Mr.Ph. Laureta Berisha Kosumi, farmaciste
Të përballur me gjendjen më të vështirë prej kohës së luftës siq është COVID-19, si profesionistë jemi të prirur të mirëinformojmë popullin tonë rreth të gjitha produkteve që qojnë në mirëqenien e tyre të plotë shëndetësore. Të përballur me shumë informata nga zëra të ndryshëm jo profesional, të cilët mund të shfrytëzojnë situatën edhe për përfitime materiale, duke i shtyer popullin të blejnë suplemente të ndryshme, madje duke mos marrë as informata adekuate rreth tyre, kohës së reagimit në organizëm, dozës ditore, apo edhe më keq duke u këshilluar të marrin doza aq të mëdha që qojnë në toksicitet të organizmit, me idenë se në këso forme do të mbrohen nga COVID-19 apo Coronavirus, duhet pasur kujdes se nga cilat burime informohemi.
E kuptoj popullin tim sepse ndodhet në një situatë tërësisht të re dhe mjaft stresuese në çdo drejtim, por i këshilloj që të marrin informata të sigurta nga profesionistë të fushave përkatëse. Nuk është e lehtë të jipen këshilla qoftë edhe për vitamina dhe minerale, ngaqë shumë prej tyre ndërveprojnë edhe me barna dhe ushqime të tjera, gjë që mund të çojë në përkeqësim të shëndetit të personave që i marrin. Nuk mund të thuhet se kaq gram të kësaj vitamine mund t’ju mbrojnë, sidomos ndaj një virusi që ka befasur botën, i cili pëson mutacione (ndryshime) të vazhdueshme.
Më poshtë do të paraqesim disa nga vitaminat dhe mineralet që qojnë në rritje të imunitetit dhe ofrojnë barrierë më të fortë të organizmit tonë, mirëpo kjo nuk do të thotë që me marrjen e suplementeve të tilla, mund të ndihemi të sigurt dhe të mos përfillim masat e vëna nga IKSHPK dhe Ministria e Shëndetësisë, të cilët i falënderojmë që janë pranë qytetarëve në çdo kohë.
A mund të ndikojnë aq shpejtë në rritjen e imunitetit tonë, suplementet që marrim?
Sistemi imunitar përbëhet nga sistem kompleks i qelizave, proceseve dhe kimikateve që mbrojnë vazhdimisht trupin tonë kundër patogjenëve pushtues, përfshirë viruset, toksinat dhe bakteriet.
Shumë e rëndësishme është të mbajmë një sistem imunitar të shëndetshëm gjatë gjithë vitit, ngaqë është thelbësore për parandalimin e infeksioneve të ndryshme dhe sëmundjeve që vijnë si shkas i rënies së imunitetit. Ushqim i shëndetshëm, gjumë i mjaftueshëm dhe stërvitjet (të cilat mund ti realizoni edhe në shtëpi) janë bazë për të forcuar sistemin imunitar. Poashtu, vitaminat dhe mineralet që paraqesim më poshtë, janë ndër thelbësoret për ruajtjen dhe mbarëvajtjen e sistemit tonë imunitar.
Ajo që kam hasur gjatë punës sime në kohën kur është shfaqur virusi COVID-19 në vendin tonë, është edhe kërkesa shumë e madhe e klientëve për të marrë sa më shumë vitamina dhe minerale. Krahas marrjes është edhe dëshira e madhe e tyre për të reaguar sa më shpejtë në organizëm
Por, a reagojnë kaq shpejtë këto suplemente në organizëm, do ju përgjigjemi në vijim.
Vitaminat e tretshme në ujë siq janë vitamina C dhe kompleks vitamina B, funksionojnë më shpejtë sesa lëndët ushqyese të tretshme në yndyrë siq janë vitaminat A, D, E dhe K.
Disa nga lëndët ushqyese lidhen me ujin dhe thithen shpejt në indet. Ushqyesit e tjerë lidhen me yndyrën, duke qëndruar shumë më gjatë dhe zakonisht rezulton në kohë më të gjatë në indet e organizmit.
Pra, vitaminat e tretshme në ujë reagojnë më shpejtë në organizëm sesa ato të tretshme në yndyrë.
Cilat janë vitaminat dhe mineralet që duhet ti kemi patjetër në sasi të mjaftueshme për të rritur imunitetin?
VITAMINA D
Në periudhën që ndodhemi të izoluar në shtëpitë tona, është mjaft logjike të kemi rënie të theksuar të vitaminës D, duke pasur parasysh se kjo vitaminë mirret direkt nga rrezet e diellit, atëherë e këshillueshme është që të marrim edhe si supplement.
