë së Kosovës flasin për rritje të ndjeshme të numrit të tentim vetëvrasjeve në Kosovë. Kjo rritje, sipas ekspertëve të fushës vjen si pasojë e traumave të ndryshme.
Ferdi Kamberi, sociolog thotë se këto faqe në internet nënkuptojnë një shtytje, stimulim të viktimës drejtë aktit të tillë vetëvrasës. “Së fundi, një faktor që del të jetë serioz dhe që pothuajse ka qenë shumë pak i pranishëm në të kaluarën në shoqërinë kosovare, është edhe interneti ose informatat në disa faqe, qofshin në gjuhë të huaja apo në gjuhën shqipe, ku flitet për metodat e vetëvrasjes, gjë që nënkupton një shtytje, stimulim të viktimës drejt aktit të tillë. Faqet e tilla krijojnë disa norma sociale të devijuara, të cilat shumë lehtë mund t’i shtyjnë viktimat drejtë akteve të tilla.”
Sociologu Kamberi thotë për gazetën se këto “norma” të cilat vijnë nga frekuentimi i rrjeteve sociale apo faqeve të ndryshme, janë një lloj presioni psikologjik dhe social mbi individin që dërgon deri tek një akt i tillë vetëvrasës.
“Shoqëria është e ndërtuar në një mënyrë të atillë që inkurajon shumë devijime nga sjellja normale dhe e supozuar, “normat sociale, ose qëllimet e pranuara shoqërore, ushtrojnë presion mbi individin të konformojë sipas rregullave të shoqërisë, që ose të punojë brenda strukturës që shoqëria ka prodhuar, ose të bëhet anëtar i një nënkulture jo të pranueshme, si një përpjekje për t’i arritur ato qëllime”. Kjo do të thotë se këto “norma” të cilat vijnë nga frekuentimi i rrjeteve sociale apo faqeve të ndryshme janë një lloj presioni psikologjik dhe social mbi individin që dërgon deri tek një akt i tillë”, tha Ferdi Kamberi sociolog për gazetën.
Çka duhet të ndërmerret lidhur me këtë çështje, tregon sociologu Kamberi duke thënë se këto faqe në të shumtën e rasteve janë “fake/anonime” dhe nuk dihet se kush qëndron prapa tyre. Faqet e tilla mund të jenë pjesë e kulteve fetare ose sekteve të ndryshme , po ashtu Kamberi thotë se faqet e tilla në shumë shtete të zhvilluara monitorohen nga institucionet e sigurisë, për shkak se paraqesin rrezik potencial për individin, komunitetin dhe vetë shoqërinë.
“Bota bashkëkohore sfidohet çdo ditë e më shumë nga faqe të tilla dhe mjafton që të futesh në google për eksplorime rutine dhe të hasësh në shumë faqe të cilat në të shumtën e rasteve janë “fake/anonime” dhe nuk dihet se kush qëndron prapa tyre. Faqet e tillë mund të jenë pjesë e kulteve fetare ose sekteve të ndryshme të cilat janë të pranishëm me një numër goxha të madh në vendet e zhvilluara ose mund të jenë edhe pjesë e agjencive të ndryshme që kanë qëllime të fshehta.
Mirëpo, në shumë shtete të zhvilluara, faqet e tilla monitorohen nga institucionet e sigurisë për shkak se paraqesin rrezik potencial për individin, komunitetin dhe vetë shoqërinë. Në rastin e Kosovës, konsideroj se duhet një mobilizim më i madh i vetë shoqërisë, së pari duke i trajtuar personat që kanë probleme të tilla duke i pranuar në shoqëri, duke i integruar, duke komunikuar dhe duke i kushtuar vëmendje më të madhe, nisur nga vetë familja si agjens i parë i socializimit, pastaj rrethi – shoqëria e deri tek institucionet përkatëse”, u shpreh sociologu për ‘Familja dhe Shëndeti’.
Sociologu Kamberi thotë se institucionet e sigurisë, duhet të monitorojnë më shumë faqet e rrjeteve sociale dhe faqet tjera, në mënyrë që të shihet se kush qëndron prapa tyre dhe personat e tillë të sillen para drejtësisë. Qytetarët të cilët hasin në faqe të tilla duhet të kenë një vetëdijesim më të lartë mbi pasojat që sjellin faqet e tilla, si dhe të bashkëpunojnë me institucionet e sigurisë, sepse gjërat e tilla mund të kenë pasoja fatale. Një shembull lidhur me këtë, vitin e kaluar kishim lojën e famshme “balena blue” e cila rezultoi me humbjen e jetëve të shumë fëmijëve anembanë botës dhe kishte arritur edhe në Kosovë, por që me një mobilizim gjithë shoqëror dhe vetëdijesim edhe të shoqërisë, fatmirësisht nuk pati ndonjë pasojë. Prandaj, mund të themi se nëse nuk merren masa adekuate për parandalimin/bllokimin e faqeve të tilla, druaj se pasojat nesër mund të jenë të mëdha.