Vitamina D ështe ndër vitaminat e vetme që trupi ynë nuk mund ta prodhojë vetvetiu. Burimi kryesor në prodhimin e vitaminës D janë rrezet e diellit. Vitamina D eshte e domosdoshme per rregullimin e nivelit të kalciumit dhe fosforit në organizmin tonë, duke luajtur rol kyq në mbajtjen e strukturës normale të eshtrave. Ne kemi nevoja esenciale për vitaminë D, ngaqë trupit tonë i duhet të absorbojë kalcium dhe fosfor nga dieta jonë e përditshme ushqimore. Këto minerale janë të rëndësishme për të mbajtur eshtrat, dhëmbët dhe muskujt e shëndetshëm. Tek fëmijët mungesa e vitaminës D mund të çojë në rake. Në të rriturit, kjo mund të çojë në osteomalacia, e cila shkakton dhimbje kockore dhe butësi te eshtrave.
Më gjerësisht rreth kësaj vitamine e keni linkun e mëposhtëm:
https://www.familjadheshendeti.com/roli-dhe-rendesia-e-vitamines-d/
2. ZINKU
Zinku është një element gjurmë që është i nevojshëm për një sistem të shëndetshëm imunitar, mungesa e këtij elementi mund t’na bëjë shumë më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve.
Zinku gjindet në ushqime të ndryshme, por është gjithashtu i disponueshëm si një shtesë dietike.
Marrja adekuate e zinkut është veçanërisht e rëndësishme për fëmijët, sepse edhe mungesa e butë e zinkut mund të pengojë rritjen dhe zhvillimin, çon në rritjen e rrezikut të infeksionit dhe rritjen e rrezikut të diarresë dhe sëmundjeve të frymëmarrjes.
Futja e rekomanduar për fëmijët 1-8 vjeç variron nga 3-5 miligramë, duke rritur dozën me rritjen e fëmijës.
Doza ditore e zinkut është 8 miligram (mg) në ditë për gratë dhe 11 mg në ditë për burrat.
• Burimet ushqimore të zinkut:
Burimet më të mira të zinkut janë fasulet, arrat, peshku dhe ushqimet tjera të detit, mishi, drithërat dhe produktet e qumështit.
Vegjetarianët mund të kërkojnë deri në 50% përqind më shumë sesa marrja e rekomanduar e zinkut, për shkak të disponueshmërisë së ulët të zinkut nga ushqimet me bazë bimore.
Zinku është i nevojshëm për zhvillimin dhe komunikimin e qelizave imune dhe luan një rol të rëndësishëm në reagimin inflamator.
Një mangësi në këtë lëndë ushqyese ndikon ndjeshëm në aftësinë e sistemit imunitar për të funksionuar siç duhet, duke rezultuar në një rrezik të rritur ndaj infeksioneve dhe sëmundjeve, përfshirë pneumoninë. Poashtu, shtojcat e zinkut na mbrojnë ndaj infeksioneve të traktit të sipërm respirator si ftohja e zakonshme.
Andaj, marrja e dozave të rekomanduara ditore është mjaft efikase në rritjen e imunitetit.
3. VITAMINA C
Vitamina C (acidi askorbik) është një vitaminë esenciale për organizimin për të ndërtuar enët e gjakut, kërcin, muskujt dhe kolagjenin në eshtra. Vitamina C është gjithashtu thelbësore për procesin e shërimit të organizmit.
Vitamina C mund të ndihmojë në mbrojtjen e qelizave kundër efekteve të radikalëve të lira, të cilat kanë një rol negativ në sëmundjet e zemrës, kancerin dhe sëmundjet e tjera. Vitamina C gjithashtu ndihmon organizmin të thithë dhe ruajë hekurin.
Për shkak se organizmi ynë nuk prodhon vitaminë C, duhet të mirret nga dieta ushqimore.
Sasia ditore e rekomanduar e vitaminës C për meshkujt e moshës madhore është 90 miligram dhe për gratë është 75 miligram.
Shumica e njerëzve marrin mjaftueshëm vitaminë C nga një dietë e ekuilibruar. Sidoqoftë, njerëzit me kushte gastrointestinale dhe disa lloje të kancerit mund të jenë të ndjeshëm ndaj mungesës së vitaminës C dhe të përfitojnë nga përdorimi i shtojcave orale. Marrja e shtojcave të vitaminës C gjithashtu mund të ketë përfitime të tjera mbrojtëse.
Ndihmon në forcimin e sistemit imunitar, ndihmon prodhimin e kolagjenit dhe shërimin e plagëve, dhe vepron si një antioksidant për të mbrojtur qelizat nga dëmtimi i radikaleve të lira.
Për dallim nga kafshët, njerëzit nuk mund të sintetizojnë vetë vitaminën C në organizëm. Prandaj, duhet të mirret mjaftueshëm nga ushqimet ose shtojcat për të ruajtur shëndetin.
Cila është marrja e rekomanduar ditore e kësaj vitamine?
Fëmijët (1–3 vjeç): 15 mg në ditë
Fëmijët (4-8 vjeç): 25 mg
Adoleshentët (9–13 vjeç): 45 mg
Adoleshentë (14–18 vjeç): 65–75 mg
Gratë (të moshës mbi 19 vjeç): 75 mg
Burra të rritur (të moshës mbi 19 vjeç): 90 mg
Gratë shtatzëna: 85 mg
Gratë gjidhënës: 120 mg
Dozat e lejueshme maksimale ditore të vitaminës C:
Fëmijët (1-3 vjet) 400 mg
Fëmijët (4-8 vjet) 650 mg
Adoleshentët (9–13 vjeç) 1,200 mg
Adoleshentë (14–18 vjeç) 1,800 mg
Të rriturit (mbi19 vjeç ) 2,000 mg
Marrja e rregullt nga 1-2 gramë vitaminë C në ditë mund të zvogëlojë kohëzgjatjen e simptomave të zakonshme të ftohjes dhe të forcojë sistemin imunitar. Mund të ndihmojë gjithashtu në parandalimin e anemisë së mungesës së hekurit.
Burimet më të mira ushqimore
Në mënyrë tipike, burimet më të mira të vitaminës C janë frutat dhe perimet.
Burimet e vitaminës C:
Vitamina C gjendet në agrume, manaferra, patate, domate, speca, lakra, brokoli, spinaqi etj. Vitamina C është gjithashtu në dispozicion si një shtesë orale, zakonisht në formën e kapsulave, tabletave, tabletave përtypëse, efervetave, shurupeve, pikave, pluhurave etj.
Është shumë e rëndësishme të theksohet se vitamina C në ushqim shkatërrohet lehtësisht nga nxehtësia, por duke qenë se shumë burime të mira të ushqyesve janë frutat dhe perimet, thjesht ngrënia e disa prej atyre ushqimeve të papërpunuara është një mënyrë e thjeshtë për të arritur marrjen e rekomanduar.
Shumica e njerëzve marrin mjaftueshëm vitaminë C nga një dietë e ekuilibruar. Sidoqoftë, njerëzit me kushte gastrointestinale dhe disa lloje të kancerit, mund të jenë të ndjeshëm ndaj mungesës së vitaminës C dhe të përfitojnë nga përdorimi i shtojcave orale. Marrja e shtojcave të vitaminës C gjithashtu mund të ketë përfitime të tjera mbrojtëse.
Efektet anësore:
Kur merren në doza të përshtatshme, shtesat orale të vitaminës C përgjithësisht konsiderohen të sigurta. Efektet anësore kanë tendencë të jenë të lidhura me dozën, andaj mund të shkaktojnë:
të përziera, të vjella, dhimbje lukthi, dhimbje barku, dhimbje koke, përgjumje, diarre, skuqje e lëkurës etj.
Në disa njerëz, përdorimi oral i vitaminës C mund të shkaktojë gurë në veshka. Përdorimi afatgjatë i shtojcave orale të vitaminës C në doza mbi 2,000 miligram në ditë, rritë rrezikun e efekteve anësore të konsiderueshme.
Ndërveprimet e mundshme me barna përfshijnë:
• Alumini- Marrja e vitaminës C mund të rrisë thithjen e aluminit nga barnat që përmbajnë alumin. Kjo mund të jetë e dëmshme për njerëzit me probleme të veshkave.
• Kimioterapia- Ekziston shqetësimi se përdorimi i antioksidantëve, të tilla si vitamina C, gjatë kimioterapisë mund të zvogëlojë efektin e saj.
• Estrogjenët- Marrja e vitaminës C me kontraceptiv oral ose terapi zëvendësuese të hormoneve, mund të rrisë nivelin e estrogjenëve në organizëm.
• Frenuesit e proteinave- Përdorimi oral i vitaminës C mund të zvogëlojë efektin e këtyre barnave antivirale.
• Statinet dhe niacina- Marrja e vitaminës C me niacinë, e cila mund të përfitojë nga njerëzit me kolesterol të lartë, mund të zvogëlojë efektin e niacinës.
• Warfarin- Doza të larta të vitaminës C mund të zvogëlojnë reagimin e organizimit ndaj këtij antikoagulanti.
Andaj, keni kujdes ngaqë nuk mund të thuhet merrni 5gram vitaminë C ndaj COVID-19 dhe të mos mirret aspak parasysh dëmet që mund të shkaktohen në njerëz!
Këshilla ka vlerë kur mirret në kohën e duhur por nga njerëzit e duhur profesionistë./Familjadheshendeti