Megjithëse, në aspektin juridik një gjë e tillë penalizohet përmes Kodit Penal, përkatësisht “Neni 177 – Shtytja në vetëvrasje dhe ndihma në vetëvrasje: thekson se: “1. Kushdo që shtytë ose ndihmon personin tjetër për të bërë vetëvrasje dhe vetëvrasja kryhet, dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet”. Prandaj, faqet e tilla qofshin ato anonime apo jo paraqesin një rrezik potencial për motivimin e viktimave drejt aktit të tillë fatal.
Lidhur me këtë çështje neuropsikiatri Fahri Drevinja thotë se kjo dukuri duhet të luftohet me të gjitha mekanizmat që posedon shteti, të kthehen pedagogët në shkolla dhe të ketë psikologë në çdo shkollë në Kosovë dhe punëtorë social. Nga vet shteti dhe Policia të hartohet një strategji kombetare kundër vetëvrasjëve.
Por vet shteti nuk ka ndonjë informacion lidhur me këto faqe dhe grupe që janë në gjuhën shqipe dhe ende nuk dihët se kush qendron prapa tyre, se kush janë këta persona që po i udhëzojnë se si njerëzit të ia marrin jetën vetës, duke i mësuar se si të vetëvriten në forma të ndryshme madje edhe duke ilustruar me foto të shumta.
Në anën tjetër njohësja e çështjeve ligjore Bedrie Rexhepi që është avokate, për portalin Familja dhe Shëndeti tha se Neni 177 parasheh që personat që bëjnë shtytje në vetëvrasje dhe ndihma në vetëvrasje, parasheh si vijon: Kushdo që shtyt ose ndihmon personin tjetër për të bërë vetëvrasje dhe vetëvrasja kryhet, dënohet me burgim prej 1 deri në pesë vjet.
Avokatja Rexhepi thotë se shfrytëzimit të rrjetëve sociale me motive vetëvrasje tani me shumë se kurrë duhet t’i kushtohet kujdes, sidomos të miturve dhe kujdesi nuk duhet të mungojë nga prindërit dhe as nga kujdestari në shkolla, më tutje Rexhepi shton se institucionet shtetërore nuk kanë bërë mjaftueshëm për t’i kontrolluar këto faqe, grupe, forume dhe për t’i mbrojtur fëmijët dhe personat e tjerë nga këto dukuri negative që vijnë nga rrjetet sociale, e që janë mekanizëm nxitës drejtë sjelljeve jo sociale.
“Duke analizuar kodin penal të Kosovës dhe ligjin për mbrojtën e të drejtave të fëmijëve, rezulton që fëmijët janë shumë të ekspozuar ndaj rreziqeve në internet.
Duhet ndërhyrje urgjente në amendimin e Kodit Penal për të përfshirë të gjitha këto vepra penale që cenojnë sigurinë e fëmijëve në internet dhe Ligji i të Drejtave të Fëmijëve të përfshijë procedura specifike për mbrojtjën e fëmijëve gjatë perdorimit të internetit dhe çfarë masash duhët të merren nga njësitë për mbrojtjën e fëmijëve dhe policia për të mbrojtur fëmijët nga rreziqet në rrjetet sociale. Sipas Nenit 32 të Ligjit për mbrojtjën e fëmijëve thuhet se: Fëmijët mbrohen nga publikimet, filmat, lojërat, muzika ose llojet e tjera të mediave elektronike ose të shkruara, të cilat janë të dëmshme për shëndetin apo zhvillimin e tyre”, tha avokatja Rexhepi për gazetaren Elshani.
Ndërsa, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë rreth 800 mijë njerëz në vit vdesin nga vetëvrasja, që i bie një person çdo 40 sekonda.
Gazetarja hulumtuese Hafize Elshani posedon dhe dëshmi nga këto grupe se si janë perdorur komente duke i treguar të tjerëve se si duhet të ia marrin jetën vetës, dhe duke ua ilustruar dhe me foto, por për shkak të ndjeshmërisë dhe kahjes tjetër që mund ta marrin, këto fakte nuk mund të postohen këtu.
Prapa këtyre grupeve “kriminale” nuk dihet se kush po qëndron dhe vet shteti policia e Kosovës deri më tani nuk ka asnjë informacion lidhur me këtë çështje.
Ky hulumtim është bërë nga Gazetarja Hafize Elshani, dhe është postuar këtu me të drejtën e saj autoriale./www.familjadheshendeti.com